Kompani zvicerane në tregun e naftës

24/02/2012 08:45

Vetëm pak vite pasi ia dhanë vendburimin e naftës së Visokës një kompanie gjermane të njohur me emrin IEC Visoka, qeveria shqiptare njoftoi dje se ia ka kaluar këtë vendburim një kompanie tjetër të quajtur “Transoilgroup” nga Zvicra.

Kompania e re premton 20 milionë dollarë investime në vitin e parë dhe 80 milionë në tri vitet e ardhshme. Dokumentet zyrtare janë nënshkruar më 7 shkurtin e kaluar, ndërsa dje u publikua lajmi për median.

“Transoil” deklaron se ka zyra në Minsk, Novosibirsk, Rusi, Tiranë dhe Zvicër. Siç raportoi e përditshmja “Shqip”, çmimi i saj i aksioneve është rritur nga 4.7 franga zvicerane për aksion në shkurt të vitit të kaluar në 8.9 franga aktualisht. Kapitali i saj themeltar është 1 milion franga. Nuk ka publikuar të dhëna mbi rezultatin financiar të viteve të kaluara.

Visoka është një vendburim nafte i zbuluar në vitin 1963. Qeveria po tenton të privatizojë kompaninë shtetërore të nxjerrjes së naftës “Albpetrol”, por në fakt, të gjitha asetet e vlefshme të kësaj kompanie i janë transferuar sakaq kompanive të tjera private, duke ulur ndjeshëm vlerën e “Albpetrol”.

Në Shqipëri kanë ardhur dhe kanë ikur shumë kompani të vogla që janë interesuar për rezervat ekzistuese të naftës. Disa prej këtyre kompanive janë përzierë në kontrabandë të mallrave të akcizës, ku shumë shpesh, nafta bruto deklarohej e eksportuar dhe u shitej si naftë e gatshme pikave të karburantit, duke shkatërruar makinat dhe mjedisin në vendin tonë.

Top Channel