Të duash njeriun dhe të qeshësh me të

24/03/2012 00:00

Josif Papagjoni – E qeshura është gjithnjë e shëndoshë, por kur ajo shoqërohet me
mendjemprehtësinë, shpotinë dhe vetëtalljen e tejkalon vetveten dhe
realizon një katarsis kapilar ku buis filozofia.

Gjatë gjithë kohës që ndiqja shfaqjen “Doktor Shuster” nga Studio e Teatrit po në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar, qeshja nën zë me personazhet, me fjalët e zgjuara, me kundërshtitë e shumta jo vetëm sintaksore, por edhe të mendimit që buronte syresh. Qeshja me njeriun dhe pozitën e tij të mbrame kur jeta nis e shuhet dhe kujtesat kthehen në njëmendësi, vegime, fantoma. Qeshja me të papriturat dhe absurdin e jetës. Qeshja, madje, me veten time ose, më saktë, me “vetjen e dytë”, ashtu si doktor Shusteri plak teksa i fanitej vetja kur ishte i ri. Qeshja me atë që shpesh e qasim tinëz, që e nxjerrim nga njëri “xhep” i arsyetimit për ta futur në “xhepin” tjetër, ndërsa mendjen na e pushton ankthi, përsiatja e thellë, pendesa, halucinacioni, frika, rreziku nga e panjohura, dialogu brenda qenies, situata e zgripit ekzistencial, nevoja për komunikim me dikë, diku, dikur, askurrë… Një tekst brilant ky i dramaturgut dhe regjisorit serb Dushan Kovaçeviç.

Në rrekjen për të thënë diçka serioze për këtë shfaqje të këndshme, dua të sjell në ndihmë dy-tri mendime të këmbyera shpejt e shpejt kur mbaroi shfaqja me tre njerëz të mençur, të mirënjohur dhe sqimatarë të artit. U gjenda i ulur në mes: djathtas kisha kinoregjisorin e famshëm e mendjehollë Dhimitër Anagnostin, majtas kisha njeriun e shpenguar, guximtar dhe adhurues të teatrit, Maksi Velon. Anagnosti më tha: “Çfarë na thotë, cili është subjekti? Nuk rrëfehet, sesa përcillet një situatë. Ka mprehtësi. Kjo është e veçanta”. Pikërisht, vepra nuk gjakon, as lakmon vargëzimin e disa ngjarjeve, peripecive e të papriturave që krijojnë suspansën dramatike, ankth. Diçka ndodh sigurisht, por kjo, nga pikëpamja e modelit dramaturgjik, e strukturës, është dytësore, thuajse periferike. Pulsi rreh tjetërkund. Rreh fort, së paku, në dy arterie të morfologjisë estetike të mendimit të shfaqjes, pra të autorit dhe bri tij të regjisorit dhe aktorëve: a) fataliteti i jetës dhe njeriut, braktisja e tij, vetëkonsumimi, shastisja dhe pleqëria e trishtë, mëshira që lipset të kemi për të b) krimi shtetëror dhe mafia si dy koka të një përbindëshi, të cilin mund ta quash para, fitim, pushtet, ose të tria së bashku: pra polici dhe vrasësi si dy vëllezër jo thjesht biologjikë (siç janë në komedi), por po aq edhe metaforik. Të dyja këto hulli u ngjizën në mënyrë harmonike në trajtimin regjisorial të Spiro Dunit dhe në lojën e aktorëve.

“Kur ka një traditë, më tha Maksi Velo, herë pas herë del diçka e bukur, Vazhdimësia s’mund të zhduket. Teatri Kombëtar ka përvojë dhe përvoja bëhet kusht për të mbërritur në shfaqje të veçanta si kjo”. Nuk mund t’i shtoja gjë këtij mendimi dhe fill e përktheva atë jo vetëm me veprën e përzgjedhur nga regjia, ideja e së cilës konvergonte paqësisht me të dhe të dyja së toku ishin kaq pranë jetës sonë sot, këtu në Shqipërinë e mbushur përplot me të shastisur, të braktisur e kronika të zeza vrasjesh gjithandej, por sidomos edhe me aktrimin që ishte si ai strumbullari ku vërtiten kujat e lëmit. Dhe këtu do desha të qëndroja enkas te Robert Ndrenika, i rikthyer në skenë pas një kohe hallesh e lëndimesh, me rolin e doktor Shusterit dhe tek Artan Imami në rolin e policit. Pamë një vërtetësi si gjithnjë në lojën e Bertit, një brendësim emocional e përjetim në vlera sipërane si gjithnjë, një marrëdhënie aq organike me partnerin si gjithnjë, një vëmendje aktoriale dhe një sinqeritet veprimi si gjithnjë. Një aktor vërtet i rrallë që me aq hir e finesë e gërsheton trishtimin me qesharaken, dashurinë, keqardhjen dhe mallëngjimin për pozitën e personazhit që luan me zbulimin e komikes, e asaj që na argëton, e asaj që na bën të mendojmë, gjer te grotesku, tanimë si aktor dhe interpretues, si qëmtues i fshehtësive njerëzore dhe artikulues i asaj që është kryesore e duhet thënë me patjetër. Projektimi i doktor Shusterit nga Ndrenika është bash si projektimi sa shpotitës aq dhe mirakandës i pleqërisë që na pret. Ai solli skicën mallëngjyese të një jete prej dështaku, thënë më drejt të zhgënjimit njerëzor kur shpresa humb, trupi bjerret, ëndrra mbaron; kur shastisja a skleroza vjen e ta rrafshon logjikën, perceptimin, të shkatërron kujtesën dhe ta mpak inteligjencën. Dhe krejt çka ke bërë në jetë, edhe më e bukura gjë, dashuria, kthehet në kotësi, në dëshpërim. Veç ndoca pikëlime yjesh të vegjëlisë, edhe ato të kthyera kokëposhtë, diku hedhin ende dritë mëshire, dashurie dhe përkushtimi në shpirtin e tij dhe shpirtin tonë, sikundër është marrëdhënia me të motrën dhe vajzën.

Artan Imami krijoi një figurë që do ta çmoja, mbase, nga më tërheqëset dhe më të realizuarat në karrierën e tij. Sikur gjithçka ishte ujdisur: vetësiguria, ironia, logjika, pedantizmi, arroganca. Nuk ishte fytyra e përçudshme, e vrazhdët, e drejtpërdrejtë, menjëherë e dukshme e policit të korruptuar e kriminel. Përkundrazi, ai na dha policin-filozof (!), policin e ditur e të kulturuar, vëllain që kujdeset për vëllanë hajdut e vrasës, atë që do të krijojë familje e të ketë pesë fëmijë, dy për t’u vrarë e tre për të jetuar (!), atë që njeh çdo skutë krimi e prej çdo skute qit fitimin e vet, policin që kënaqet nga retorika dhe arsyeja cinike, si për të vrarë të tjerët me mendje të ftohtë, ashtu edhe për të shfrytëzuar fatkeqët, naivët si Shusteri, duke kamufluar krimet apo vjedhjet (shtëpinë e këtij e ka kthyer në klinikë për të kuruar banditët e vet). Aktori, pra, ka luajtur bukur dhe me finesë me dyplanësinë e personazhit, me formën e ndritshme, luksoze, të paqme dhe të arsyeshme, nga njëra anë dhe me brendinë e frikshme, kriminale, agresive dhe të pamëshirshme si vrasës e polic i korruptuar, nga ana tjetër. Qe një dikotomi karakteriale a simbiozë bukur mirë e harmonizuar. Humori rrjedh vetiu nga qasja vetëdemaskuese.

Thashë se aktrimi shënonte vlerë që lipset përgëzuar. Fola më gjatë për Ndrenikën dhe Imamin, sepse ishin më tërësorë, të vetëmjaftueshëm dhe mbresëlënës për publikun, por, ndërkaq, më la një shije mjaft të mirë Fatmir Sina, në rolin e kriminelit-belbac (sepse ia kishin prerë gjuhën banditë të tjerë), Ogert Islami me zërin e bukur prej baritoni dhe burleskun ndonjëherë të tepruar që, në fakt, e denatyronte natyrën tejet organike të dialogut me të tjerët (ndoshta faji i tekstit dhe i regjisë), mëpastaj Flaura Kureta që e gjallëroi sallën me halucinimet e rolit të saj dhe atë zhdërvjelltësi që ajo e ka të vetën, Olta Gixhari me shkathtësinë por që mund të luante më me zgjuarsi me funksionin e dyfishtë e dhelparak si gazetare e kronikës së zezë e përfshirë ose jo në krim?!

Fola pak më sipër për dy opinionet e vjela shpejt e shpejt nga Anagnosti dhe Velo. Teksa lija teatrin, përkthyesi i pjesës, aktori i shquar, Timo Flloko, përcaktoi për Dushan Kovaçeviçin si dramaturg: “Ka një humor inteligjent, fantastik, batuta të bukura…”. Është më se e vërtetë. Ne e duartrokitëm gjatë këtë shfaqje. E qeshura jonë s’ishte si brufullimat dhe haharitë e shkaktuara nga farsat apo ekzagjerimet. Ajo ishte një e qeshur thuajse për vetveten, e shoqëruar me velin e trishtimit dhe mëshirës për “hedhurinat” njerëzore, me shumë ironi për krimin; një e qeshur që na merr për dore e na thotë: Njerëz, duajini të tjerët edhe në fatkeqësi, edhe në pleqëri, edhe në vetmi. Madje-madje… edhe në krim…?!… (siç duheshin, për dreq, edhe dy vëllezërit, polici-mafioz me të vëllanë hajdut e vrasës – ky paradoks i përjetshëm ku dashuria dhe dhembshuria mbin edhe mbi pleh dhe ushqehet po nga plehu!). Nuk ka nevojë ta shpjegoj unë se “dora” që e çoi gjithçka drejt suksesit ishte ajo e regjisorit këmbëngulës Spiro Duni, që humorin e ka aq shumë për zemër, veçse një humor fin, ama!…

Gazeta “Shqip”

Top Channel