Zgjerohet harta e incidenteve ndërentike në Maqedoni. Pas Shkupit, Tetovës dhe Gostivarit, të martën në mbrëmje edhe në Kumanovë janë regjistruar dy incidente.
Në të parin e kanë pësuar dy nxënëse të shkollës së mesme të cilat ndërsa po ktheheshin në fshatin e tyre Nikushtak, autobusi me të cilin po udhëtonin është qëlluar me gurë në fashtin Lubodrag që është i banuar me shumicë maqedonase dhe serbe.
Sipas shoferit, tre persona të panjohur kanë sulmuar me gurë autobusin, ku nga thyerja e xhamave janë lënduar dy nxënëset. Vazjat shqiptare janë shtruar menjëherë në spitalin e Kumanovës dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
“Unë isha në karrike kur gjuajtën me gurë, unë e humba vetëdijen, vetëm kur e pash veten në spital, nuk e di kush na solli këtu. Nuk e di, e humba vetëdijen”, thotë një prej tyre.
“Pranuam disa nxënës, ata janë në trajtim tek ne. Tek disa prej tyre u panë shenja dëmtimi në pjesën e fytyrës, ndërsa tek të tjerët ka një gjendje stresi post-traumatik. Ata do të qëndrojnë tek ne nën vëzhgim dhe më pas do të vendosim se çfarë trajtimi do t’u bëjmë”, ka deklaruar Arif Latifi, drejtori i Spitalit të Kumanovës.
Në incidentin e dytë që është shënuar mbrëmjen e njëjtë, është sulmuar me gurë një tren ndërkombëtar udhëtarësh në hekurudhën e Kumanovës, e cila shpie në drejtim të kufirit me Serbinë.
Nga ky sulm janë thyer tre xhama të trenit, ndërsa nuk ka pasur udhëtarë të lënduar. Burime nga Sektori i Punëve të Brendshme në Kumanovë bëjnë të ditur se policia ende nuk ka arritur t’i identifikojë personat që kanë kryer këto sulme.
Top Channel