Berisha: Shqipëria, potencial energjitik

19/04/2012 11:00

Kryeministri Sali Berisha ka mbajtur një fjalim në Panairin dhe Forumin e Biznesit, FIA, ku ka folur për potencialet që sipas tij ka Shqipëria në sektorin energjitik.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka deklaruar se në vitet e fundit Shqipëria ka njohur një zhvillim të fuqishëm ekonomik dhe ka shansin që të zhvillohet edhe më tej.

“Në Shqipëri janë trefishuar investimet e huaja dhe janë trefishuar eksportet. Potenciali më i madh i vendit është ai energjitik. Ne kemi një shans që të zhvillohemi në mënyrë të qëndrueshme”, deklaroi Berisha.

Ai ka bërë të ditur se qeveria në 4-5 vitet e fundit ka firmosur me sektorin privat 120 kontrata konçesionesh, për ndërtimin e 120 hidrocentraleve.

“Shqipëria është një Norvegji në Ballkan, e pasur me burime të panumërta ujore, që e bëjnë energjinë ujore jashtëzakonisht të rëndësishëm. Konsideratat për të investuar në këtë fushë janë konsiderata shumë serioze”, ka theksuar Berisha.

Sipas tij, shanset që në Shqipëri të kalojë projekti më i madh i Europës, Southstream, janë reale dhe vijnë gjithnjë e më shumë pranë realizimit.

“Shqipëria ofron burime të pasura me gaz në disa zona, rezerva të hidrokarbureve, etj”, ka shtuar më tej kryeministri.

Top Channel