Dy vjet pas zbulimit të varrit masiv 313 pranë fshatit Qesarakë rrëzë malit të Dajtit, asgjë nuk ka ndryshuar. Në luginën ku dy vite më parë ishte kthyer çdo gjë përmbys në kërkim të eshtrave të të zhdukurve gjatë kohës së komunizmit, sot ka mbirë sërish bari.
Aty ku besohet se gjenden ende eshtrat e viktimave të komunizmit, bari po kthehet në shkurre. Shiriti plastik i vendosur nga policia, kur dikur shkruhej “skenë krimi” e ka humbur ngjyrën dhe i janë zhdukur shkronjat.
Ndërkohë, grupimet e djathta në politikën shqiptare po përgatiten për festimin e 20 shkurtit, 21-vjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha në sheshin “Skënderbej”.
Partia Demokratike po përgatitet për festime, për t’u mbajtur të hënën, ndërsa në Muzeun Historik Kombëtar pritet të përurohet një pavijon kushtuar viktimave të komunizmit.
Thuhet se Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha janë vënë në garë se cili do të fitojë kredit politik, duke përdorur vuajtjet e komunizmit.
Ndërkohë, rrëzë malit të Dajtit, në Shishtufinë, tek Ura e Beshirit apo në shumë vende të tjera, eshtrat e viktimave të komunizmit presin në heshtje për t’u zbuluar.
Familjarët e viktimave shpresojnë se diçka magjike do të bindë qeverinë të angazhohet seriozisht, për të zbuluar dhe identifikuar të zhdukurit.
Por Kryeministri Berisha apo Kryeparlamentarja Topalli, duken të painteresuar për të bërë diçka më shumë se sa përdorimi i vuajtjeve të komunizmit për ndonjë përfitim politik kur del rasti.
Nga fundi i vitit 2009, disa nga familjarët e viktimave të komunizmit gërmuan një luginë rrëzë malit të Dajtit, të njohur si Reparti 313, ku ishin kryer një pjesë e konsiderueshme e ekzekutimeve të kohës së komunizmit. Gërmimi nxori në pah 12 skelete eshtrash, të cilat u dërguan në morg.
“Ato eshtra meritojnë një emër”, deklaroi Jovan Plaku, i cili kërkon prej njëzet vjetësh eshtrat e të atit, Koço Plaku, inxhinierit të naftës të ekzekutuar në vitin 1976. “Qeveria mund të kryejë ekspertimet e nevojshme dhe të zbulojë se kujt i përkasin”.
Me t’u informuar për zbulimin e varrit masiv 313, Sali Berisha foli me patos mbi nevojën e zgjidhjes së këtij problemi. “Demokracia nuk mund të flejë mbi varre. Ne, së pari, duhet të krijojmë një organizëm të veçantë, ta pajisim me të gjithë mekanizmat e duhur për të kërkuar të ekzekutuarit, kudo që ata janë”, tha ai.
Një turmë e madhe me deputetë vizituan me atë rast varrin masiv ku vendosën edhe lule. Qeveria premtoi ndërtimin e një grupi pune ndërministror, krijimin e një institucioni shkencor për hulumtimin e krimeve të komunizmit etj.
Dy vjet më pas, e ashtuquajtura Task-Forcë nuk ka zhvilluar pothuajse asnjë aktivitet. As një listë me emrat e njerëzve pa varr nuk ekziston ende. Rreth 2000 shqiptarë mbeten të zhdukur.
Ndërkohë, kompletet e eshtrave që u dorëzuan në morg, u përzgjodhën, u vendosën në kuti plastike dhe në fund, u dërguan për t’u varrosur në një vend në Sharrë, ku përfundojnë eshtrat e të gjitha viktimave të paidentifikuara.
Zyrtarët e morgut deklaruan se nuk kishin teknologjinë e nevojshme për identifikimin. Analizat e ADN-së kushtojnë. Metodat tradicionale të shqyrtimit antropologjik nuk pinë ujë.
I ashtuquajturi institucion për hetimin e kohës së komunizmit për arsye historike është ndërtuar. Një duzinë njerëzish marrin rrogë aty, por maksimumi që ka bërë ky institucion është ndonjë shkrim gazete.
Ndërkohë Kryeministri Berisha nuk nguron të vijojë të flasë për vuajtjet e komunizmit. Vitin e kaluar, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli organizoi edhe një ekspozitë me fotografitë e disa nga të zhdukurve.
Nikolin Kurti, i cili kërkon eshtrat e xhaxhait të tij Dom Shtjefën Kurti, shpreson se një shkrim në gazetë mund të ndërgjegjësojë mjaftueshëm qeverinë që ta marrë këtë çështje seriozisht.
“Nuk ka më kohë për të pritur”, thotë ai. “Njerëzit që mund të japin informacion, po vdesin. Po vdesin edhe gjenerata e parë e familjarëve të të zhdukurve. Shpejt nuk do të ketë më as familjarë të interesuar”.
Në fakt, ky është një model i njohur i pështirë i politikës shqiptare që nga kohët e vjetra. Shiko p.sh. viktimat e masakrës së 4 shkurtit 1944. Disa dhjetëra njerëz u vranë nëpër rrugët e Tiranës nga qeveria kolaboracioniste me nazistët.
Qeveria komuniste e legjitimoi pushtetin e vet me kujtimin e viktimave të luftës, por nuk kreu kurrë asnjë hetim konkret. Shumica e viktimave të asaj masakre janë sot e kësaj dite pa varr.
Qeveria e sotme nuk duket shumë ndryshe. Përkujtimet e viktimave të komunizmit kanë qenë të shpeshta. Ndonjë përpjekje për gjetjen e varreve të tyre deri më sot nuk është kryer.
Top Channel