Mediu sulmon sërish PD dhe PS

30/03/2012 00:00

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu u deklarua sërish të premten kundër dy partive të mëdha, PD e PS për reformën zgjedhore.

Sipas Mediut, qëllimi i tyre është që të asgjesojnë të gjitha partitë e vogla, veprim që sipas tij cënon barazinë elektorale.

“Ka një tendencë të asgjesimit të forcave politike, që do të thotë të vullnetit tuaj politik për t’u organizuar si individë apo si grupe. Kjo do të thotë që karriera juaj dhe e ardhmja juaj të mos përcaktohen nga meritat, por si rrjedhojë e servilizmit politik”, deklaroi Mediu para elektoratit republikan.

“Prandaj duhet të reagojmë. Për të mos shtuar pabarazinë ndaj medias, pabarazinë financiare dhe të pyesim veten ç’lloj garë elektorale është kjo që po zhvillohet në Shqipëri”, u shpreh kryetari i PR.

Dy ditë më parë Mediu kundërshtoi ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, duke thënë se formulat e propozuara do të sjellin fuqizimin e mëtejshëm të dy partive të mëdha në dëm të atyre të vogla.

“Për mua ky është një proçes jotransparent, e dyta cënon në mënyrë të padiskutueshme një monopol të jetës politike, jo për shkak të votës së qytetarëve, por për shkak të formulave tërësisht të shtrembëra që futen në këtë kod për të marrë deputetë partive të ndryshme, për t’ia dhënë dy partive të mëdha”, tha Mediu.

Kryetari i PR shtoi më tej se, këto janë diskutime që bëhen thjesht në aspektin teknik, duke lënë mënjanë një element shumë të rëndësishëm, që është pikërisht barazia e votës së qytetarëve dhe përfaqësimi i tyre i drejtë në Kuvendin e Shqipërisë.

“Mendoj që ka një marrëdhënie tej marrëdhënies së kompromisit normal ndërmjet dy partive dhe nëse ndodh vetëm për kodin, ndodh për shkak të interesit të tyre të përbashkët për të kontrolluar jetën e tyre politike jo në mënyrë të ligjshme”, shtoi Mediu.

Top Channel