Sulltan Novruzi, urime për mirësi e paqe

22/03/2012 00:00

Sikurse vëllezërit e tyre në mbarë botën, besimtarët bektashinj në Shqipëri kanë festuar sot ditën e Sulltan Nevruzit.

Në këtë ditë kremtohet ditëlindja e imam Aliut dhe ndryshe njihet nga besimtarët bektashinj si dita e rilindjes së madhe.Në fjalën e mbajtur para selisë së kryegjyshatës botërore, kreu i bektashinjve, kryegjyshi botëror Haxhi Baba Edmond Brahimaj tha se dita e Sulltan Nevruzit është një ditë e re, dita ku të gjitha qeniet e gjalla i falen Zotit dhe njerëzve iu shtohet dashura për Zotin, për paqen dhe për mirësinë.

Dita e Sulltan Novruzit njihet si dita e fisnikërisë bektashiane. Sipas traditës, besimtarët e nisin ditën me urimet  më të mira për mbarësi, mirëqënie dhe paqe.

Në ditën e Sulltan Nevruzit gatimet karakteristike janë byreku me lekë, i cili ndahet në aq pjesë sa anëtarë ka familja. Sipas riteve, Zonja e shtëpisë përpara se të nisë zgjedhjen e pjesëve, lutet për fatet e pjesëtarëve të familjes dhe më pas, secili zgjedh pjesën e vet.

Kreu i shtetit Bamir Topi vizitoi rreth mesditës Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në ditën e Sulltan Novruzit.

“Urimi i parë shkon për besimtarët bektashinj, të cilët e gëzojnë këtë ditë si një ditë e veçantë, e cila ka të bëjë me simbolikën e ringjalljes. Pra kjo ringjallje, kjo ditë e bukur është një ditë shprese dhe besoj se tek çdo njeri ka momente rifreskimi, ringjallje që vjen jo thjesht me natyrën, por edhe me simbolikën e bukur të kësaj dite” ka theksuar në një prononcim për mediat presidenti Topi.Kreu i shtetit u shpreh se kjo është një festë e bukur edhe për demokracinë. “Pra korrespondon në këto dy simbolika dhe është festë besoj e të gjithë shqiptarëve, të cilët e duan lirinë, e duan demokracinë, e duan të ardhmen”, ka shtuar më tej Topi.

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli uroi te gjithe besimtaret bektashij, per kete dite te shenuar. “I uroj festën e Sulltan Novruzit të gjithë besimtarëve. Kjo feston përkon me ditën e demokracisë dhe ne sot kemi rastin për të festuar, reflektuar dhe për t’i thënë cdo shqiptari: “faleminderit për atë cfarë ka bërë gjatë këtyre 20 viteve””, tha kryeparlamentarja Topalli pas vizitës së bërë në kryegjyshatë.

Festen e Sulltan Novruzit, kryetari i Partise Socialiste e uroi ne
seline e kryegjyshates. Në një prononcim për mediat, kryesocialisti Rama
ka uruar të gjithë besimtarët bektashianë për festën e Novruzit duke
shtuar se shpreson se kjo ditë të jetë një ogur i mirë për të gjithë
shqiptarët.
 
“Shumë thjesht dua që t’i uroj të gjithë komunitetit bektashinj më të
mirat dhe me këtë rast siç është zakoni t’i uroj gjithë bashkëqytetarëve
tanë një ditë të bukur, që të jetë ogur i mirë për sot, pasi për të
tjerat jam i sigurtë që do jetë më mirë”, ka theksuar Rama.

 

Top Channel