E kemi tepruar kur kemi folur për regjimin e Orbanit? Asnjë çik

23/03/2012 00:00

Mustafa Nano – Vizita e Kryeministrit tonë në Hungari, ku u ftua dhe u prit nga
homologu i tij, Victor Orban, ndolli natyrshëm vëmendjen e mediave të
Tiranës, sidomos të atyre që janë kritike me pushtetin, të cilat e
përshkruan ngjarjen si një takim diktatorësh.

U përcoll mesazhi pra, se Kryeministri hungarez, Victor Orban, po ndërton një regjim që s’ka lidhje me demokracinë e me praktikat ‘rule of law’, dhe se ai është macja e zezë e Europës. Tek-tuk këto kritika janë parë si teprime, që kanë synuar të shfryjnë disi faktin që Orbani e priti me pompë të madhe Berishën. Tani, që Orbani i bëri një pritje të mirë Berishës, kjo s’mund të mohohet (e në fakt, s’e ka mohuar askush); por duhet thënë se në komentet mbi Orbanin nuk kanë pasur asnjë teprim. Madje, duhet thënë e kundërta. Shtypi ynë nuk u fokusua ashtu si duhet në fenomenin ‘Orban’, që – ata që janë të informuar e dinë mirë këtë gjë – është shumë më problematik sesa mendohet në Shqipëri.

Victor Orban fitoi zgjedhjet parlamentare në vitin 2010. Në maj, Orbani u votëbesua si Kryeministër nga mbi 260 deputetë të vetët në një Parlament me 386 vende. Siç shihet, bëhej fjalë për një mazhorancë, që e lejonte atë deri dhe të ndryshonte Kushtetutën. Dhe ai bëri pikërisht këtë gjë. Hungaria ka tanimë një Kushtetutë të re të stilit orban-ian (është miratuar vjet në prill, dhe ka hyrë në fuqi qysh në janar të këtij viti). Është një Kushtetutë, ku bien në sy nënvizime autoritariste e nacionaliste. Hungaria përkufizohet në ligjin e ri themeltar të shtetit, jo më si Republika e Hungarisë, por thjesht si Hungaria, dhe ky përcaktim, tok me përcaktimin se krishterimi është vlerë konstituive e kombit hungarez e me përcaktime të tjera të këtij lloji, krijojnë bazat për një diskriminim të pakicave të tjera etnike, që nuk e gjejnë veten të përfshirë te nocioni ‘Hungari’.  Në fillim mund të flitej për një diskriminim në teori, por tanimë është fjala për një diskriminim në praktikë. Viktimat më të para e më të kollajta janë romët, të cilët kapin shifrën e 700 mijë vetëve në Hungari. Nuk ka ditë që ata të mos dhunohen nga banda të një partie ultra të djathtë, Jobbik. Kjo e fundit është në opozitë sot, por Fidesz, d.m.th partia në pushtet nuk bën asgjë për shkurajuar banda të tilla; madje, sipas një shkrimi të gazetës italiane “La Repubblica”, bën çmos t’i bëjë të vetat teoritë e frymëzimet doktrinore të kësaj partie ksenofobe. Në këto rrethana po ndodh që në shkolla të ketë një veçim e izolim të romëve. Ndërsa policia, sa herë këta të fundit kanë nevojë, ose nuk shkon, ose shkon për të bërë sehir.

Problemet nuk mbarojnë me Kushtetutën. Me të, fillojnë. Madje, tendencat e praktikat e kontrollit të mass-media-s nga ana e pushtetit kanë filluar shumë më përpara se të hartohej e miratohej Kushtetuta e re. Një nga aksionet e para në fushën legjislative të Victor Orban-it ka qenë miratimi i një pakete mbi mass-media-n. Ai ka krijuar – kjo duket e papërfytyrueshme, por është e vërtetë – një autoritet nacional të kontrollit të informacionit, të cilit (autoritetit) i njeh të drejtën për të penguar informacionin që gjykohet se është në dhunim të ca rregullave të caktuara, e për të sanksionuar gazetarët që e bëjnë këtë informacion. Agjencitë publike të informacionit, dhe mediat e këtij lloji (si televizioni publik) janë spastruar nga gazetarët mistrecë, dhe janë në dorë të gazetarëve që mbështesin regjimin. Janë pushuar nga puna një mijë gazetarë.

Në Budapest verifikohen pothuaj të njëjtat probleme që kemi në Tiranë, veçse në një formë jo kaq brutale (fjala vjen, as mund ta mendojë njeri që në qendër të Budapestit të qëllohet me armë mbi opozitën). Orbani ka nisur qysh në krye të herës një sulm mbi të gjitha institucionet publike e shtetërore, e mbi pushtetet e tjera. Këshilli i Europës dënoi me një deklaratë më 19 mars faktin që qeveria hungareze ka krijuar një agjenci a strukturë të vetën, e cila ka për detyrë të kontrollojë sistemin e drejtësisë, dhe në krye të kësaj strukture është një grua, mikeshë e familjes së Kryeministrit. Përveç kësaj, për të bërë dalje ca gjyqtarë ‘jashtë kontrollit’ e për të marrë nën komandë ca gjykata të rëndësishme, mazhoranca ka miratuar një ligj, me anë të të cilit detyrohen të dalin në pension gjyqtarët që janë mbi 62 vjeç.

Sa për në Parlament, atje Orban-i bën ç’të dojë, pasi ka dhe 2/3 e votave. Nëse ka një projektligj, që i duhet shpejt e shpejt i miratuar, ai e injoron axhendën parlamentare, dhe e fut me procedurë të përshpejtuar. Dhe është Parlamenti që e ka ndihmuar për të vënë në jetë të gjithë projektin e vet autoritarist. Aty janë miratuar shkurtimet nga puna të opozitarëve, gjë që është maskuar pas ligjesh e projektligjesh, ndërtimi i një administrate publike të mbushur me militantë partie, e deri te miratimi i Kushtetutës së re.

E bukura është se armiku më i madh i Orban-it në këtë paudhësi nuk është BE-ja, që ka reaguar në mënyrë të ndrojtur, por ekonomia e vendit, që po heq prej krizës, prej borxhit publik e prej default-it. BE-ja dhe FMN-ja kanë bërë gati një fond prej 15-20 miliardë eurosh për qeverinë e Orban-it, dhe të dyja këto organizata janë nën presion që këtë kredi ta lidhin me kushte të caktuara. Mirëpo, Orban-i nuk po lëshon pe (“Nuk jemi koloni; ligjet tona do t’i bëjmë vetë”, vijon të thotë ai), dhe në këto rrethana të gjithë janë në pritje të qëndrimeve të BE-së. Një pjesë po i kërkojnë dhe Merkelit në veçanti, dhe partive konservatore në Parlamentin europian në përgjithësi, që të distancohen prej praktikave të Orbanit. Mirëpo, sulmet e kritikat nga brenda kampeve ideologjike nuk janë një praktikë e njohur në politikën europiane. Prandaj, shpresa mbetet te një reagim i BE-së. Që deri tani, e thamë, ka qenë i matur dhe i kujdesshëm.

Gazeta “Shqip”

Top Channel