Departamenti amerikan i Shtetit reagoi ndaj arrestimeve të ditëve të fundit nga autoritetet e Kosovës dhe Serbisë të shtetasve të njeri-tjetrit.

Departamenti i Shtetit shprehu shqetësimin lidhur me deklartat e disa zyrtarëve, të cilët bënë tërthorazi kërcënime se arrestimet janë reciproke ose hakmarrëse.

“Si për të gjithë vëndet që aspirojnë të anëtarësohen në strukturat euro-atlantike, ne presim si nga Serbia ashtu edhe Kosova të respektojnë shtetin ligjor dhe të mos bëjnë deklarata, apo të kryejnë veprime që shkaktojnë ngritjen e tensioneve”, deklaroi Departamenti i Shtetit.

Më tej në njoftimin për shtyp thuhet se, Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë ka ofruar gatishmërinë që të krijojë kushte për dyshtetësinë në Kosovë, në mënyrë që qytetarët të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

“Shtetet e Bashkuara shpresojnë që qeveria e Kosovës, e cila ka shprehur gatishmërinë për ta pranuar një ndërmjetësim të tillë, dhe qeveria e Serbisë do ta pranojnë këtë ofertë sa më parë që të jetë e mundur”, përfundon deklarata e Departamentit të Shtetit.

Më herët ishte Brukseli zyrtar që shprehu pakënaqësinë e tij ndaj arrestimeve të shtetasve serbë në Kosovë dhe atyre shqiptarë në Serbi, duke deklaruar se veprime të tilla dëmtojnë dialogun dypalësh.

Një grup zyrtarësh shprehën zemërimin e tyre, në veçanti ndaj Serbisë, duke i cilësuar arrestimet e dy shtetasve kosovarë si veprime me sfond elektoral.

Vetë ndërmjetësi i BE-së në bisedime, Robert Cooper u bëri thirrje palëve që të vetëpërmbahen dhe të respektojnë angazhimet që kanë marrë përsipër në raundet e mëparshme të dialogut.

“Marrëveshjet duhet të zbatohen. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të veprojnë me përgjegjësi. Mendojmë se problemet politike duhet të zgjidhen me dialog dhe negociata dhe jo me përdorim selektiv të ligjit”, tha Cooper.

Ditën e martë, policia e Kosovës arrestoi katër pjesëtarë të komunitetit serb, mes të cilëve kryetarin ilegal të komunës së Vitisë, pasi u kapën duke transportuar materiale ilegale zgjedhore.

Arrestimet në fjalë pasuan me arrestimin e dy kosovarëve nga policia serbe në pikën kufitare Dheu i Bardhë, njëri për spiunazh dhe tjetri për trafik ndërkombëtar droge.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA