Distopia dhe ishi shqiptar

29/03/2012 00:00

Arber Kadia – Tirana sot është një vendbanim, ku fjala ndryshim i vazhdueshëm e karakterizon më së miri dhe krejt përmbledhtazi.

Historia e Tiranës, si hapësirë e rëndësishme për shqiptarët, mund të vlerësohet më së shumti vetëm në 92 vjetët e fundit të ekzistencës së saj, qyshkur u bë kryeqytet. Një fjalë tjetër operative në këtë kontekst është edhe togfjalëshi nevojë për ndryshim, si përshtatje ndaj modelimeve politiko-sociale që kjo hapësirë i ka hasur më shpesh sikundër asnjë hapësirë tjetër brenda kontekstit shqiptar.

Në këto 92 vjet histori kryeqytetase, jo vetëm Le Korbusieret, Howardet, Van de Rohet e kësaj bote, si pararendës të filozofisë për një zhvillim socialo-hapësinor utopik për të ardhmen, do të ishin dëshpëruar së tepërmi për kaosin e këtij vendbanimi, por edhe vetë qytetarët e pashkolluar në filozofinë e planifikimit urban do të kishin dhe me siguri, kanë kriza ankthi e paniku si rezultat i kësaj rrëmuje. Kjo, pasi në Tiranë më së shumti ne kemi një largim nga nevojat e planifikimit urban si interlokutor midis nevojave për zhvillim dhe balancim midis ekzistueses dhe të resë, përzierjes midis të thjeshtës ekonomike dhe të komplikuarës politike, midis ligjores dhe joligjores. Largim ky që udhëhiqet nga një grykësi, që dënohet biblikisht dhe ligjërisht, për të bërë para në një periudhë sa më të shpejtë dhe shpesh në forma jo ligjore. Ajo që është bërë katalizator i kësaj sjelljeje të çrregullt në riorganizimin urban të këtij vendbanimi është nevoja për zhvillim mbi atë që quhet “prime real-te” pa u thelluar shumë mbi implikimet që kjo sjell në identitetin e banorëve më të rinj dhe atyre më të vjetër të kësaj hapësire.

Në fakt, si rast për studim, ky vrull i pandalshëm drejt një rimodelimi të të gjithë hapësirës që ky vendbanim sot zë përbën një kazus interesant. Koshienca ndaj dëmit që i bëhet si rezultat vendbanimit nga kjo rendje ka filluar të ndihet në çdo element. Besoj pra, se edhe vota e 8 majit 2011, paçka performancës së kryetarit aktual të bashkisë gjatë fushatës, është orientuar edhe nga kjo nevojë për të jetuar mirë dhe jo nën presionin e distopisë që na kanoset dukshëm. Si rrjedhojë, edhe qasjet e ndryshme për ridizajnimin e këtij vendbanimi siç po ndodh edhe këto kohë me konkursin ndërkombëtar për bulevardin e Tiranës tregojnë pikërisht këtë nevojë prioritare.

Kjo nevojë duhet të marrë në konsideratë gjithsesi në raport me trashëgiminë e këtij vendbanimi, qoftë atë historike qoftë atë “fizionomike”. Dhe të flasësh tanimë për trashëgimi në Tiranë dhe për Tiranën nuk është e thjeshtë. Kjo pasi shembujt më të mirë të kësaj trashëgimie tashmë janë shkatërruar përgjatë shekullit XX. Më keq akoma për brezat e ri të çdo periudhe të këtyre 100 viteve të fundit memoria e këtij qyteti po fshihet në mënyrë selektive dhe ata që e kanë udhëhequr këtë proces arrijnë ta bëjnë këtë fshirje në mënyrë kolektive pa e çarë shumë kokën. Kjo harresë është shpesh e stimuluar në këtë garë ndryshimesh nga “arkitektë”, të cilëve u mungon totaliteti apo supozimi i një nevoje për një “Unitet jetësor”, si ai që imagjinonin arkitektët e parë dhe menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.

Po pse ndodh kjo? A është utopi të kërkosh sot qëndrueshmëri në balancën e brishtë të harmonisë së të vjetrës me të renë, me historinë e shkruar me atë që pret të shkruhet?

Në vëzhgim të parë, kjo formë që ka marrë zhvillimi urban shqiptar duke u përqendruar gjithnjë në një qendër urbane ekzistuese jep përgjigjen e parë pyetjes së sipërngritur. Shembuj për të ilustruar këtë pikë gjenden në mënyrën sesi Durrësi është ndërtuar sipër një pasurie kombëtare që mund ta kish bërë lehtësisht këtë qytet, edhe me gjendjen në të cilën gjendet trashëgimia dhe turizmi ynë, një nga atraksionet kryesore arkeologjike të Mesdheut, gjithmonë nëse do të ish ruajtur me parimin e misionit të planifikimit urban. Shembuj të tjerë, ku infrastruktura ekzistuese është bërë siti/sheshi kryesor për zhvillim urban gjenden rëndom kudo nëpër Shqipëri.

