Kreu i opozitës Edi Rama, nëpërmjet një editoriali, ka sqaruar pozicionin e Partisë Socialiste në lidhje me propozimin e Ardian Vishës si kandidatura e opozitës për vendin vakant në KLD.
Rama në fillim të editorialit thotë se “duke mbështetur kandidaturën e Ardian Vishës, avokatit të Fatmir Mediut, ne nuk ndërruam asnjë presje në qëndrimin tonë ndaj krimit shtetëror të Gërdecit. Kjo këtu nuk është një përpjekje për të justifikuar gjësend lidhur me mbështetjen që dhamë për Vishën. Eshtë vetëm shpjegimi krejt i sinqertë i një pikëpamjeje që nuk e ndaj me asnjë ndër ata opozitarë të ndershëm, të cilët e lexuan dhe e komentuan nga një këndvështrim tjetër zgjedhjen tone”.
Të gjithë zhurmën e krijuar nga emri Vishës Rama e komenton si një keqgjykim të PS me jo pak komente denigruese: “Ne nuk e mbështetëm kandidaturën e Ardian Vishës për vendin në KLD as sepse ishte avokat i Fatmir Mediut, as sepse avokoi pafajësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes. Ky i fundit ka qenë, është dhe do të mbetet përgjithnjë i fajshëm për shpërdorim detyre me pasojë vdekjen e 26 njerëzve të pafajshëm, pavarësisht se kryefajtori është e do të mbetet kryeministri; pavarësisht se biznesin vrasës të Fabrikës së Vdekjes e hapi dhe e mbrojti deri në fund kryeministri; pavarësisht se gjykata e kapur nga pushteti i kryeministrit nxori të pafajshëm ish-ministrin për të nxjerrë të pafajshëm kryeministrin; pavarësisht se pafajësinë e Fatmir Mediut e shpiku gjykata e Saliut dhe nuk e fitoi Ardian Visha.”
Sipas Ramës, PS mbështeti një kandidat me profil të spikatur profesional që as nuk ka rënë ndonjëherë në sy për mungesë profesionalizmi dhe as nuk është akuzuar, qoftë edhe nga kundërshtarët e kandidaturës së tij në tryezën e Komisionit të Ligjeve, si i paaftë për të kryer detyrën.
“Mbështetëm një kandidat jopartiak për të synuar edhe vota përtej pakicës sonë parlamentare. Me këtë arsyetim: Të shfrytëzojmë qoftë edhe një mundësi teorike për të mos e lejuar pa bërë asgjë hiç në këtë rast, uzurpimin e pandalur të drejtësisë e të vetë KLD-së nga komandot antidrejtësi të Saliut.”
“Mes mospjesmarrjes në një garë e për pasojë, lejimit të vazhdimit të pushtimit pa asnjë “dhimbje koke” nga ana e kryeministrit të vendeve në strukturat kyçe të sistemit të drejtësisë, dhe një gare me sadopak gjasa për t’u fituar ne zgjodhëm të dytën. E për këtë zgjodhëm dikë me integritet e profesionalizëm jashtë sinorit të opozitës”, shkuan Rama.
Votimi tregoi, shkruan Rama, se Saliu nuk ka më shumicë të fshehtë në atë parlament ku votimin e fundit me kuti e ka lejuar të ndodhë në vitin 2007, na e tregoi neve dhe gjithë shqiptarëve rënia në shesh e rrobave të kryeministrit nga ku doli lakuriq, mu në mes të parlamentit, një vjedhës i rëndomtë votash. Sikur kishte zbritur vrik drejt e nga Ruzhdija famëkeqe dhe jo nga podiumi i qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Duke e krahasuar kryeministrin Berisha me kryetarin e KQZ Arben Ristani Rama e cilëson zotin Berisha si komandant suprem i tërë votavjedhësve të 15 vjetëve të fundit, i cili u ngjit edhe më lart se vetë Arben Ristani në shkallën e marrisë së dhunshme kundër lirisë së votës së fshehtë, duke dhënë kushtrimin për flakjen e kutisë e për kthimin e garës në një farsë të turpshme me një kandidat e me votë praktikisht të hapur.
Top Channel