Mbetjet, ndotja e ajrit dhe e ujërave janë risjellë në vëmendje nga përfaqësuesit e lartë të institucioneve kompetente, por edhe ndërkombëtare.

Ambasadori amerikan Alexander Arvizu tha se mbetjet mbeten një nga çështjet më problematike për Shqipërinë, zgjidhja e së cilës mund të vijë vetëm nga impenjimi i gjithë qytetarëve shqiptarë.
 
“Cështja që është ngulitur në mendjen e njerëzve është ajo e mbeturinave që duket se ka dalë jashtë kontrrollit. Duket sikur nuk ka shumë gjëra për të bërë, por nuk duhet të mbetet kështu. Duhet që qeveria të bëjë punë, Ministria e Mjedisit të bëjë punën e saj, por gjërat kanë për të ndryshuar kur ju të kërkoni që gjërat të ndryshojnë. Por, për të ndryshuar gjërat duhet të ketë vendosmëri, energji, vullnet dhe unë e di që njerëzit e këtij vendi e kanë, duhet vetëm ta bëni që të largojmë mbeturinat dhe të pastrojmë mjedisin”, u shpreh Arvizu.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, tha se Bashkia po punon për shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta dhe përmirësimin e transportit publik.

Në Ditën ndërkombëtare të Tokës, qendra Eden në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane dhe Bashkinë e Tiranës kanë organizuar një panair në rrugën pedonale ku qytetarët mund të njihen me punën e organizatave mjedisore.

Në këtë aktivitet ku u promovuan dhe materialet e riciklueshme, ishte i pranishëm edhe ambasadori austriak.

Top Channel