Pensionet, problem deri në prill

21/03/2012 00:00

Pensionistet do të vazhdojnë të qëndrojnë në radhë deri në muajin prill
dhe nuk do të tërheqin dot pensionet e tyre. Asgjë nuk ka ndryshuar të
mërkurën nga një dite më parë në Tiranë.

Në Postën Shqiptare thone, se Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka derdhur në kohë fondin e pagesave, por sistemi po informatizohet dhe nevojitej të bëhej një grafik i ri shpërndarjeje.

“Në datën 1 prill ky shërbim do të fillojë i informatizuar. Sigurisht do te kete komoditet në ofrimin e këtij shërbimi dhe për këtë kërkohet edhe një grafik i saktë për të balancuar datat e shpërndarjes së pensioneve me qëllim eliminimin e radheve dhe të konfuzionit, ku çdo pensionist do të ketë datën e tij të përcaktuar të marrjes së pensionit. Në momentin e paraqitjes së klientit në sportel, do të eliminohen veprimet e bëra deri më tani, por menjëherë do te dale informacioni për pensionin”, thotë Elena Andoni, drejtoreshë e Postës Shqiptare.

Sipas Andonit, tashme pensionistët do të pajisen me një mandat pagese, me masën e tyre e të pensionit. Ndërkohë qe Posta Shqiptare ofron shërbimin e dërgimit të pensionit në shtëpi kundrejt një pagese prej 50 lekë.

Problemi me pensionet, reagon KSHH

Në lidhje me kaosin e krijuar në pikat e shpërndarjes së pensioneve ka reaguar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili në deklaratën e tij thekson se ‘Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe të gjithë subjektet që ai ka kontraktuar për të shpërndarë pensionet duhet të kuptojnë mirë se janë në shërbim të pensionistëve, të cilët kanë të drejtë të tërheqin rregullisht dhe periodikisht cdo muaj pensionet e tyre’.

“Mënyra se si sillemi dhe trajtojmë pensionistët dhe moshën e tretë në përgjithësi,- thuhet në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, – është një nga treguesit të nivelit të zhvillimit, kulturor, human dhe demokratik të shoqërisë sonë”.

Top Channel