Gratë e Egalisë dhe gratë e Shqipërisë

08/03/2012 00:00

Kur një vit më parë, me ç’shkak 8 Marsin, një nga shkrimet e mia për
gruan zgjoi ndonjë reagim se po e shihja realitetin disi me syze të
errëta, nuk u përpoqa ta shpjegoj më gjatë se, në fakt, gjykoja vetëm
një pjesë të realitetit, atë pjesë që prek çdo njeri të ndjeshëm kur e
ndesh.

Nuk fola për veten dhe as për zonja që në 8 Mars, a në çfarëdo dite të vitit qoftë, ndihen mirë. E vërteta është se kjo shpurë që ndihet mirë me realitetin shqiptar dhe e ka fituar betejën me mizogjinët, është e vogël, dhe sot e gjithë ditën, shqetësimi im shkon për mijëra gra e vajza që nuk kanë zë, që nuk përfaqësohen, që nuk i njeh njeri dhe nuk ua di kush hallet. Që ta ruaj gjuhën nga thartësira e një viti më parë, po sjell në vëmendje të lexuesit fabulën e romanit të norvegjezes Gerd Brantenberg mbi vendin e quajtur, Egali, ku amazonat moderne janë zotëre të fatit dhe jetës së tyre.

Po e them qysh në krye: Egalia është thjesht një trill. Jo imi… por edhe i imi, i populluar me burra e me gra, por i spikatur nga gra, një tufë e së cilave e drejton Egalinë nga qendra e vendit që quhet Tirinë. Gratë e Egalisë janë të çuditshme, sepse edhe Egalia vetë është çuditshme, një tokë virtual që, sikurse lakmusi, mëton të provojë pehashin e realitetit tonë. Gratë e Egalisë kanë vendosur të ndryshojnë rolin me burrat, sepse duan të ndiejnë dhe të dinë se ç’do të ndiejnë burrat po të jenë gra. Aq të thekura janë pas kësaj ideje, sa edhe lindjen e fëmijëve ua kanë shitur burrave. Ngaqë nuk e ndryshojnë dot fizikun e tyre që i dekonspiron se janë gra, me urdhër të kuvendit të tyre granor, kanë vënë penisë artificialë dhe madje edhe këta i ruajnë (me For you a kësidoresh) nga sëmundje të ndryshme që mund të marrin duke ‘gjuajtur’ majtas-djathtas burra. Ngaqë janë gra, kanuni i tyre granor ua lejon të kenë edhe burrë, edhe të dashur, edhe të dashur tjetër, a të tjerë paralelisht. Vetëm ngaqë janë gra! Madje sa më shumë syresh, aq më gra të vërteta duken para grave të tjera.

Në Egali rrëfejnë se si dikur njërën prej tyre (nga ato me post të lartë në qeveri) e zunë duke ia hapur mbërtheckat njërit, të cilin e kishte ftuar në shtëpi me kusht që t’i gjente një vend pune. Ai farë burri, nëse donte punë për të qenë, duhet t’i bënte një shërbim të tillë kësaj gruaje me post. Një shërbim i vogël fare! Kureshtarët e këtyre rreshtave do të pandehin se kjo “big girl” që u shfaq tek përdhunonte në emër të postit para të gjithë egalistëve, u lëndua apo i hyri ndonjë gjemb në këmbë. Jo, kurrsesi, ai burri po, iku nga sytë këmbët jashtë Egalisë dhe e gjithë shoqëria grariste e brohoriti (ca heshtur e ca me zë) se ajo ishte grua prej vërteti: Ti vinte tjetri vetë në shtëpi dhe ajo t’i shpërfillte sendet që burri fshihte pas mbërtheckave?!

