“Made in Albania” është një dokumentar mbi Shqipërinë, i cili ka filluar
të shfaqet në kinematë italiane dhe shumë shpejt do të mbërrijë edhe në
Shqipëri ose në vende të tjera.
Për të folur rreth këtij dokumentari që përqendrohet në realitetin e
jetës shqiptare, pa zbukurimi apo shtrembërime, në studion e “Pasdites”
në “Top-Channel” ishin të pranishëm protagonisti kryesor, Rubin Beqo dhe
producentja shqiptare e dokumentarit, Sabina Kodra.
“Premiera u
transmetua në Pulia të Italisë, meqë edhe origjina e dokumentarit vjen
nga Pulia. Filmi u prit shumë mirë në transmetimin e tij të parë dhe më
kënaq fakti sepse ka qenë kryesisht publiku shqiptar që e ka pritur më
mirë. Kritiku më i madh është vetë publiku shqiptar dhe kjo më ka
kënaqur pa masë”, deklaroi Kodra.
Duke u ndalur në detajet e
kësaj vepre, Rubini tregoi: “Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një
doku-fiction, i cili fillon me një premisë fiksionale dhe pastaj
zhvillohet në formë dokumentare për të treguar disa të vërteta për
Shqipërinë. Unë nuk jam aktor, por fitova rolin nëpërmjet disa
diskutimeve. Stefania, producentja kryesore, po kërkonte dikë, një të ri
shqiptar dhe me sa duket unë përmbushja profilin e saj…. Në thelb, e
para të thjeshtë të realizoja rolin pasi tregoj dhe endem brenda jetës
sime, nuk personalizoj asnjë personazh veç Rubin Beqos. Procesi i
filmimit ishte shumë dinamik nga njëra anë dhe shumë spontan. Diskutonim
vazhdimisht për atë që po bënim dhe produkti final është optikë jo
vetëm e regjizores, por të gjithë neve”.
Megjithatë, Beqo e ka të
pamundur të vlerësojë në këtë moment veprën e tij. “Është shumë e
vështirë që të bëj një vlerësim, sepse mbetesh subjektiv kur je pjesë e
kësaj, por unë e kam parë disa herë me idenë që t’i ri sa më larg vetes
dhe përvojës sime atje dhe mendoj se është bërë një punë shumë të mirë.
Provë për këtë është fakti që e pashë dokumentarin me një shokun tim
Italian që jeton në Shqipëri prej dy vitesh dhe ai më tha se ishte një
dokumentar që duhet t’ia tregonte miqve të tij për t’i bërë të kuptonte
se përse kishte zgjedhur të jetonte në Shqipëri dhe se cili është vendi
ynë”.
Duke u thelluar në detajet e xhirimeve dhe përmbajtjes,
Sabina shtoi: “Po punojmë për ta zgjeruar shpërndarjen edhe në vende të
tjera në botë. Besoj se do të na ndihmojë që të thyejmë sado pak
klishenë e këtyre njerëzve që quhen shqiptar e që shkuan me anije në
Itali. Dokumentari synon të tregojë se shqiptarët nuk janë vetëm ata
emigrantët atje tej, por janë edhe këta njerëz që jetojnë në tokën e
tyre, që ndërtojnë jetën këtu me vuajtjet dhe sakrificat e tyre.
Personazhet në dokumentar kalojnë shumë peripeci. Kemi xhiruar plane nga
Shkodra deri në Libohovë, i gjithë aksi very-jug dhe kemi mbërritur
deri në bulqizë, tek fëmijët që gërmojnë kromin. Ne nuk themi gjëra të
bukura dhe të shëmtura, por një realitet, të hidhur, qesharak, të bukur
dhe me shumë ngjyra njëkohësisht. Ajo që bën dokumentari është të
rrëfejë me sinqeritet atë që është Shqipëria sot. Ai do të jetë dëshmi e
mirë për fëmijët tanë për të shikuar si ka qenë fëmijëra jonë në Tiranë
apo Shqipëri”.
Top Channel