Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka rikonfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe aspiratat integruese të saj.

“Do vazhdojmë të mbështesim Kosovën në aspiratat për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe BE-së”, ka deklaruar Clinton.

Në një konferencë të shkurtër për shtyp të mbajtur pak çaste më parë në selinë e Departamentit të Shtetit, Clinton ka rivlerësuar marrëveshjet Kosovë-Serbi të arritura deri tani.

“Ne e vlerësojmë marrëveshjen Kosovë-Serbi të arritur në Bruksel. Marrëveshjet e arritura janë meritë e dy liderëve”, është shprehur shefja e diplomacisë amerikane.

Ndërsa kryeministri Thaçi, nga ana e tij, ka falenderuar zonjën Clinton për mbështetjen e pakursyer të administratës amerikane.

“Sot diskutuam për disa çështje dypalëshe. Sa për marrëveshjet, ato janë kapituj të rinj mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Thaçi.

Më herët kryeministri kosovar u takua me kongresmenin Eliot Engel, ndërsa më vonë pritet të takohet me zëvendëspresidentin Joe Biden. Në ditët në vazhdim ai do të bisedojë me zyrtarë dhe kongresmenë të tjerë.

Atij i është rezervuar edhe një takim me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i cili flitet se do të mbahet më 6 prill, por që nuk është përcaktuar ende zyrtarisht.

Top Channel