Nga ana tjetër, modeli dhe nevojat për zhvillim që kemi zgjedhur ne si një opsion profan për nevojat tona personale janë duke na i çuar qendrat tona më të zhvilluara drejt një të ardhmeje distopike, ku në mënyrë gjithnjë e më të shpeshtë, tamam sipas modelit të zgjedhur për zhvillimin e hapësirës urbane brenda Tiranës si rasti më i kritikueshëm, ne gjejmë një represion ndaj nevojave të qytetarëve për të përftuar një jetesë sa më utilitare. Këtë model mishmashi dhe shtypjeje distopike e gjejmë më mirë manifestuar në atë që akoma sot mban emrin e vjetër të një hapësire, që më parë quhej Bllok, dhe tani me të drejtë ka një ish përpara. Ish, pasi nuk është vetëm konteksti historik që ka ndryshuar, por dukshëm është edhe ai arkitekturor dhe hapësinor, duke lënë atë që ekzistonte më parë aty në minorancë të ndërtimeve të reja që e mbizotërojnë tërësisht si vandale, pasi dukshëm nuk përkasin tipikisht në këtë hapësirë. Ishi në kontekstin shqiptar, në mënyrë figurative, përfaqëson atë që përfaqëson izmi në periudhën e fundshekullit 19 dhe fillimshekullit 20 për lëvizjet e ndryshme filozofike dhe artistike. Në Shqipëri në shumë raste, kur merr në konsideratë hapësirat e ndryshme urbane dhe rurale krahasimi bëhet midis asaj që ka qenë dhe asaj që sot kemi si dy qenie, njëra homogjene dhe tjetra hibride.
Në fillesat e tija si hapësirë e rëndësishme në Tiranë, Blloku ishte një hapësirë e gjelbër me ndërtime brenda saj, të cilat përfaqësonin rëndësi për qytetin vetëm në aspektin arkitekturor. Më pas, siç edhe dihet, aspektit arkitekturor iu atashua ai historik, duke e bërë këtë pjesë të Tiranës jo vetëm afluente, por edhe misterioze. Kjo vinte si rezultat i mosdijes se çfarë ndodhte përtej perdes të ruajtur me armë. Një marrëdhënie aq misterioze sa dyndja e pasviteve 1990 vetëm rishtazi ka filluar të bjerret drejt qendrave të tjera të argëtimit kryeqytetas, duke rezultuar kësisoj në një çmitizim pjesor të kësaj hapësire.

Ajo çka e bën shumë interesante këtë hapësirë, është edhe konteksti kufitar, ku ne gjejmë një amalgamë nevojash për biznes dhe blloqe banimi. Në këtë këndvështrim, arkitektët kanë identifikuar vetëm nevojën parësore për të kënaqur planet për fitim të firmave të ndërtimit që u krijuan pas rënies së komunizmit. Planifikimi mbi të cilin u zhvillua “Blloku” ishte kaotik dhe nuk mori parasysh kontekstin e unitetit të godinave ekzistuese në këtë hapësirë apo të raportit të lulishteve që i shërbenin planit origjinal të kësaj zone, të cilat nuk i përgjigjen më dot mbipopullimit të zonës.
Në këtë hapësirë, ne sot gjejmë në të njëjtën mënyrë një lloj bashkëjetese stilesh dhe formash që përngjason me bashkëjetesën fetare në vendin tonë. Bashkëjetesa fetare duhet vlerësuar padyshim, por dukshëm kjo vjen nga një angazhim i dobët në njohjen dhe respektimin e doktrinës fetare. Po njëlloj ashtu më është krijuar bindja se edhe bashkëjetesa e stisur e bizneseve me banorët në “Bllok” vlen për t’u marrë në konsideratë, por jo për cilësitë që i atashohen arkitekturës, por studimit social sesi kjo përzierje tashmë funksionon.

Trashëgimia e kësaj zone dhe këtu nuk po flas për atë kulturore, na sillet në këtë hapësirë të shumëfishtë, pasi këtu kemi mbetje që nga ndërtimet e periudhës së Mbretërisë së Ahmet Zogollit, periudhës së komunizmit nga merr edhe emrin që njihet sot dhe periudhës së pasrënies së komunizmit. Dialogu midis këtyre shembujve është eklektik, është në funksion të nevojave të shtjelluara përciptazi më sipër, dhe nuk rreket t’i afrohet filozofisë së gjenezës që i dha jetë kësaj hapësire, duke lënë nocionet e efikasitetit dhe eficensës në hije të plotë.

Në fakt, hapësira e “Bllokut” është qershia në tortë e këtij shformimi që i është bërë hapësirës urbane në Tiranë. Ky model, që është marrë si bazë për ndërtimin në masë në Tiranë, na jep ne një metropol në rritje, nga i cili e ardhmja po qe se nuk orientohet ashtu siç po na propozohet do të vuajë nga ajo çka e kam përmendur disa herë në këtë artikull, pra distopia apo cacotopia. Distopia është një term që në koncept qyshkur u përdor nga John Stuart Mill është krijuar të nënkuptojë të kundërtën e utopisë. Të dyja nocionet janë imagjinare dhe kanë më shumë peshë në botën e letërsisë. Por, në rastin e zhvillimit urban në Shqipëri dhe sidomos atij që ka pasur deri më tani Tirana, më lindi nevoja të shprehem për lëvizjen dhe largimin konceptual që është bërë deritanimë nga kahu pozitiv i boshtit imagjinar me ekstremitete utopinë dhe distopinë, në favor të kësaj të fundit. Në Tiranë në tërësi ne gjejmë sot një tendencë përafrimi me përkufizimin që i bëhet termit distopik “Një vend imagjinar ose shtet ku gjithçka është e pakëndshme dhe e keqe, tipikisht totalitar dhe me një ambient jetësor të degraduar”.

