Skena partiake paraelektorale

09/04/2012 00:00

Dorian Koçi – Kodi Elektoral i hartuar dhe i miratuar brenda pak ditësh në 2009-n
midis dy partive kryesore u duk në fillim se u drejtua kundër partive të
vogla.

Kjo ide u përforcua më shumë dhe nga revoltat deri në grevë urie që LSI dhe PDK ndërmorën në mjediset brenda Parlamentit, por dhe nga pragu elektoral që u ngrit duke bërë të pamundur për disa parti të vogla që të kishin rezultate inkurajuese në të gjitha qarqet e vendit. Mirëpo rezultatet e prodhuara nga zgjedhjet e përgjithshme më qershor 2009, ku asnjë nga partitë e mëdha nuk mundi që të merrte shumicën e mundshme për të krijuar qeverinë dhe aleanca e pashembullt e krijuar mes PD dhe LSI pikërisht për të bërë të mundur që të krijohej qeveria, ngjallën debate në vend jo vetëm për moralin e këtyre bashkëpunimeve, por dhe për mundësitë e veçanta që fiton një parti që arrin të futet në Parlament në këtë sistem elektoral. Kur flasim për mundësira të veçanta na vjen ndërmend sistemi elektoral gjerman, ku një parti siç ishte ajo Liberal Demokrate bënte të mundur që të vendoste se kush do ta krijonte qeverinë, Bashkimi Kristian Demokrat apo Partia Socialdemokrate përgjatë viteve ‘70-‘80 dhe pastaj si shkëmbim merrte poste të rëndësishme në çdo qeveri gjermane që krijohej. Pak a shumë e njëjta gjë ndodhi dhe këtu në Shqipëri, ku LSI vetëm me 4 deputetë mori 20% të pushtetit, duke përfshirë disa nga ministritë kryesore. Ky fakt i ditur tashmë, duke parë dhe palëvizshmërinë e dy partive të mëdha për të bërë ndryshime thelbësore në Kodin Elektoral, ka ngjallur orekse të mëdha në figura publike që besojnë se duke krijuar parti të ndryshme politike dhe duke bërë një përpjekje maksimale për të fituar vota, do të jenë në gjendje që t’i imponohen partive të mëdha në momentin final të krijimit të qeverisë. Sigurisht që nuk ka asnjë gjë të keqe që në vend të krijohen alternativa dhe parti të reja politike, pasi një vend që është në konsolidim e sipër të demokracisë ka nevojë që ketë sa më shumë alternativa për të realizuar reformat e mëdha që kërkon vendi, por kur këto parti të reja politike synojnë pushtetin si qëllim dhe manipulimin e zgjedhësve si mjet, atëherë situata komplotet më shumë dhe bëhet pengesë për qeverisjen e mirë në Shqipëri.

Duke qenë se mesazhet kryesore për ndërtimin e një qeverie të qëndrueshme janë pasqyruar prej kohësh në programin e dy partive të mëdha apo dhe atyre të vogla aktuale, partitë apo e reja që kanë sinjalizuar se do krijohen, po mundohen që të gjejnë mesazhe që nuk i shkojnë shumë për shtat shoqërisë shqiptare ose që nuk përfaqësojnë qëndrime të qëndrueshme ndaj elektoratit, por mundohen që t’i mbledhin nën një çati të gjithë ata që quhen të “pakënaqur” nga të dy krahët e politikës. Kështu Aleanca Kuq e Zi ka gjetur nacionalizmin si ideologji frymëzuese dhe nuk po e mohon ambicien që kjo lëvizje mund të kthehet në një parti politike masive mbizotëruese në skenën politike shqiptare. Sigurisht që nuk ka asnjë gjë të keqe në këtë ambicie të saj pasi fundi-fundit, të gjithë partitë politike synojnë pushtetin, por lloji i nacionalizmit që po ndjek lëvizja Kuq e Zi me aktivistë që kërkojnë të përleshen medoemos me armiq imagjinarë brenda truallit të Shqipërisë, aksione “hackerash” të siteve të vendeve fqinjë apo propozime të çuditshme për njësimin e kampionateve të futbollit, propozime që dihet shumë mirë që s’janë në duar të shqiptarëve, por të organizmave të lartë si FIFA, që janë shumë rigorozë ndaj kërkesave të tilla, është një nacionalizëm që del përtej kornizave të zakonshme të nacionalizmit shqiptar. Ky tip nacionalizmi i Aleancës Kuq e Zi, e i mbartur për më se një shekull nga fqinjët tanë, ka qenë përgjegjës për sjelljen e kaq shumë fatkeqësive në Ballkan dhe tashmë që shqiptarët që gëzojnë lirinë më të madhe politike se përpara, nuk kanë pse bien viktima të ambicieve të mëdha politike të njerëzve të vegjël. Integrimi europian i Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi është zgjidhja më e mirë që shqiptarët mund t’i japin dhe bashkimit të tyre kombëtar sesa kultivimi i urrejtjes etnike ndaj kombësive të tjera të Ballkanit. Të luash me zjarrin dhe sentimentet e një popullsie të ndrydhur për kaq e kaq vite sa nga represionet e fqinjëve, sa nga izolimi komunist, është e pandershme dhe manipuluese.

Në të njëjtën valë qëndrojnë dhe lëvizjet e disa figurave të tjerë që synojnë të mbledhin të pakënaqurit nga partitë politike, të cilët zakonisht kanë qenë ish-funksionarë të lartë qeveritarë dhe partiakë. Pikësëpari këtu lind një pyetje, a e njohin dhe e pranojnë këta njerëz teorinë e qarkullimit të elitave? Përse qenka e thënë se dikush që hyn në politikë në një moment të caktuar u dashka të qëndrojë aty deri në pension? Fundi-fundit të gjithë këta janë provuar një herë në poste drejtuese dhe nëse tranzicioni shqiptar ka qenë kaq i gjatë dhe i vështirë, sigurisht që dhe ata kanë një pjesë të përgjegjësisë. Dëshira e ethshme për të fituar një apo dy deputetë dhe pastaj të luajnë rolin vendimtar për formulimin e qeverisë mund të realizojë vdekjeprurëse për demokracinë shqiptare, pasi në këtë rrugëtim të tyre drejt pushtetit, kanë mbrapa një armatë të tërë militantësh që presin të shpërblehen dhe në aspektin moral, sërish ka një manipulim të synimit së vërtetë dhe nevojës për reforma që ka shoqëria shqiptare.

Një reformë e menjëhershme dhe serioze elektorale, sipas rekomandimeve të ODIR-it dhe OSBE-së, do t’i japë fund kësaj maskarade paraelektorale, në të cilën pasionet dhe etja për riciklim të pamerituar në politikë po mbizotëron përditë në opinionin publik. Ky ndryshim në fakt do të japë dhe një provë më tepër sesa të përkushtuar janë këta “personalitete” ndaj idesë së tyre fikse për ndryshim të Shqipërisë apo për ardhjen e tyre në pushtet me çdo kusht. Zgjedhjet e vitit 2013 duhet të jenë vendimtare, jo vetëm për konsolidimin e demokracisë liberale në Shqipëri por dhe për lënien pas të mentaliteteve dhe ambicieve të vogla personale, për të bërë të mundur që të realizohet ëndrra shekullore e shqiptarëve për t’u integruar plotësisht në Bashkimin Europian.

Gazeta “Shqip”

Top Channel