Zyrtarët rusë lajmëruan të martën se nëntë terroristë, të cilët po planifikonin një seri shpërthimesh në ditën e Pashkëve Ortodokse, humbën jetën në dy operacione paralele policore.
Sipas agjensisë së lajmeve “Interfax”, katër persona rreth të 20-tave që po udhëtonin me një makinë u vranë, pasi refuzuan t’i përgjigjeshin kërkesës për të ndaluar në një postobllok. Një numër i madh armësh dhe eksplozivësh u gjet në bagazhin e mjetit me të cilin po udhëtonin.
Njëkohësisht, pesë militantë mbetën viktimë e një shkëmbimi zjarri në qytetin e Mineralnye Vody. Një zëdhënës qeveritar tha se militantët kishin planifikuar një seri shpërthimesh në ditën e Pashkëve Ortodokse, të dielën e ardhshme.
Shërbimet Sekrete Ruse (FSB) kishin raportuar policinë për një mbledhje në një apartament në qendër të qytetit të Vodyt të një grupi personash të dyshuar si militantë dhe aksioni fatal për pesë të dyshuarit ndodhi disa orë më vonë, pas një beteje të shkurtër brenda në banesë me forcat speciale.
Dhuna e ndikuar nga kryengritja islamike në zonën e Çeçenisë dhe Ingushetisë ka ndikuar edhe për të destabilizuar rajonet përreth Kaukazit, përfshi krahinën e Stavropolit, ku ndodhet edhe qyteti me 70 mijë banorë i Mineralnye Vodyt.
Top Channel