Orban-Berisha, një internacionale autokratësh?

21/03/2012 00:00

Andrea Stefani – Ngaqë u bë mjaft kohë që po ha vetëm kritika nga BE-ja dhe komuniteti
ndërkombëtar, koka e qeverisë së “integrimit” Sali Berisha, vajti në
Hungari për të kuruar imazhin e tij të korruptuar, me anë të lëvdatave
të lëshuara nga homologu i tij hungarez, Orban.

Shfaqja nuk është e paparë. Shqiptarëve ajo i kujton solidaritetin e dikurshëm të diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, me homologë të tij më të mëdhenj fillimisht në Jugosllavi, më pas në Rusi e më në fund në Kinë. Edhe në atë kohë, diktatorët mburrnin njëri-tjetrin për fuqizimin e demokracisë proletare nëpërmjet diktaturës me të njëjtin mbiemër. Sot është radha e autokratëve si Orban dhe Berisha që, ndërsa flasin për demokraci, i bëjnë varrin demokracisë. Ndaj takimi dhe solidariteti i tyre nuk mund të mos të jetë thuajse simetrik me atë të parë mes Kastros dhe Çavezit, një solidaritet që edhe në këtë rast nuk mund të mos jetë sinjal shantazhi për Perëndimin. Mungon vetëm thirrja: Autokratë të të gjithë vendeve bashkohuni!

* * *

Dhe Berishën e ka çuar në Budapest pikërisht fakti që nuk po e duron më monitorimin nga Perëndimi. Sepse është Perëndimi që nuk po e toleron që të realizojë projektin e tij të sundimit të Shqipërisë, po e pengon të skllavërojë totalisht gjyqësorin, të mposhttë mediat e pavarura, ta kthejë shtetin në një vegël të qeverisë. Prandaj edhe në konferencën për shtyp përkrah Kryeministrit hungarez foli edhe për fillesat e “një bote post-perëndimore”. E tha duke ruajtur në fytyrë atë buzëqeshje tinëzare që i shfaqet sa herë thotë gjëra me dy kuptime. Por, Berisha nuk mund të fshihet dot pas ferrës së “globalizimit”. Deklarimi i tij për një botë “post-perëndimore” është rivelacion i aspiratës së tij për t’u distancuar nga një qytetërim, normat dhe vlerat e të cilit, parimet e ndarjes, kufizimit dhe balancimit të pushteteve apo ai i barazisë para ligjit, e pengojnë të sundojë apo mbretërojë pa asnjë kufizim. Ky frustracion me Perëndimin e ka hedhur Berishën në krahët e Kryeministrit hungarez Orban, të këtij autokrati që është vënë sot në ciklonin e kritikës së Bashkimit Europian për ndërmarrjen e reformave që kanë vënë në rrezik pavarësinë e gjykatave dhe të medias në Hungari. Dhe duke sfiduar hapur kritikat e BE-së për Orban, Kryeministri shqiptar u shfaq solidar me “reformat e shkëlqyera dhe shumë të guximshme të Kryeministrit Orban”. Nuk ka asnjë dyshim që Berisha ka qenë tërësisht i sinqertë në deklarimin e tij. Reformat autokratike të Kryeministrit Orban i duken atij vërtet të shkëlqyera. Berisha e shikon si idhull këtë hungarez që, edhe pse i kundërshtuar nga BE, ka guxuar të vazhdojë me kokëfortësi në rrugën e “reformave”. Berisha është i zemëruar me Europën dhe SHBA që po e pengojnë t’i finalizojë ambiciet e tij autokratike dhe tek Orban shikon një shembull dhe një sugjerim: mos ndoshta mund edhe ai të ecë kundër vullnetit të Europës dhe SHBA me guxim? Një konflikt që nuk mund, herët a vonë, të shmanget mes të gjithë autokratëve dhe Perëndimit. Ky i fundit e ka bërë të qartë, edhe nëpërmjet zërash si ai i Presidentit Obama, se autokratët janë në anën e gabuar të historisë. Autokrati Berisha e ndjen rrezikun që i vjen nga Perëndimi. Prandaj nxiton të deklarojë fillimin e një bote post-perëndimore.

