Nuk ka gjë më të pamposhtur se një ide që i ka ardhur koha

26/03/2012 00:00

Zamira Çavo – Nëse ndjek me pak vëmendje atë çka po ndodh sot në Shqipëri dhe trevat
shqipfolëse, nuk mund të mos sjellësh ndërmend pyetjen: Ka ardhur koha
për një bashkim historik të shqiptarëve në një shtet?

Pyetja, në këtë rast është një ide që ka dhjetëra vjet që shfaqet në forma të ndryshme, por që gjithnjë ka mbetur një ide, ose më mirë, një dëshirë e fortë e shqiptarëve.

Por le të mundohemi të qartësojmë pak situatën e kohëve të fundit, për të kuptuar nëse kësaj ideje i ka ardhur koha. Sipas meje që një ide të konsiderohet e kohës, pra e pamposhtur, duhen plotësuar disa kushte:

E para: që ideja të ketë të tillë rol, duhet që të ketë një bazë të fuqishme morale, shpirtërore. Vetëm kështu ajo mund të bëhet pronë e një mjedisi ku duhet të mbështetet. A është e tillë, ideja e bashkimit të trojeve shqiptare? Sigurisht që po, do të më përgjigjej çdo shqiptar. Natyrisht që sfondi historik, etik e mbi të gjitha kombëtar, është i fortë e i konsoliduar, pra i padiskutueshëm. Por a mjafton vetëm kjo? Ideja vlerësohet në kohë, piqet më të, dhe sigurisht maturohet duke treguar se ka ardhur koha për t’u shndërruar në një ndryshim të madh. Ideja e bashkimi tonë kombëtar dhe pse ka ekzistuar ndër vite si ëndërr tashmë ka vetëm pak kohë që është shtruar hapur si ide. Mendoj se ajo do të kërkojë dhe pak kohë që të piqet si e tillë. Nëse sot do të bëhej një referendum për bashkimin e trojeve shqiptare, unë besoj se një pjesë e njerëzve që besojnë në Europën e Bashkuar do të shprehen: A nuk do bashkohemi të gjithë në Europë? Kjo do të thotë “dyshim” në një vello pragmatizmi dhe jo nacionalizmi, apo dhe patriotizmi. Për të qenë realist, ka mjaft të tillë që mendojnë se bashkimi në një Europë do të ishte më i mirë se bashkimi i trojeve tona. Por kjo nuk do të thotë aspak se këta njerëz, kanë humbur ndjenjën e tyre të të qenët shqiptarë! Një vlerësim i tillë do të ishte padyshim, keqdashës ose arrogant nacionalist. Pra me këtë dua të sjell në vëmendjen e lexuesit se, ka ende shumë punë që kjo ide të maturohet jo vetëm në kohë, por edhe hapësirë.

Së dyti, që një ide të ketë ardhur në kohën e vet, duhen kuptuar rrethanat që do ta mbështesin një ide të tillë. Këto rrethana janë të shumëllojshme, por me mjaft ndikim. Pa to asnjë ide, sado e përkryer dhe e ëndërruar qoftë, nuk mund të quhet në kohën e duhur. Nëse një ide e avancon në kohë ajo nuk është më ide e “mirë dhe e pamposhtur”.  A është e avancuar ideja e bashkimit të shqiptarëve? E parë nga këndvështrimi historik do të thoshim pa më të voglën mëdyshje: Jo vetëm që nuk është e avancuar, por është e tejkaluar! Por cilat janë rrethanat që duhet ta mbështesin një ide të tillë? Rrethanat janë ekonomike, politike, kulturore, gjuhësore, arsimore etj., etj. A janë të gatshme këto rrethana ta mbështesin idenë e bashkimit tonë? Unë mendoj se jo. Ende nuk janë të gatshme. Marrim arsimin dhe shikojmë se sa pak është bërë që arsimi në trevat shqiptare të jetë unifikuar. Të marrim ekonominë. Nuk besoj se kemi ndonjë dyshim se në këtë fushë jemi ende shumë mbrapa. Po kështu të marrim legjislacionin. Sa shumë punë duhet për të unifikuar deri dhe gjuhën legjislative! Kështu me radhë, në pothuaj të gjitha fushat, do të shikonim se sa punë na mbetet për t’u bërë!

Së treti: duhen vlerësuar me laps në dorë, të gjithë faktorët e jashtëm, që e favorizojnë apo që e kundërshtojnë një ide. Kjo do të thotë që të analizojmë rrethanat e jashtme, faktorin ndërkombëtar. Një pjesë e vendeve të Komunitetit Europian, nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet të pavarur. Ndërkohë, Serbisë i avancuan hapat për marrjen e statusit. Pa bërë asnjë iluzion ne duhet të mendojmë seriozisht se sa ky komunitet është i gatshëm të pranojë një bashkim të tillë të shqiptarëve. Jam e ndërgjegjshme se ka disa që do të thonë: po nuk e zgjidhëm vetë ne shqiptarët këtë çështje, s’ka ç’na duhet Europa! Por ama të gjithë e dimë që nuk është kështu. Sot nuk është e njëjta situatë si kur vendi fitoi pavarësinë,(megjithëse dhe atëherë Ismail Qemali e vlerësoi mjaftueshëm faktorin ndërkombëtar). Koha e globalizmit e bën domosdoshmëri mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Prandaj duhen bërë mirë llogaritë. Dhe llogari, do të thotë njohje e mirë e gjeopolitikës. Kjo kërkon të njohësh dhe besosh në vlerat e tua, e të mos gabosh as me futnota e as me tërheqje zvarrë  të procesit të integrimit, sikundër po ndodh në Shqipëri. Shumë herë kemi gabuar dhe gjithnjë për fajin tonë!

Së katërti: një ide ka nevojë për t’u demonstruar, ka nevojë për t’u përhapur dhe njohur. Sa po e bëjmë ne një veprim të tillë? Lëvizja VV në Kosovë, dhe Aleanca Kuq e Zi në Shqipëri, po bëjnë pjesën e tyre. Por kaq nuk mjafton. Nëse këto demonstrime, sa politike aq nacionaliste, sa patriotike aq konservatore, do të mbeten pa një platformë të qartë veprimi, do të jetë e vështirë të arrijmë qëllimin e përbashkët. Politika zyrtare duhet të fillojë të artikulojë këtë ide. Pa pasur frikë. Që një ide të funksionojë në kohë, duhet besuar. Por politika zyrtare, si në Shqipëri dhe në Kosovë nuk e beson, ose nuk do ta besojë, ose ka frikë, sepse është e papërgatitur për këtë ngjarje të madhe!

Ndërkohë, situatat lëvizin me shpejtësi dhe ajo që na duhet në këtë moment, është të kapim shenjat e kohës, të mos lejojmë që të na humbasë as edhe një mundësi, qoftë kjo anësore, ndaj mendoj se duhet analizuar seriozisht ideja e bashkimit, pa emocione, pa ekstaza nacionaliste dhe thirrje patetike, por me arsye dhe me zemër! Ndaj mendoj se ka ardhur koha për një program të qartë me synime të qarta dhe faza të përcaktuara veprimi. Ka ardhur koha për një platformë kombëtare veprimesh të sinkronizuara. Ndryshe do të vazhdojmë të mbetemi në dëshira dhe jo ide të gatshme për t’u zbatuar.

Gazeta “Shqip”

Top Channel