Hitlerët tanë të vegjël

09/03/2012 00:00

Fatos Baxhaku – Diskutimet interesante, që shkaktoi përkthimi i “Mein Kampf” të Hitlerit
në shqip, autorit të këtyre radhëve i kujtuan një histori që ka ngjarë
këtu e afër 30 vjet më parë, në kohën e rinisë së tij të hershme.

Asokohe, vendi ishte ende nën diktaturë. Mbase kjo ngjarje, naiviteti i saj, përshtypjet e thella që ajo la në krejt jetën e mëpastajme, na çuan ndërmend dëshirën për ta ndarë me shumëkënd këtë përvojë naive historike.

Për disa rrethana familjare, fqinjësore, shoqërore, mund të hyja e të dilja fare kollaj, madje shumë i mirëpritur, në një shtëpi të thjeshtë në rrugën “Him Kolli” në Tiranë. Kjo ishte shtëpia e familjes Stafa, vendi i fundit ku kishin banuar e banonin ende familjarët më të afërt të Qemal Stafës, “Heroit të Popullit”, kreut të Rinisë Komuniste i vrarë më 5 maj të 1942.

Familja asokohe ruante me fanatizëm çdo kujtim që kishte mbetur nga Qemali dhe nga i vëllai Veliu, një tjetër intelektual i njohur, i shuar në moshë fare të re. Unë, i etur për të parë e lexuar çdo gjë që shihja në atë shtëpi, që kishte një atmosferë të rrallë, një ditë mbeta fare i befasuar. Aty pashë për herë të parë në italisht “Mein Kampf”-in e Hitlerit. Mbaj mend edhe shtëpinë botuese, “Bompiani” dhe vitin e botimit, XII i epokës fashiste (1934). Libri kishte marrë, njësoj si të gjithë librat e vjetër, një ngjyrë të verdhëllemë dhe mbante një erë të çuditshme. I edukuar me filmat me partizanët gjithnjë të mirë dhe gjermanët përherë dhe kaherë të këqij, m’u krijua befas një gjendje e çuditshme. Menjëherë përballë meje bota nuk ishte më bardhezi. Isha në shtëpinë e heroit më të njohur komunist dhe kisha përballë mustaqet dhe balluket e rrepta të Hitlerit, më të keqit të më të këqijve. Megjithatë, pas hutimit të parë, nisa ta shfletoj librin, në fakt me një lloj neverie fillestare. A nuk ishte ky ai që kishte dhënë urdhër për të vrarë dëshmorët tanë që shihnim ndër filma?! Goditja e dytë ishte kur pashë një shënim me laps ende fort të dukshëm. “Zoti X, Ju lutem shumë këtë libër do të vijë ta marrë Zoti Qemal Stafa. Ashtë nji djalë i ri me gjyslykë. Ju lutem t’ia jepni personalisht n’dorë”. Firmosur nga… Mithat Frashëri! Asokohe megjithëse nuk dija shumë, isha aq i rritur sa të më kujtohej që Mithat Frashëri, alias Lumo Skëndo, kishte qenë një nga shefat e mëdhenj të ballistëve, pra për ne të bashkëpunëtorëve më të afërt të gjermanëve, pra edhe të vetë Hitlerit. “Po ata qënkan njohur, paskan folur më njëri-tjetrin, madje paskan shkëmbyer edhe libra! Dhe çfarë librash se!”, më shkoi sakaq ndërmend. Një nga mitet e ngulitura fort nga shkolla, nga librat, nga filmat, ajo e papajtueshmërisë, e ligësisë pa fund, e urrejtjes së shfrenuar mes dy palëve, m’u shkërmoq brenda pak minutash sa hap e mbyll sytë. Besoj se që atë ditë kam nisur të jem një njeri tjetër. M’u duk sikur për një çast në odën e madhe, që mbante erë librash të vjetër ishim vetëm unë, Hitleri, Qemali dhe Lumo Skëndo. Kjo ndjesi m’u përforcua edhe më tepër kur pashë nënvizimet dhe shënimet e shumta të Qemalit në anë të faqeve. Komunisti i ri idealist, jo vetëm e kishte lexuar, porse e kishte studiuar me rrënjë kreun e armiqve të tij.
Libri

Tani që Hitleri iu shtua personazheve që shohim përditë e përnatë në TV, do të ishte e mira të shkruhen dy fjalë për librin e tij të vetëm.