* * *

Apologjia e Kryeministrit Orban për homologun e tij shqiptar është jo vetëm e mjerueshme, por shpalos mendësinë e mykur dhe aspak perëndimore të Kryeministrit hungarez. Por ndërsa u përpoq t’i thurë lavde kultit të Berishës, Kryeministri Orban evidentoi pa dashur disa anë të errëta të mikut shqiptar. “Ka shumë pak vetë që ngjajnë me mikun tonë këtu sot”, – deklaroi Orban. Është më se e vërtetë. Nuk mund të gjesh kund në rajon një tjetër lider, veç Berishës, që të ketë nisur karrierën në nisje të viteve ‘90 dhe të jetë ende aktiv në politikë. Dukuri më thellësisht autokratike dhe kundër rotacionit, që natyrshëm shoqëron një demokraci të shëndetshme, nuk mund të gjendet. Për autokratin Orban, janë njerëzit si ai që formësojnë të sotmen dhe të ardhmen dhe jo institucionet impersonale. Prandaj Berisha, sipas optikës së tij autokratike është: “Një person që ka një rol shumë të madh dhe shumë pozitiv, që nga fillimi i historisë moderne shqiptare dhe historinë moderne shqiptare, pa zotin Berisha nuk do ishte e mundur as ta imagjinonim”. Edhe këtu ka shumë të vërteta. Në sajë të kultit të tij të stërmadh dhe praktikave autokratike të sundimit, Berisha ka pasur rol shumë të madh në zhvillimet të këtyre 20 vjetëve në Shqipëri. Një rol absolut që autokratëve të tipit Orban i duket “pozitiv”, ndërsa çdo qytetari, vërtet të lirë, i dëmshëm dhe i shëmtuar. Në sajë të rolit shumë të madh të zotit Berisha, Shqipëria vazhdon të mbetet vendi më i varfër i kontinentit dhe rajonit, me një mjedis në degradim. Në sajë të intrigave dhe etjes së sëmurë për pushtet të Berishës, Shqipëria është e mbërthyer nga një konflikt politik që po e mban jashtë BE-së. Në sajë të autokratizmit të Berishës, drejtësia është e gjymtuar dhe prokuroria e shantazhuar. Etja për pushtet e Berishës vrau, gedafçe, demonstrues të opozitës në Tiranë. Etja për fitime e klanit politik të Berishë vrau 26 njerëz në Gërdec. Orban ka të drejtë. Pa Berishën, historia moderne e Shqipërisë do të ishte krejt ndryshe. Pa Berishën sot, 20 vjet nga rënia e komunizmit, Shqipëria sigurisht që do të ishte anëtare e BE-së. Edhe Orban, ky sivëllam i autokratit shqiptar, ka akuzuar komunitetin europian për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Sipas Orban Kryeministri shqiptar “ka punuar vite të tëra pikërisht për të ndërtuar këtë demokraci kaq të mirë…ka arritur të ndërtojë një demokraci me standarde europiane”. Nëse është vërtet siç deklaron Orban, si është e mundur që Shqipëria e humbi përsëri statusin e kandidatit të BE-së? Orban nuk ka përgjigje për këtë pyetje, por vazhdon me këngën e vjetër që “çështjet e politikës së brendshme i takojnë vetëm një shteti”. Ky është statusi që Orban ëndërron për vete, për Berishën dhe kolegët e tij autokratë. Që askush të mos ndërhyjë kur ata ndërmarrin reforma që vrasin lirinë e demokracinë. Kjo është kënga e vjetër e të gjithë diktatorëve dhe autokratëve. Edhe Çavezi, edhe Ahmadinexhadi ankohen për ndërhyrje të Perëndimit. Edhe Bashar al-Asad që po mbyt në gjak sirianët ankohet për ndërhyrje të padrejtë të Perëndimit. Edhe Gedafi, Mubaraku, Enver Hoxha, ankoheshin për provokacione e ndërhyrje të Perëndimit. Këtë këngë këndonte edhe diktatori serb, Milosheviç. Dhe kosovarët do të ishin ende nën zgjedhën e diktaturës serbe, nëse Perëndimi nuk do kish ndërhyrë në punët e brendshme të Milosheviçit. Të gjithë diktatorët dhe autokratët e urrejnë t’i ndërhysh në punën e tyre për të shtypur, deri dhe për të vrarë, njerëzit në emër të “demokracisë”. Prandaj lakmojnë dhe bashkohen për një botë pa Perëndimin, për një botë “post-perëndimore”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel