Mein Kampf dhe kujdestarët e moralit

11/03/2012 00:00

Behar Gjoka – Botimi i librit të Adolf Hitlerit, në gjuhën shqipe, ka krijuar një pështjellim të pazakontë në median shqiptare.

Palët pro dhe kundër, gjithnjë mediatikisht duket sikur po bëhen gati të shpallin luftën e radhës, shyqyr që është një luftë me fjalë në erë. Përveçse kaq bie në sy fakti se ky lajm ka marrë dhenë edhe matanë gardhit të botimeve shqiptare, që bie ndesh me rregullin e botimeve të kohëve të fundit, ku në fakt vetëm sa kemi çuditur veten.

Pështjellimi i shpallur botërisht, në median e shkruar dhe vizive, madje edhe me një krenari boshe, lidhet me faktin se si bazë për të kundërshtuar botimin në gjuhën shqipe të këtij libri, është vënë morali, madje me një lumturi dhe ngazëllim të habitshëm, është pohuar se gjoja shoqëria shqiptare nuk është e përgatitur për ta përthithur atë.

Flasin kështu të gjithë, moralistët, imoralistët dhe amoralistët, pa asnjë mëdyshje në emër të qytetarit shqiptar. Flasin moralistët, kur në shoqërinë ku kemi hyrë, shumëçka përjetohet, pra edhe botimi i librave, vetëm si e ligjshme dhe e paligjshme. Flasin, dhe nuk dinë të prajnë, imoralistët dhe amoralistët, e djeshëm dhe të sotëm, që edhe pse dhanë ndihmesën e tyre për të spiunuar shokët dhe njerëzit, edhe pse shkruan aktpadira, që të pushkatohen poetët, sërish e sërish flasin në emër të moralit.

Të cilit moral, se nuk po e marrim vesh, të moralit të djeshëm apo të sotëm? Kemi kaluar në kalvarin e komunizmit për vite e vite, e me sa duket e ka lënë litarin jashtë, si mentalitet dhe veprim, që librin e çdo fushe ta rrethojmë me lexim të moralshëm ose të pamoralshëm. Ishte komunizmi dhe diktatura që na mësuan se libri edukon, i menduar vetëm se si pjesë e ideologjisë së kohës, e prandaj nuk ka gjasa më, që librin ta lidhim me nevojat jashtë letrare ose jashtëtekstore. Shqiptarët, dihet botërisht, se në lidhje me filozofinë e nazizmit e kanë dhënë përgjigjen e tyre qysh në motet e Luftës së Dytë botërore, kur u rreshtuan me aleatët dhe fitimtarët.

Nga ana tjetër, po ashtu shqiptarët e kanë ende të freskët kujtesën se si rrodhën punët nën diktaturën e komunizmit, që edhe shkrimtarët i ndau në përparimtarë dhe reaksionarë, lëre pastaj se si e qysh i katranosi krahinat dhe njerëzinë, me anë të izolimit, të luftës së klasave që vrau e preu, sa i hëngri palla. Pra, rreziku i pranishëm, gjithnjë dhe vetëm sipas moralistëve, ka dy anë të medaljes, fundin e tmerrshëm të nazifashizmit, por edhe tmerrin pafund të komunizmit. Nëse atyre, që shohin ëndrra me dhe mbi moralin, u duket se po bien kambanat e alarmit, ne nuk kemi imunitet për asnjërin nga rreziqet, gjithnjë nëse do ta shohim vetëm me syzet e moralit. Pra, realisht në këtë debatin e radhës, mbi librin e Hitlerit, kemi një situatë të një përkujdesjeje të pashpallur dhe të panevojshme, të disa opinionistëve të gjithëdijes, që nuk lënë rast pa folur për gjithçka, dhe në shumicën e rasteve, edhe kodra mbas bregut.

Sipas tyre, shoqëria shqiptare është e ngurtë, është e pambrojtshme ndaj së keqes që mundet të sjellë emri i tij. Po kur shkruhet për Stalinin dhe Enverin, pse nuk themi qoftë edhe një fjalë, për rrezikun e pranishëm, se mos na ngjallet fantazma e komunizmit? Pra, në këtë debat flitet në emër të vet, por edhe në emër të të tjerëve, madje pa ua kërkuar kush, në marrëdhënie me njeriun shqiptar të shekullit të njëzetenjë. Në kushtet e hapjes, të lirisë së shprehjes dhe mendimit, të hapësirës së leximit, të moshës së internetit, njeriu shqiptar, individ apo komunitet, nuk ka fort nevojë për kujdestar të moralit, po për njerëz të lirë, nga mendja dhe shpirti, të lirë nga politika e ditës apo e hershme, të lirë dhe të liruar nga marrëdhënie inferiore me dijen, e cila çliron energjitë njerëzore dhe përshpejton procesin e integrimit në shoqërinë e përparuar.

Kujdestarët e morali, pavarësisht dëshirës së mirë apo të mbrapshtë, në shtetin ligjor nuk janë të nevojshëm, sepse veprat dhe veprimtaritë do të duhen parë si të ligjshme apo në shkelje të ligjshmërisë, pra me leje apo pa lejen e botimit, me përkthim të saktë ose të cunguar, dhe jo të lëshohet alarmi sikur qenkërka përmbysur bota, sikur tani e mbrapa, bota do të marrë udhën e qoftëlargut. Botimi i këtij libri, në disa vende europiane dhe botërore, nuk është lejuar, e në disa të tjerë është lejuar, pra në këtë rast kemi një standard të dyfishtë.

Pra, në këtë rast, ne nuk kemi mundësi që të përdorim të dy standardet, njëherazi edhe ta botojmë, edhe të mos e botojmë. Pyetjes së Mustafa Nanos, në revistën “Mapo”, të datës 25 gusht 2011, kur nuk kishte dalë libri. -Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?, unë i kam dhënë këtë përgjigje: – Pa mëdyshje që duhet përkthyer, madje nuk arrij ta kuptojë vonesën e këtyre viteve. Botës nuk i vjen e keqja nga librat, por nga mosdija se çfarë ngjet në këtë rruzullim, që më shumë se sa gjithkund e gjejmë të materializuar nëpër libra.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel