Dhuna e opozitës, vrasjet e qeverisë dhe Arvizu

11/03/2012 00:00

Andrea Stefani – Një intervistë e ambasadorit amerikan në Tiranë dhënë Janusz Bugajskit në “Albanian Screen” ka rikthyer në vëmendjen e opinionit publik çështjen e dhunës së ushtruar nga opozita në demonstratën e 21 Janarit që pati për bilanc vrasjen e 4 demonstruesve dhe plagosjen e jo pak të tjerëve.

Duket se në pikëpamjen e ambasadorit Arvizu rezulton e rëndësishme të nënvizohet, kohë pas kohe, që ajo “demonstratë, në ndryshim nga duzinat e demonstratave të Partisë Socialiste në muajt apo vitet e fundit, ishte planifikuar të ishte e dhunshme; ishte planifikuar që të provokonte një reagim të fortë nga forcat qeveritare dhe, fatkeqësisht ia arriti”. Nuk ka dyshim se nga zhbirilime të tilla, ende të pambështetura në fakte, lidhur mbi rrënjët e një dhune ordinere të një demonstrate të opozitës, mund të kishte përfitime të padrejta vetëm një qeveri që mban mbi vete damkën më të rëndë për një qeveri që e quan veten “demokratike”: vrasjen e protestuesve të pafajshëm. Në thelb ajo që deklaron ambasadori Arvizu nuk mund të mos çojë në këtë silogjizëm: opozita planifikoi një demonstratë të dhunshme që të provokonte qeverinë. Qeveria u provokua dhe vrau demonstruesit. Konkluzioni: opozita është fajtore për vrasjen e demonstruesve. Por kjo nuk është, as më pak dhe as më shumë, ajo që pretendon Kryeministri Berisha. Pra, që demonstruesit “i vrau Edi Rama”. Ndërkohë, intervista ka anashkaluar çuditshëm faktin e vrasjes së demonstruesve dhe akoma më keq, atë të fshehjes së provave nga ekzekutivi, si dhe refuzimi nga gjyqësori i kapur prej tij, për të përdorur në funksion të zbardhjes së të vërtetës, ekspertizën e FBI për masakrën e 21 janarit. Por nëse provat dëshmojnë se opozita dhe Rama janë shkaktarë për vrasjen e demonstruesve, përse është Berisha dhe shërbëtorët e tij që fshijnë provat dhe refuzojnë ekspertizat?

Në intervistën e tij, ambasadori Arvizu formulon mjaft kritika për qeverisjen e sotme dhe korrupsionin që po thellohet për shkak të kësaj qeverisjeje. Por, në të shihet edhe një përpjekje e sforcuar për të baraspeshuar mëkatet e qeverisë me ca mëkate të opozitës. Si ky për “dhunën e planëzuar që të provokonte një reagim të fortë nga ana e forcave të qeverisë”. Një deklaratë që e vë opozitën në një pozitë shumë të vështirë. Prandaj pyetja që duhet shtuar për ambasadorin Arvizu është: Po sa të fortë? Mos vallë aq të fortë sa të përligjte vrasjen e demonstruesve nga ana e qeverisë? Për të gjetur të vërtetën rreth kësaj enigme duhet t’u drejtohemi fakteve: A ishte dhuna e opozitës tej limiteve që rëndom ndeshen në demonstrata apo protesta nëpër shtetet demokratike? Dhe faktet nuk e provojnë një gjë të tillë. Një qeveri demokratike, që nuk e ka në natyrën e saj vrasjen e njerëzve, di të përmbahet edhe përpara një dhune më të gjerë e më masive. Vetëm pak kohë më parë pamë sesi në Athinë, u dogjën një numër i madh ndërtesash nga protestues kundër qeverisë, por nuk pati asnjë të vrarë. Një pyetje tjetër që buron nga e para është: A ishte dhuna e protestuesve opozitarë e tillë sa të përligjë vrasjen e disa protestuesve nga Garda e Republikës? Përsëri faktet nuk e provojnë një gjë të tillë. Të katër demonstruesit janë vrarë shumë larg gardhit të Kryeministrisë duke mos pasur në përdorim as armë, pistoleta apo thika me helm sikundër mashtroi publikun Kryeministri Berisha dhe propaganda e tij. Nëse do të kishte fakte për një ekses dhune të opozitës, të menaxhueshme vetëm me anë të përdorimit të armëve luftarake, Berisha dhe njerëzit e tij nuk do kishin obstruktuar pandreqshëm hetimin e prokurorisë duke penguar arrestimin në kohë të disa drejtuesve të Gardës, nuk do kishin mbledhur gëzhojat nga vendi i krimit, nuk do të kishin fshirë të dhënat e serverave të Kryeministrisë, nuk do kishin dhunuar e shantazhuar institucionin e prokurorisë me qëllime intimidimi. Nëse do të kish pasur qoftë edhe një fakt sado të vogël se opozita kishte planëzuar një dhunë për marrjen me dhunë të Kryeministrisë, pra për një “puç”, sikundër akuzoi dhe vazhdon të akuzojë Berisha, sjellja e qeverisë do kishte qenë krejt tjetër. Por një opsion i tillë është rrëzuar nga faktet, gjë që është pranuar edhe nga vetë ambasadori Arvizu. Pra, nuk ka pasur një “puç” apo një tentativë të tillë. Në të kundërtën të gjitha faktet provojnë se pavarësisht nga dhuna e ushtruar prej demonstruesve, gjë jo e rrallë dhe jo atipike për demokracinë, të patolerueshme dhe tej kufirit që përcakton e drejta e një shteti demokratik, kanë qenë veprimet e kryera nga kampi qeveritar. Të tilla janë përdorimi i armëve të zjarrit me fishekë luftarakë dhe vrasja e protestuesve të pafajshëm. Një krim i tillë është tipik dhe i natyrshëm në regjime diktatoriale dhe autokratike sikundër kemi parë edhe në Tunizi, Egjipt dhe sikundër po vazhdojmë të shohim në Siri. Na duket luks i madh të merremi me faktin nëse e mendoi opozita apo jo ushtrimin e një dhune që gjithsesi, nuk i ka kaluar caqet e një dhune që rëndom, për fat të keq, shfaqet në protesta e demonstrata, dhe të lëmë thuajse në heshtje faktin e përgjakshëm të vrasjes nga qeveria të qytetarëve që Kushtetuta e këtij vendi, ia njeh të drejtën të protestojnë kundër qeverisë. Do të thotë, sipas një thënie të vjetër shqiptare, të kërkojmë qimen në syrin e opozitës në një kohë që refuzojmë të shohim traun në syrin e qeverisë.

Një parti politike opozitare që sulmon me armë institucionet për t’i marrë forcërisht ato, nuk mund të mos jetë edhe më e dhunshme nga pozita pushteti. Nëse tenton t’i marrësh institucionet me dhunë të armatosur nuk do ngurrosh t’i mbrosh ato me dhunë të armatosur. Ajo që po ndodh me PD e provon këtë. Në shtator 1998, PD dhe Sali Berisha ishin inspiruesit e një sulmi të armatosur mbi godinën e Kryeministrisë. U hodhën në veprim deri edhe tanke e bazuka. E megjithatë, asnjë nga sulmuesit nuk u vra. Qeveria socialiste kishte mëkate të shumta, por i mungonte psikologjia e të “drejtës” për të asgjësuar “në mbrojtje të demokracisë” deri edhe me plumba opozitën. Gjë që nuk mund të thuhet për qeverinë e Berishës. Pra, pavarësisht asaj që mund të ketë planëzuar opozita, a duhet të reagonte qeveria sikundër reagoi, a duhet të vriste qytetarë? Tashmë shumë figura të larta të politikës europiane (Sarkozi, Kukan, Svoboda etj.) e kanë cilësuar një zhvillim të tillë të paimagjinueshëm në demokraci. Por me e paimagjinueshme është sesi një qeveri vazhdon të mbijetojë në demokraci edhe pasi ka vrarë jetë të pafajshme duke tradhtuar misionin kryesor për të cilin është votuar dhe paguhet nga qytetarët: mbrojtjen e jetës së çdo qytetari.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel