Nuk mund të dilej e as mund të hyhej, nuk kishte ushqim, ujë, drita dhe gaz, vetëm bomba. Në 43 muaj të gjatë rrethim, Sarajeva ka numëruar 20 vjet më parë të vdekurit, 11.541, përveç 50 mijë të plagosurve e të gjymtuarve nga bombat serbe të hedhura në qytet, me një mesatare prej 330 bombash në ditë. Një “reality show” makabër, të cilin e gjithë bota e ndoqi përmes televizorit.

Kombet e Bashkuara vendosën një urë ajrore për ndihmat humanitare, që zgjati pak a shumë sa ajo e Berlinit, duke vendosur 24 mijë kaska blu në të gjithë Bosnjen, por njerëzit në kryeqytet dhe në pjesët e tjera të vendit vazhduan të vdisnin edhe për tre vjet e gjysmë.

Viktimat e para ishin dy gra, Suada Dilberoviç dhe Olga Suçiç, të vrara nga snajperët serbë në urën që sot mban emrat e tyre, teksa manifestonin për paqe më 5 prill 1992.

Një ditë më pas, Komuniteti Evropian dhe Shtetet e Bashkuara njohën pavarësinë e Bosnjes nga Jugosllavia dhe 6 prilli i atëhershëm u bë zyrtarisht nisja e rrethimit të Sarajevës dhe e luftës në Bosnje.

Atë ditë u krye bombardimi i parë me artiljeri të rëndë nga ushtria federale, me shumicë të theksuar serbe, që prej dy muajsh ishte vendosur në kodrat përreth qytetit.

100 tanke të armatosura, 180 autoblinda, 12 mijë ushtarë që mbërthyen kryeqytetin në një rreth prej 62 kilometrash. Një muaj më vonë do të ndryshonin vetëm emrat, pasi do të bëhej ushtria e Republikës Serbe të Bosnjes.

Serbët kontrollonin edhe autokolonat me ndihma humanitare të shoqëruara nga Kaskat Blu, pasi përveçse donin të linin popullsinë pa bukë dhe në të ftohtë, përhapnin terror duke bombarduar spitale, shkolla dhe biblioteka.

Snajperat qëllonin edhe fëmijët e vegjël dhe granatat godisnin civilët duke pirë një kafe, duke kaluar rrugën, duke mbledhur dru apo ujë dhe duke varrosur të vdekurit.

Rrethimi vazhdoi me masakra që kulmuan me atë të 27 majit 1992, kur një goditje mortaje vrau 23 persona në radhë për të blerë bukë, me masakrën e 5 shkurtit 1994 në një treg, ku mbetën të vrarë 68 vetë dhe me atë të 28 gushtit 1995, që shënoi 41 të vdekur dhe që shkaktoi reagimin e NATO-s dhe sulmet ajrore kundër artiljerive serbe.

Sarajeva i rezistoi sulmeve duke u përpjekur të mbante të gjallë “shpirtin” e saj me kultura multietnike dhe multifetare, si dhe Bosnjen ku toleranca dhe jeta e zakonshme ishin një traditë shekullore.

Megjithatë, sot, protagonistët e asaj rezistencë ndihen edhe të rrethuar si 20 vjet më parë, të mbërthyer si me një këmishë forcë nga marrëveshja e paqes e Dajtonit, që ka ngrirë ndarjen etnike, duke i ndaluar Bosnjes që të ketë një të ardhme normale.

Më 6 prill Sarajeva do të përkujtojë të vdekurit në luftën e fundit me një koncert përpara 11.541 karrikeve boshe, duke kujtuar edhe një 6 prill tjetër, atë kur në 1945-ën partizanët e Titos çliruan qytetin nga pushtimi nazist.

E ndërkohë që Bosnje e Hercegovina sot vuan ende nga përplasjet politike mes Republikës Serbe dhe asaj Myslimano-Kroate, vendi që orkestroi masakrat dhe barbaritë e papara ndodhet më pranë se kurrë Bashkimit Evropian, unioni i atyre vendeve perëndimore që promovojnë lirinë dhe demokracinë.

Për më tepër, shumë prej eksponentëve të regjimit të atëhershëm të drejtuar nga Sllobodan Millosheviç, vazhdojnë të jenë pjesë e qeverisë dhe pushtetit aktual serb.

FOTO GALERI
1/8
Lejla, 12 vjeç, u godit nga një granatë në oborrin e shtëpisë

Top Channel