Gratë e Egalisë janë pashallare të vogla; kur kthehen nga puna, rrinë shtrirë; kur u duhet një gotë ujë, thërrasin burrat që mund të jenë duke përvëluar duart në kuzhinë, madje edhe për pultin e televizorit thërrasin burrin, nëse ai është ulur (kur i mbetet kohë) aty pranë tyre. Dhe burrat ngushëllohen se mbase duke u plakur, gratë e tyre do t’i lënë huqet që, për dreq, i mësuan nga nëna, nga gjyshja, a nga kushedi çfarë gruaje që kishte pasur gjak amazonash. Fundja vetë i mësuan gratë e tyre ashtu duke i përkëdhelur, duke u shërbyer e duke ua falur huqet e veset. Tani s’kanë ç’të bëjnë më, veç të durojnë. Edhe babai vetë, kur ndonjë bir i pakënaqur nga martesa i ankohen, i thotë: “Ky ishte fati yt. Duroje siç bëjnë të tjerët! Gratë janë shoqja e buçës, shkojnë nga shkojnë e kthehen prapë te ty. A të vjen në darkë në shtëpi?”. I biri, ndrojtur i thotë babait që bluan pikëllimin për të birin: “Po më duket”, pa qenë i sigurt as vetë.

Gratë e Egalisë nuk e kanë për turp që në sy të burrit, mu aty para televizorit, t’i çojnë sms të dashurit që po pret me ankth të gdhijë mëngjesi. Ndonjëherë, kur kanë ndonjë fije zori, ose janë martuar me ndonjë burrë tejet xheloz, që i përgjon kohë e pa kohë dhe ka filluar të bëjë kryengritje, shkojnë dhe mbyllen në banjë që të shkruajnë të qetë. Fundja telefoni përcjell vetëm fjalët, jo aromat. Kur ndodh që burri me të cilin janë martuar (ndonjëherë edhe me dashuri të madhe), u kërkon llogari dhe i bezdis ca si shumë me akuza për lidhje të tjera jashtëmartesore, i thonë: “Po të pëlqeu, rri, ndryshe ja ku e ke derën, merr kalamajtë dhe shporru! Unë jam grua!” Por ndodh që ndonjë nga burrat me të cilët janë martuar, për hakmarrje a për arsye që një Zot i shpjegon, zë ndonjë të dashur, ndonjë grua që ndesh atypari. Dhe nis të ruhet shumë, sepse, nëse ua merr vesh kryefamiljarja (nderi i së cilës ka shumë rëndësi nëpër Egali) ose e vret, ose paguan të tjerë ta vrasin, ose e zhduk nga faqja e dheut. Po, e zhduk nga faqja e dheut, pasi hetimi ndaj saj në prokurori, gjykimi ndaj saj në gjykata, do të jenë tejet të zbutur e sentimental: Ky burrë (i vrari!) guxoi t’ia nëpërkëmbë nderin gruas së tij?!

Gratë e Egalisë popullojnë gjer në orët e vona baret e Tirinës dhe të provincave, nëpër tymtoret të mbushura vetëm me gra, pasi për familjet e tyre kujdesen burrat. Burrat e dinë këtë, që kur janë martuar e kanë ditur se është detyrë e tyre të ushqejnë fëmijët, të kujdesen për mësimet e tyre, të lajnë, të hekurosin, dhe pasi t’i mbarojnë këto, duhet të jenë po aq të detyruar të durojnë erën e alkoolit të grave kur kthehen nga baret e natës, të mos shiten si të lodhura kur aestrogeni i grave të tyre (zotërueseve të tyre) kërkon t’u vërtetojë se mbahen mirë dhe u dalin zot burrave të tyre, dhe jo vetëm të tyreve. Fundja vetë i kanë bërë fëmijët, siç i bënë, le t’i rrisin.

Gratë e Egalisë, pas kërkesash të shumta e protestash të burrave, pasi e panë se pa i ofruar ca Europë burrave të tyre, nuk hyjnë dot në Europë, vendosën t’i diskriminojnë pozitivisht, duke e shkruar të zezë mbi të bardhë se çfarë përqindjeje do të përfaqësonin burrat në aradhën e grave në politikë e gjetiu. Rëndësi kanë letrat! Europa nuk është gjë tjetër, lol, veçse një vandak me burokratë të mbytur nga letrat, që gjysmën e kohës e kalojnë nëpër ndenjëse avionësh, m’u si gratë që drejtojnë Egalinë. Ndonjëri prej këtyre burrave mund t’i shpëtojë turmës së nënshtruar dhe të ngjitet ca më lart në hierarkinë e shtetit, por sado ta bëjë dhëmbin dhe të ëndërrojë të hidhet më lart, ATO, gratë që e drejtojnë dhe e bastisin hapur shtetin dhe diktojnë heshtur edhe fatin e tij, në mos ia kanë vënë prej betoni tavanin (nga frika e Europës), ia sajojnë prej qelqi transparent, që as vetë ai, ëndërrimtari, të mos e kuptojë se si do ta thyejë kokën. Në mos, të nisë sa më shpejt t’u ngjajë atyre, t’i shkërbejë.

Gratë e Egalisë nuk e kanë shumë për turp ta lëshojnë urinën ku t’i vijë nëpër rrugët e Tirinës, mu aty në muret e teqesë në qendër të kryeqytetit do t’i gjesh në radhë nga tri a katër duke zbrazur fshikëzën rrëzë shtëpisë së Zotit. Fundja s’është faji i tyre që ato “big girl” të politikës së madhe, i kthyen banjat publike në bare e karburante. Dhe pasi e kanë bërë këtë, pa kurrfarë zori, kthehen me fytyrë nga lulishtja, ku mund të jetë duke kaluar ndonjë burrë i ndrojtur, e zhveshin me sytë e ngulur mbi ta, rregullojnë pantallonat dhe gjithçka poshtë tyre që para pak çastesh kishte formë tjetër dhe me ato duart ashtu të përziera nëpër vete, i japin dorën dhe përshëndesin të njohurën e parë që ndeshin.

Gratë e Egalisë i duan dhe kujdesen për burrat e tyre. Nëpër 8 mars të çdo viti u japin lejë të festojnë me sojin e gjinisë së tyre, soj që në kopera zënë baret e restorantet e Egalisë, duke shfryrë gjithë shtypjen e 364 ditëve të tjera të vitit. 8 marsi i burrave të Egalisë, është i mbushur me avuj alkooli, me tym duhani dhe me batuta erotike për gratë që një ditë i kanë hequr qafe. Gratë e Egalisë i duan burrat e tyre të grimuar dhe të mbajtur mirë, në shtëpi a kudoqofshin. Të rrinë krëk, ndryshe atje jashtë, tek kalojnë nëpër rrugë me X5 e X6, në zyrë a kudo, ka një tjetër burrë që i sfidon. Tirina vjen era seks fund e krye. Që të jenë të denjë për gratë e tyre, burrat rropaten nëpër palestra, enden nëpër butikë, dergjen mbi revistat e modës, rripen nëpër qethtore dhe mahisen nëpër qendra estetike, që të duken të rinj e të dëshirueshëm për syrin e grave të tyre noprane.

Në një shoqëri të tillë grariste si në Egali, gratë sundojnë politikën, sundojnë ekonominë, sundojnë familjen. Shoqëria egaliste është domeni i tyre. Mbase ndokush ka keqardhje për këtë shoqëri që përshkrova (siç kam edhe unë), por ka qenë dhe do të jetë kështu me gratë e Egalisë edhe pse jetojnë (virtualisht) në mes të Europës.

Në fund të këtyre radhëve kam vetëm një kureshtje të vogël: Gratë e Shqipërisë, a do të donin t’u ngjanin grave të Egalisë qoftë edhe për pak çaste?! Dhe përtej kureshtjes: Nëse gratë e Shqipërisë do të donin t’u ngjanin grave të Egalisë qoftë vetëm për pak çaste, çfarë do të ndodhte me burrat e Shqipërisë?!

Utrecht, Holandë 7 mars 2012

Gazeta “Shqip”

Top Channel