Dorian Koçi – Një nga romanet më të famshëm të letërsisë botërore të shekullit XIX,
është romani “Etër dhe bij” (1862) i shkrimtarit rus Ivan Turgeniev
(1818-1883).

Romani është bërë i famshëm jo vetëm si përfaqësues i denjë i një letërsie të re që po lindte ndjenja të larta estetike dhe shpirtërore, siç ishte letërsia e re ruse, por dhe sepse në të përshkruhen si ngjarje kryesore kontradiktat midis brezave. Personazhi kryesor i romanit, Bazarovi, një i ri fisnik rus i përket rrymës filozofike të nihilizmit dhe për rrjedhojë ai përçmon dhe nënvlerëson idetë e vjetra të prindërve të tij. Ajo çka ndodh në fakt në roman nuk ishte një fenomen i ri që i përkiste vetëm shoqërisë ruse të kohës, por ashtu siç e theksojnë shumë antropologjistë dhe sociologë modernë ishte një pasqyrim i idesë se revolta e parë e njeriut është ajo ndaj autoritarizmit të prindërve të vet.

Jehona të këtij konflikti mund të gjenden gjithandej në letërsitë botërore dhe në fusha të tjera të jetës ku sigurisht dhe shoqëria shqiptare nuk bën përjashtim. Madje në Shqipëri, për shkak të vështirësisë së ndërrimit të elitave, ky fenomen vazhdon të jetë i pranishëm dhe i dukshëm në të gjithë ligjërimet publike jo vetëm të politikanëve, por dhe personaliteteve të ndryshëm publikë në fusha të tjera si arti dhe shkenca. Veçse në Shqipëri ky debat i përjetshëm ka një veçori të ndryshme nga vendet e tjera. Në kundërshtim me çka me të vërtetë e kërkon logjika e ngjarjeve ku brezi i ri duhet të jetë kritikuesi dhe të ketë marrë revanshin ndaj brezit të vjetër, në fakt ndodh e kundërta. Sot në Shqipëri pas 20 vjetëve të rrëzimit të regjimit komunist vazhdon të jetë në pozicione kryesorë të drejtimit të shtetit elita e krijuar gjatë këtij regjimi. Po kështu vlerat shpirtërore dhe artistike vazhdojnë të dominohen nga personalitete të cilët sërish u formuan në atë regjim dhe që hierarkinë e vlerave e fillojnë sërish nga vetja.

Parë në këtë kontekst, intervista e fundit që dha ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, e ilustron më së miri këtë dukuri. Pyetjes se nëse Partia Socialiste do t’i hapte dyert për t’u kthyer si “djali plëngprishës” Fatos Nano, iu përgjigj me arrogancë se “Unë jam babai i tyre”. Përtej shijimit të batutës për të cilat është shumë i njohur ish-kryetari i Partisë Socialiste, në deklaratën e tij ka një reflektim të vetëkënaqësisë dhe vetëvlerësimit, i cili është problematik në një shoqëri demokratike. Sot kur lexojmë për historinë e themelimit të SHBA, gjejmë referenca për George Washington, Benjamin Fraklin, John Adams, Thomas Jefferson, John Jay, James Madison, dhe Alexander Hamilton që konsiderohen si etërit e mëdhenj të themelimit të demokracisë amerikane, një vlerësim dhe përcaktim që ata nuk e morën në gjallje, por shumë më vonë nga studiuesit pasardhës që vlerësuan veprimtarinë e tyre të denjë. Po kështu të njëjtin vlerësim si Etërit themelues të Bashkimit Europian kanë marrë dhe Jean Monne dhe Roberst Schuman për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për unitetin dhe çuarjen përpara të idesë së Europës së bashkuar. Por a mund të vlerësohen me këtë emërtim porsa i përket themelimit të demokracisë shqiptare dhe përfaqësuesit e elitës së viteve ‘90 që realizuan transformimin e sistemit, shumica e të cilëve janë të formuar në korrentet e revolucionit kulturor kinez të viteve ‘70 dhe zbrazëtisë ideologjike që afronte i ashtuquajtura lufta e klasave.

Natyrisht që paralelizmi nuk mund të qëndrojë nëse i hidhet një shikim të shpejtë veprës së këtyre “etërve” të demokracisë shqiptare dhe arrin të perceptosh se në të nuk mund të ketë shumë gjëra për t’u krenuar. Shqipëria përjetoi tranzicionin më të gjatë politik dhe më të dhimbshëm se të gjitha vendet e tjera të ish-lindjes, duke u integruar e fundit në NATO dhe duke përfituar e fundit liberalizimin e vizave. Në vitin 1997 vendi, si asnjë vend tjetër i ish-lindjes komuniste shkoi në prag të luftës civile dhe mbi 1/3 e popullsisë emigroi gjatë këtyre viteve, eksod pothuajse biblik që me statistika ia kaloi dhe shpërnguljes së popullsisë shqiptare në shekullin XV si rezultat i pushtimit otoman të vendit. Sistemi i vlerave materiale dhe shpirtërore që ndërtuan këta “etër” nuk është një reflektim i shoqërisë së prapambetur shqiptare në krahasim me vendet e tjera lindore, si shpeshherë pretendojnë për t’i shpëtuar përgjegjësisë para historisë, por një vepër drejtpërdrejt e sistemit të klientelës servile ndaj pushtetit, nepotizmit rrënues dhe korrupsionit shkatërrues të tyre. Për më tepër ata kanë vrarë dhe shpresën pasi të rinjtë që kanë promovuar në politikë dhe në fusha të tjera të jetës janë një klonim i drejtpërdrejtë i tyre, duke mos shkaktuar asnjë ndërrim cilësor elitash që rrjedhimisht do të sillte dhe një zhvillim më të hovshëm të vendit, por duke parë se ç’kanë afruar këta të rinj deri tani në politikë mund të vlerësohen kollaj sipas shprehjes shqiptare “bëmë baba të të ngjaj”. Në prag të 100-vjetorit të pavarësisë ka ardhur koha që shqiptarët të fillojnë të përjetojnë rigjallërimin e tyre si komb dhe krahas etërve të pavarësisë shqiptare të fillojnë të krijojnë etërit e vërtetë të zhvillimit, prosperitetit dhe mirëqenies ekonomike, diçka që fatkeqësisht elitat dhe “etërit” e ndryshimeve të viteve ‘90 nuk arritën dot ta krijojnë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel