Meta, takim me kongresmenin Rothman

28/03/2012 19:20

Në kuadër të disa takimeve që kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, po zhvillon në Kongresin dhe Senatin amerikan, ai u prit nga kongresmeni Steven Rothman, anëtar i nënkomitetit për Çështjet e Mbrojtjes dhe Operacioneve të Huaja.

Të dy politikanët diskutuan mbi marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes, si dhe për rolin e vendit tonë në rajon.

Zoti Meta u shpreh se Shqipëria është një aleate e vendosur e SHBA në luftën kundër terrorizmit dhe një anëtare e denjë e NATO-s, duke kontribuar në mënyrë aktive në Afganistan dhe në zona të tjera të botës ku është angazhuar Aleanca.

Kongresmeni Rothman i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë dhe shprehu angazhimin e tij për forcimin e mëtejshëm të tyre.

Duke vlerësuar kontributin e forcave të armatosura shqiptare në Afganistan, kongresmeni shprehu njëkohësisht ngushëllimet e tij për humbjen e kapiten Feti Voglit.

Kreu i LSI-së e nisi vizitën në Uashington një ditë më parë, me ftësë të organizatorëve të Forumit Ekonomik të Europës Juglindore që zhvillohet në John Hopkins University.

Por vizita ka shërbyer edhe për takime me zyrtarë amerikanë, mes të cilëve zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit, Philip Reeker, që u shpreh se Shqipëria ngadalësoi axhendën e saj integruese në dy vitet e fundit në mënyrë të panevojsme.

Top Channel