“Bazat ushtarake nuk shiten”

18/04/2012 22:45

I pranishëm në Ministerialin e NATO-s në Bruksel, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami hodhi poshtë akuzat mbi planet për shitjen e disa bazave ushtarake.

Arben Imami: “Për ta thënë shqip, opozitës duhet t’ia themi që po ia fut kot. Ajo opozitë që ka dy vjetë e gjysëm, në vend që të vijë të merret me këto gjëra të rëndësishme, është një opozitë që flet për ca prona që, e para e punës, e kam deklaruar që nuk do të lëvizin që aty, e dyta, nuk niset nga prona për të ardhur tek plani strategjik i ushtrisë, por nisemi nga planifikimi strategjik i ushtrisë për të dalë tek pronat. Më vjen keq që janë kaq të painformuar, janë kaq të paditur, edhe kaq jo-konstruktivë me një politikë e cila është politikë e përbashkët, politika për NATO-n 20 vjetë ka qënë politikë e përbashkët.”     

I pyetur për ankesat e ushtarëve për mosmarrjen prej muajsh të dietave, ndërsa shërbejnë brenda vendit, apo në misionet jashtë tij, Ministri u përgjigj:

“Di të them që, edhe dje që jam nisur, kam firmosur dieta për ushtarët tanë që janë atje.

TCH: Për ushtarët brenda Shqipërisë ?

Imami: Po, po flas për Shqipërinë. Ne duhet të kuptojmë një gjë, që ne proçesin e demontimit, po e mbështesim nga shitja e materialeve që dalin nga demontimi dhe nganjëherë krijohen mospërputhje. Por, deri në fund, kujt shteti i detyrohet, do t’i plotësojë këto detyrime. Dje e kam bërë këtë gjë, do të vijoj dhe besoj se shumë shpejtë, brenda 6 mujorit të parë, ne do të jemi në balancë të plotë me të gjithë ushtarët tanë që të marrin dietat, të cilat u takojnë. Lidhur me këtë të Afganistanit, ka pasur një problem, nëse nuk gaboj, në fund të vitit, i cili është korrigjuar menjëherë me hapjen e buxhetit të ri, por nuk ka ndonjë problem, në kuptimin që të jetë problematik, ne e kemi të parashikuar me buxhet të gjithë mbështetjen për ushtarakët tanë që janë në mision. Kjo gjë është e parashikuar totalisht në buxhetin tonë, ne nuk kemi asnjë mungesë në buxhet, dhe nuk ka asnjë arsye që të ndodhë diçka e tillë”.
        
Kreu i dikasterit të mbrojtjes shpjegoi se për shkak të emerimit anti-kushtetues prej tij të komandantit të flotës detare, asnjë prej urdhrave apo vendimeve të lëshuara prej këtij të fundit, nuk do të kenë efekt ligjor.

Arben Imami:
“Komandanti është zëvëndës komandant tani. Ky është problemi tani. Nuk ka asnjë efekt ligjor, nuk ka asnjë dëm, nuk ka sjellë asnjë gjë kjo gjë. Në fakt ai duhet, duhej të ishte komanduar. Në qoftë se do të ishte komanduar, do të ishim në rrugën e duhur. Meqënëse kishim bërë një gabim si Ministri, e tërhoqa krejtësisht (emërimin), përndryshe, po t’a kishin bërë siç duhet atë dokument, të cilin e kanë menduar rutinë, ai do të vazhdonte të qëndronte i komanduar. Fakti që është që kemi një problem e që duhet t’a ndreqim e që ky është dhe shkaku i gabimit, është që Presidenti nuk mund t’a emërojë, dhe ka refuzuar përpara t’a emërojë. Ministri nuk mund t’a emërojë, por nuk mund të mbetet një njësi e rëndësishme e ushtrisë pa komandant”.

Në takimin e Ministrave të Mbrojtjes së Aleancës, në kuadër të përgatitjeve për samitin e Cikagos, Shqipëria mbështeti paketën e planit të mbrojtjes së NATO-s deri në vitin 2020, i njohur ndryshe me emërtimin Smart Defence dhe programin e mbrojtjes anti-raketore.

Përgatiti: Arta Tozaj 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA