Djathtas ka ngjarje

10/03/2012 00:00

Skënder Minxhozi – Viti 2005 nuk është i largët. Distanca që na ndan nga ai është pak a
shumë sa dy mandate qeverisjeje. Kush kujton atë verë të nxehtë të
politikës shqiptare, nuk e ka harruar imazhin e karros socialiste, prej
nga iknin një nga një, kush fshehurazi e kush në mes të ditës, aleatë të
majtë e të djathtë.

Këta të dytët madje, duke hedhur në kosh çka kishin sharë e bërtitur kundër Doktorit për një dekadë a më shumë, iu bashkuan qerres së fitimtarit krejt natyrshëm, sikur s’kishte ndodhur asgjë. Ishte vera që ktheu në pushtet PD-në dhe Berishën. Një rikthim i bujshëm, me kartën e fortë të antikorrupsionit në dorë dhe atë të nevojës për ndryshim, të afishuar në çdo cep pallati e rrugice.

Ky marshim gazmor dhe i pandalshëm i asaj kohe sot është i lodhur. Kështu na tha parmbrëmë ambasadori amerikan Arvizu. E djathta në pushtet, e ngjyer me pak të kuqe “alternative” pas vitit 2009, ndien t’i kenë rënë bateritë, t’i jenë shterur idetë dhe t’i jenë mpakur njerëzit. Ajo po nis të vuajë sot të njëjtën sindromë rrjedhjeje nga e cila nuk pati shpëtuar Fatos Nano shtatë vjet më parë.

Dikur ishte LSI-ja, sot është partia e Topit dhe Aleanca Kuq e Zi. Emrat ndryshojnë, fenomeni mbetet. Ashtu siç mbeten edhe goditjet “nën brez”. Si ajo e Berishës dikur, i cili thoshte se skena politike ishte bërë trepolare (bashkë me Metën). Ashtu si Rama sot, i cili thotë se ndarja e PD-së në tresh dëshmon rrënimin e saj.

Dy përfaqësues të lartë të institucioneve, Presidenti i vendit dhe ish-numri dy i drejtësisë, kanë dalë sot me alternativa politike kërcënuese ndaj panelit qeverisës. Duke e vënë atë në një alarm të vërtetë, i cili nxjerr krye aty-këtu ngado në Shqipëri. Berisha shkon në Lezhë dhe eviton tinëzisht Topin, feston me gratë dhe shan diktaturën, flet me fëmijët e shkollave dhe thotë se do të kompensojë pronarët, shkon në Korçë dhe bën thirrje për të marrë nën mbrojtje ata që vuajtën në spitalet psikiatrike të komunizmit. Nuk lë muze, datë përkujtimore apo ngjarje të së shkuarës 45-vjeçare, pa ia bërë një qokë. Natyrisht, duke i hequr pluhurin një fjalori radikal ndaj sistemit totalitar, të cilin e ka harruar rregullisht sa herë që ka qenë i qetë në pushtetin e tij. Në 20 vjet nuk u kompensua prona, nuk u rehabilituan realisht të përndjekurit. Derisa prej tyre i shohim sot rrugëve, duke pritur ndonjë ministër a deputet për ta rrahur publikisht në dyert e Kuvendit. Një skenë tragjikomike që përbën metaforën e dhimbshme të kësaj shtrese, por edhe të një ëndrre që sot nuk është më.

Sali Berisha nuk është më i qetë. Atij i duhet të flasë patjetër “djathtisht”. Pak rëndësi ka se ç’thotë. Sado me vonesë, sado pa efekt dhe sado me hipokrizi. I duhet, sepse e ndien se rrezikun s’e ka më vetëm përballë, aty ku rri fytyrngrysur e majta, por edhe në krah. Aty ku rrinë bashkëpunëtorët e djeshëm dhe armiqtë e sotëm e të nesërm. Një pjesë e PD-së, ajo që ende ka një grimë logjike, po tundohet fort nga siglat e reja që po mbijnë rreth saj. Është ky një fenomen i vjetër, i padëgjuar në dekadën e fundit, kur rreth saj mblidheshin si me magji miq, bashkudhëtarë e deri edhe djem plëngprishës. Që prej kohës kur guxonin të ngrinin zërin mocionistët, selamistët e të tjerë brenda partisë, në PD ka pasur paqe dhe dorë të fortë udhëheqjeje.

Sot kjo parti po ndien peshën e pashmangshme të qeverisjes. Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu vetëm sa e rëndojnë më tepër këtë peshë, duke e çuar rrezikshëm pendulin e forcave, drejt një ekuilibri të ri politik dhe elektoral, që mund të sjellë me shumë gjasë largimin e kësaj mazhorance në zgjedhjet e ardhshme.

E djathta zyrtare ka sot një problem të madh motivacioni për të qëndruar në pushtet, të cilit i mbivendoset edhe një sfidë po aq e madhe lidershipi të brendshëm. Pjesa fundore e karrierës politike të Kryeministrit po përkon rrezikshëm me kurbën rënëse të qeverisjes së djathtë. Topi dhe Spahiu janë ofruar për një alternativë që mund të përpiqet të ndalë sa të mundet kalimin e pushtetit tek e majta. Një sfidë normale e pse jo, edhe fisnike, për një krah politik që nuk dëshiron t’i dorëzohet fatit para kutive të votimit. Nuk dihet sa e lehtë do të jetë për ta kjo ndërmarrje, por një gjë ama dihet me siguri që tani. Djathtas ka ngjarje. Jo më tokë të djegur.

Gazeta “Shqip”

Top Channel