Ideja e “Mein Kampf” ka lindur në 1924-n, në një burg bavarez. Asokohe, Adolf Hitler së bashku me Rudolf Hesin po vuanin dënimin për një grusht të dështuar shteti. Në 1925-n, doli në dritë vëllimi i parë që titullohej “Eine Abrechnung” (“Një përmbledhje”). Thuhet se në këtë vëllim, Hitleri është ndihmuar nga prifti katolik Bernhard Shtemple, i cili më pas u vra gjatë “Natës së Thikave të Gjata”, kur Hitleri eliminoi rivalët e tij brenda partisë. Një vit më vonë, doli edhe vëllimi i dytë me titull “Die Nationalsozialistischebewegung” (Lëvizja Nazionalsocialiste). Titulli “Mein Kampf” i botimeve të mëvonshme është vënë nga botuesi. Deri në 1933, kur erdhi në pushtet, Hitleri kishte shitur 287 mijë kopje. Në atë kohë, ai kushtonte 12 Reichsmark dhe botohej me të njëjtat përmasa sikurse edhe vetë Bibla. Deri në fund të jetës së tij, Hitleri shiti mbi 10 milionë kopje. Ai blihej kryesisht me detyrim nga institucionet shtetërore naziste, të cilat ia bënin dhuratë çdo nazisti që martohej. Me të ardhurat që mori nga libri, Hitleri bleu kështjellën Berghof në alpet bavareze. Të drejtën e autorësisë së “Mein Kampf”-it e ka deri në 2015 (70 vjet pas vdekjes së autorit) Landi i Bavarisë. Një stërnip i Hitlerit, Peter Raubal, ka hequr dorë vullnetarisht nga kjo e drejtë. Ka refuzuar të fitojë me dhjetëra milionë euro nga libri i të parit të tij, gjakatarit më të çmendur që ka njohur njerëzimi modern.

Libri bazohet mbi disa kapituj: doktrina naziste, lufta kundër bolshevizmës, krijimi i “Lebensaruam”, hapësirës jetike për gjermanët si komb i zgjedhur nga Zoti, aleanca e ardhshme me Anglinë në mënyrë që të mos hapet luftë në dy fronte (ide që Hitleri nuk e zbatoi kurrë), eliminimi i jetës parlamentare dhe krijimi i një “Fuerherstaat” (shteti i drejtuar nga një dorë e vetme). Në libër Hitleri e konsideron veten si “Uebermensch”, një lloj Mbinjeriu i Niçes, i destinuar për të ngjallur lavdinë e humbur të gjermanëve. Vetë nazizmi konsiderohet si një rikthim në krishterimin puritan, vijues i Jezuit, që ishte vazhdimisht në përpjekje me institucionet hebreje.
Të tjerët

Vende të ndryshme kanë mbajtur qëndrim të ndryshëm ndaj këtij libri. Në këto qëndrime kanë ndikuar pa dyshim lidhjet e çdo vendi me Holokaustin, me përvojën e brendshme naziste, me faktorë të tjerë historikë.

Në Izrael dhe në Austri janë rreptësisht të ndaluara si pasja, ashtu edhe ribotimi i librit. Në vendin e tij, në Gjermani, është i ndaluar ribotimi, por jo pasja e tij, me kusht që pronari i librit të mos e përdorë atë për propagandë naziste. Këtu “Mein Kampf” mund të konsultohet në biblioteka apo në internet, por ende nuk është botuar një version i tij analitik, i pajisur me shënime. Në Francë, në 1979, u hap një diskutim i gjatë mbi të, pas një ribotimi. Më në fund Gjykata e Lartë franceze vendosi që libri mund të botohej, me kusht që të kishte një parathënie kritike, jo më të shkurtër se tetë faqe. Në Holandë, vetëm në 2009-n, u cilësua si i ligjshëm një ribotim i tij i mundshëm me sens kritik. Në Itali dhe në të gjitha vendet arabe, libri mund të botohet dhe të qarkullojë lirshëm. Në Turqi, një version i tij i ribotuar në 2005-n, u shndërrua menjëherë në një bestseller. Në Rusi, në kohën e komunizmit, libri botohej në pak kopje vetëm për anëtarët e KQ të Partisë Bolshevike, por pas vitit 1992, “Mein Kampf”-i është ribotuar tri herë. Kanë ndodhur edhe çudira me këtë libër. Japonezët, pa bërë shumë diskutime të gjata, kanë gjetur një rrugë tjetër për ta ribotuar atë. Ata e kanë risjellë librin e Hitlerit në një formë të çuditshme duke u bazuar në… ilustrime si ato të filmave me kartonë. Në “djepin e demokracisë”, në SHBA, libri qarkullon lirshëm në librari e internet. Këtu mban edhe rekordin e shitjeve: 15 mijë kopje në vit.

Sikurse shihet, përvojat janë të ndryshme dhe neve nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të krijojmë nga e para, si shumë herë, edhe qëndrimin tonë në lidhje me librin e Hitlerit.
Ne dhe nazizmi

Nuk mund të thuhet se në Shqipëri ka pasur nazistë të mirëfilltë shqiptarë. Doktrina e re shihej në fillim si kërkim në drejtim të aleatit më të fortë, apo thjesht në interesin politik apo vetjak. Me përjashtim të një botimi të mjekut Jakov Milaj (Raca shqiptare, Tiranë 1944, i cili është ribotuar para dokohësh edhe në Tiranë) nuk na rezulton, të paktën neve, një botim shqiptar i mbështetur mbi teorinë nacionalsocialiste dhe mbi racat superirore. Është e vërtetë, shtypi zyrtar kuisling ishte i stërmbushur me lavde për Hitlerin dhe armatat e tij, por më së shumti këto ishin ngazëllime naive të atyre, që të dalë nga shkolla e “Rilindjes Kombëtare” kishin si ëndërr të vetme bashkimin e trojeve shqiptare në një Shqipëri të vetme “të vërtetë”. Ky naivitet i çoi në anën e gabuar dhe shumë prej tyre këtë e paguan shtrenjtë.

Në të njëjtin kurth ranë edhe figura të njohura si Xhaferr Deva, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica dhe të tjerë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit prej nga mori udhë batalioni shqiptar SS “Skanderbeg” fort i njohur për egërsinë e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Për fat të mirë, në Shqipëri, nuk ndodhi si në disa vende të tjera ish-socialiste, ku të nisur sipas parullës “armiku i armikut tim është si unë” shumë vetë, kryesisht të rinj që, bënin me faj për gjendjen e tyre sistemet e kaluara, u shndërruan në ëndërrimtarë aktivë neonazistë. Ndonjë svastika e parë mureve të Tiranës, apo ndonjë tatuazh që mban ndonjë adoleshent i pagdhendur nuk kanë frikësuar ende askënd.
Hitlerët tanë të vegjël

Sikurse është parë, debati mbi botimin e “Mein Kampf” në shqip është bërë fort interesant. Disa janë shprehur prerë kundër këtij hapi, disa të tjerë po aq prerë pro këtij hapi. Autori i këtyre radhëve, nisur nga ajo përvoja që ju kujtova që në krye të këtij shkrimi, bashkohet me mendimin e dytë. Pra nuk ka asnjë gjë të keqe nëse libri i një përbindëshi, i pajisur me shpjegimet përkatëse analitike e kritike, të mos jetë edhe në shqip, sikurse në shumë gjuhë të botës, aq më tepër kur ai gjendet fare kollaj në internet, porse do të kishte qenë më mirë sikur debati të hapej edhe më, në sensin që është shumë kollaj të shajmë, të censurojmë, madje edhe ta djegim librin e një të çmenduri gjakatar, porse si t’ia bëjmë atyre Hitlerëve të vegjël që flenë e zgjohen përditë në kokat e shumë prej nesh. Atyre që shfaqen në propagandën boshe e të shfrenuar, në manipulimin e turmave të dëshpëruara, në nacionalizmin fals të pabazuar gjëkundi, në marrëzinë e madhështisë shterpë, në cepat e inatosur të syve, në mërinë që gjallon ngado, në mungesën e besimit te demokracia e vërtetë, te zhgënjimi që ushqehet nga varfëria, tek ëndrrat e të rinjve që shuhen pak nga pak, te kulti i individit që sa vjen e rritet në mes të një fushe të mbjellë me indiferencë totale… Me Hitlerin e vjetër e kemi shumë kollaj, e kemi vetë punën në dorë, por si t’ia bëjmë me këta të vegjlit se? Mbase duhet t’i heqim ata të parët nga qarkullimi.

Gazeta “Shqip”

Top Channel