Sundimtarë të mbijetuar

25/03/2012 00:00

Fatos Baxhaku – Shkruante dikur Elias Canneti, filozof i madh i shekullit të kaluar dhe fitues i çmimit “Nobel”:

“…Çdo dëshirë njerëzore për pavdekësi përmban në vetvete diçka prej manisë për të mbijetuar. Njeriu nuk do vetëm të jetojë, ai do të jetë gjallë kur të tjerët nuk rrojnë më. Secili ka dëshirë të bëhet më plaku dhe ta dijë një gjë të tillë; kur ai vetë s’do të rrojë më, të tjerët duhet ta kujtojnë këtë sa herë të dëgjojnë emrin e tij”. Canetti sigurisht që kishte të drejtë.

Të gjithë sundimtarët pavarësisht nga veshja, nga makinat apo qerret që kanë përdorur, pavarësisht nëse kanë përdorur celularë a internet, apo korrierë a kalorës, pavarësisht nga kohërat pra, ata kanë pasur gjithnjë të ngulitur fort në mendje përjetësinë në pushtet që vjen prej mbijetesës. Sa për të kujtuar disa prej sundimtarëve tanë. A nuk mendonin Ali Pashë Tepelena, Enver Hoxha, mbase deri diku dhe Zogu I se ishin pikërisht ata që po e bënin Shqipërinë? A nuk mendonin se historia e këtyre trojeve fillonte thjesht dhe vetëm prej tyre? A nuk e konsideronin veten të mbijetuar prej qindra e qindra peripecive deri te tentativat për t’i vrarë? Me një fjalë sundimtarët tanë të sotëm, veçanërisht më i njohuri dhe më jetëgjati në pushtet prej tyre, ka se ku të bazohet në historinë tonë “të lavdishme”. Andaj, nëse ndokush në këtë vend e ka ende aftësinë për t’u çuditur, le të mos çuditet aspak kur në mitingun e 22 marsit të sivjetshëm u përmendën vetëm dy data, 28 Nëntori dhe dita e fitores së parë elektorale të PD-së.

Me sundimtarët, pra edhe me këtë tonin, ndodh që sa më shumë hatara i ndodhin aq më shumë i duhet t’ia mbushë edhe më fort mendjen vetes se është një i mbijetuar, një i përjetshëm edhe nëse vdes fizikisht si të gjitha qeniet njerëzore. Ka ndodhur kështu me Gërdecin (26 të vrarë), me 21 Janarin (4 të vrarë), pa përmendur ndonjë rast tjetër aty-këtu. Në këto vrasje përgjegjësia shtetërore ishte e qartë, e pacak, e shkoqur, vezulluese në të zezën e saj. Në të gjitha vendet e drejtuara nga shtetarë dhe jo nga sundimtarë faji do të ishte paguar të paktën me dorëheqje, porse jo. Sundimtarët nuk e njohin dorëheqjen ata e quajnë veten të mbijetuar, pra nuk janë si ne vdekatarët e thjeshtë.

Meqë e nisëm me Canettin le të vazhdojmë edhe ca me të. “Sundimtari mendon se fitorja dhe mbijetesa përkojnë tërësisht – shkruan ai – por edhe fitimtarët duhet të paguajnë çmimin e vet. Midis të vdekurve rrinë shtrirë edhe shumë prej njerëzve të tyre… Nëpër beteja ndodh nganjëherë që të vdekurit e të dy palëve të mos dallohen  dot mes tyre: atëherë një varr i përbashkët  mund t’i mbledhë së toku të vdekurit e njërës palë dhe të palës tjetër. Dhe përballë këtyre pirgjeve me të rënë qëndron i mbijetuari, si njeri i lumtur e i përkëdhelur i fatit. Fakti që ai e shpëtoi jetën e vet, ndërsa kaq shumë të tjerë që qenë bashkë me të e humbën përgjithmonë, është një mrekulli e madhe…”. Ndokush mund ta shohë këtë shpjegim të nobelistit si një gjë krejt të largët për Shqipërinë. Porse Canneti shkruante për kohë që nuk kanë mote, për vende që nuk kanë emra, shkruante për gjëra që janë përsëritur e do të përsëriten kudo e kurdoherë. Ne jemi të bindur se ai qe një burrë fort i mençur e pikërisht andaj ka, si gjithnjë të drejtë”. Sundimtarët (sundimtari) tanë nuk e çanë aspak kokën për pirgun e të vrarëve që erdhi nga absurdi i 1997 i shkaktuar prej tyre, as për Gërdecin dhe as për 21 janarin, përkundrazi e ndien veten më të lumtur e më të fortë (“më të mrekulluar” do të thoshte Canetti). Atyre nganjëherë madje u shpëton ndonjë buzëqeshje edhe kur shkojnë për të bërë qokat, tashmë një gjë normale, në shtëpitë e të vrarëve që nga Lezha e deri në Afganistan.

Të frymëzuar nga filma të vjetër apo nga librat me aventura të kohës së fëmijërisë, ne shpesh i imagjinojmë sundimtarët si njerëz të zhytur në vese, të rrethuar nga qindra femra në haremet e tyre idilike, si disa burra të shëndoshë tërë dhjamë që e nisin mëngjesin me gotën e verës në njërën dorë dhe me një kofshë qengji në tjetrën. Në fakt, ka edhe një lloj tjetër sundimtarësh. Këta e kanë pasur sundimin si një ëndërr fëminore, njësoj sikurse ndokush tjetër ëndërronte të bëhej pilot, marinar, mjek… Me kalimin e kohës, sa më shumë që zgjat koha e mbijetesës, sundimi kthehet në një ves më vete, në një kënaqësi pa fund, në një lloj orgazme patologjike e brendshme. Të gjitha kënaqësitë e vogla të jetës: të bësh urinën pas ndonjë gardhi të vjetër, një gotë birrë me shokët e fëmijërisë, hijeshia e një femre të panjohur, të gjitha këto janë të urryera për llojin më të ri të sundimtarëve. Kënaqësia e vetme e tyre është mbijetesa mbi karrigen e pushtetit, andej nga dukemi fare pak ne të tjerët.

Kjo kënaqësia e fundit e të pasurit të pushtetit në një dorë të vetme, mund të shndërrohet në një paranojë fare kollaj. Pak nga pak, sundimtari mendon se brenda tij gjallon një përgjegjësi prej Perëndie, një lloj e drejte për të vendosur fatin e të tjerëve. Deri më tani të drejtën mbi gjallesat në tokë e ka vetëm perëndia. Vetëm një Zot e di se kur duhet të vijmë në këtë botë, se si e sa duhet të jetojmë e se kur do të na duhet të shkojmë në jetën tjetër. Sundimtari mendon se një pjesë të kësaj detyre Perëndia vetë ia ka deleguar atij. Mbase jo direkt jetën e vdekjen, por të paktën ai mendon, dhe shumë herë ai arrin që të vendosë nëse ti je dikushi apo askushi, nëse fëmijët e tu do të rriten normalisht apo në breg të ndonjë lumi duke rrëmuar ndër plehra. Mbase në kohët tona moderne nuk është më mekanizmi i shpatës, i heshtës, i kokëprerjes, porse është ende në fuqi mekanizmi djallëzor i vendit të punës.

Sundimtarit i pëlqen të jetë i rrethuar nga njerëz te të cilët ka besim, por në rastin më të parë të dyshimit, atij i shkojnë ndërmend ato që ka hequr gjatë mbijetesës së tij të gjatë dhe atëherë bëhet agresiv. Nuk ka fare rëndësi nëse objektivat e zemërimit të tij kanë dalë hapur kundër tij. Rëndësi ka që atyre mund t’u ketë shkuar ndonjëherë ndër mend kjo gjë.

Ka ardhur koha që lajmet në TV t’i shohim me një sy tjetër. Do ta keni fare kollaj. Nëse ata që kemi mbi krye do t’ju duken si shtetarë e jo si sundimtarë, atëherë jemi në rregull, nuk kemi përse të shqetësohemi, por ama nëse shumë qëndrime, shikime, fjalë, të shara, kërcënime do t’ju duken si prej sundimtari, atëherë jemi vërtet në telashe. Nëse do t’ju duket kështu atëherë do të na duhet ta lexojmë më shumë libra të ngjashëm me atë të Canett-it, porse nuk është e thënë që vetëm kjo të mjaftojë të bëhemi një popull pa sundimtarë.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel