Bashkimi Europian i ka dhënë Serbisë statusin kandidat në samitin e Brukselit që u mbajt të enjten në mbrëmje. Liderët europianë vendosën këtë gjë pas një serie reformash demokratike të Serbisë për të kënaqur kërkesat e Bashkimit Europian.  

Njoftimin e dha presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy, i cili theksoi se ky është edhe rezultat i dialogut Beograd–Prishtinë.

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, e vlerësoi marrjen e statusit nga ana e Serbisë si një tregues që Bashkimi Europian vazhdon të jetë tërheqës.

“Kjo tregon që BE-ja mbetet ende tërheqëse sepse Serbia dhe shumë vende të tjera aspirojnë t’i shtohen 27 shteteve të tjera anëtare në këtë projekt lirie, përgjegjësie dhe solidariteti”, thekson Barroso.

Të mërkurën disa dhjetëra nacionalistë serbë kanë protestuar në Beograd kundër anëtarësimit të vendit të tyre në Bashkimin Evropian.

Sipas mediave ballkanase, duke mbajtur parulla anti-evropiane dhe të shoqëruar nga anëtarë të Partisë Radikale Serbe, protestuesit kanë marshuar drejt zyrës së presidentit Tadiç.

Dragan Todoroviç, anëtar i kësaj partie, ka deklaruar se janë mbledhur firmat e rreth 200 mijë serbëve që kundërshtojnë anëtarësimin e vendit në BE, që sipas tij do të ishte një katastrofë.

Gjithësesi, protestuesit kur i janë afruar selisë së presidencës janë ndalur nga forcat e policisë, të cilat nuk kanë ushtruar dhunë, saktësojnë burimet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA