Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur të premten mbledhjen e parë të kabinetit pas kthimit nga SHBA, ku është diskutuar situata në veri të vendit.
Gjatë fjalës së tij, Thaçi e ka cilësuar vrasjen e shtetasit Silver Haradinaj në Mitrovicë si një akt kriminal dhe terrorist, si dhe ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të ndëshkojnë përgjegjësit. Gjithashtu, ai ka kërkuar shtimin e trupave të KFOR-it dhe EULEX-it në veri të Mitrovicës.
Sa për zgjedhjet lokale serbe, Thaçi ka theksuar se ato nuk do të mbahen kurrë në Kosovë, ndërsa për ato të përgjithshme ka sugjeruar që të mundësohen përmes OSBE-së.
Ndërsa pas mbledhjes, në komunikimin me mediat, zëvendësi i Thaçit, Hajredin Kuçi ka mohuar shkrimet e bëra në shtypin vendas se një njësi speciale e Policisë së Kosovës është kontrolluar nga trupat e KFOR-it në Mitrovicë.
Lajmi në fjalë është mohuar edhe nga Policia e Kosovës, e cila e ka quajtur një gënjeshtër.
Kuçi ka përsëritur apelin e bërë pak ditë më parë ndaj KFOR-it, që të kryejë detyrën që i është atribuar për të kapur kriminelët që veprojnë në zonën problematike të Kosovës.
Zëvendëskryeministri nuk e ka pohuar mundësinë e organizimit të një operacioni special në veri, si ai i 25 korrikut, por nga ana tjetër as nuk e ka mohuar atë.
“Qeveria e Kosovës është e gatshme të dialogojë me qytetarët e pjesës veriore, por jo me Serbinë, pasi nuk është pjesë e saj. Veriu nuk do të jetë kurrë në axhendën e bisedimeve”, ka thënë Kuçi.
Ndërkohë, qeveria kosovare ka njoftuar se ka akorduar një fond prej 9.500 eurosh ndihmë për familjen Haradinaj, e cila humbi kryetarin e saj ditën e shtunë në lagjen “Tre Rrokaqiejtë”, në Mitrovicë.
Top Channel