Një nga arsyet mbase që kemi pasur një tronditje të fortë në nevojën tonë për zhvillim urban ka qenë edhe përzierja pa kriter që është bërë midis atyre që kanë pasur një formim urban dhe atyre që janë rritur në zona rurale. Në fakt përzierja e këtyre tipave në vetvete ka prodhuar atë që teorikisht i jep arsye zhvillimit të shpejtë dhe kjo në vetvete është pozitive. Kjo energji gjithsesi nuk është e kanalizuar siç duhet dhe në vend që të kemi vlerësim për format e vjetra të zhvillimit urban ekzistues ne kemi një rendje për të imponuar nga ardhacakët modelet e tyre të supozimit sesi duhet të jetë raporti, estetik, urbanistik, kulturor dhe zakonor. Nevojat për zhvillim për klasën e mesme shqiptare tanimë kanë ndryshuar dhe dukshëm ka një qasje për largim nga modeli për të jetuar në zonat e zhurmshme ku ndodh gjithçka, si “Blloku”, dhe kërkesës për të paguar më shumë për të pasur një lloj ekskluziviteti në kodrat përreth kryeqytetit. Prapë, pa dashjen e këtyre ndërtuesve të këtyre komuniteteve kemi një zhvillim që në dukje plotëson nevojat për ekskluzivitet, kur në fakt prodhon modele si grupimet e vilave përreth zonës së Lundrës. Këtu ne na paraqiten në një lloj getizimi vullnetar zona që vetëm muret e larta rrethuese, rojat e sigurisë dhe trari te hyrja i jep ndjenjën e ekskluzivitetit të blerë shtrenjtë. Grykësia del sërish mbi modelet më të arrira, pasi është nevoja për fitim ajo që orienton sërish filozofinë për zhvillim. Këta lloj oazesh private asetin më të çmuar kanë pikërisht sigurinë dhe një lloj privatësie larg atyre që nuk kanë mundësi të jenë pjesë e klubit ekskluziv. Fatkeqësisht apo fatmirësisht përzierja vazhdon dhe në këto komunitete. Këtu hapësirat jo të ndërtuara të pronës nuk kanë rëndësinë tipike që duhet të kenë në kësi komunitetesh. Rëndësia prehet tek ajo që shkëlqen, në këtë rast përkatësia në këtë klub. Këtu pra utopizmi i vetëstilizuar qëndron te siguria, këtu kemi një vetë-segregim nga Tirana distopike dhe e egër.

Distopia e së ardhmes gjithsesi nuk gjendet te Blloku, Blloku ishte thjesht modeli që e nisi procesin, ajo gjendet në ato që nesër do të jenë getot e Tiranës. Komunitetet e Freskut dhe Kasharit e të ardhmes janë më të rrezikshme se ato që sot perceptohen si të tilla. Gardhimi i Kodrës së Priftit, i Bathores, Paskuqanit e tërë kodrave përreth u jep një ndjenjë sigurie komuniteteve të këtyre zonave, pasi banorët e këtyre enklavave rurale priren ndaj përmirësimit të pronës dhe jetës së tyre. Urbanizmi vertikal që ofrohet në zonat e Freskut dhe Kasharit në anën tjetër, paçka se tani nuk vërehet, do të prodhojë një hipergetizim siç kanë treguar rastet në Amerikë dhe Europë. Këtu ne do të kemi një mbipopullim dhe stres të vazhdueshëm të një grupimi njerëzish që nuk do të kenë mjaftueshëm vende pune dhe që pakënaqësinë ndaj realitetit ku jetojnë do e shprehin në hapësirën rreth banesave të tyre.

Duke pasur parasysh këto modele dhe duke nxënë pak nga e kaluara e vendeve të tjera kam përshtypjen se nevoja për një planifikim më të edukuar del si prioritare. Dhe krejt natyrshëm pasi vizitova qasjen e fundit nga institucioni i Bashkisë së Tiranës për ndryshimin e modelit të Paskuqanit dhe idesë për të krijuar multicentrizëm në kryeqytet m’u shfaq nevoja për të shkruar këtë opinion. Kjo nevojë refuzon modelet e sotshme të zhvillimit, si negative për komunitetet e ndryshme shqiptare dhe lutet që energjia dhe dëshira që sot po na ofrohet për të menduar jashtë kutive të problematikave tona të na çojë sërish në kahun e duhur të boshtit utopi-distopi.

Gazeta “Shqip”

Top Channel