Kriza ekonomike duket se u përkeqësua në drejtim të pakësimit të punësimit dhe rënies së pagave gjatë tremujorit të tretë të vitit vitit 2011, ndonëse disa sektorë si industria nxjerrëse apo telekomunikacioni, shënuan rritje.
Lajmi bëhet i ditur nga publikimi i INSTAT mbi statistikat afatshkurtra. Këto statistika grumbullohen nga INSTAT përmes një vrojtimi që kryhet në kompani që veprojnë në sektorë të ndryshëm dhe publikohet çdo tre muaj.
Sipas gazetës “Shqip”, shifra e afarizmës në sektorin e industrisë e deflatuar u rrit me 11.5 për qind në terma vjetorë në periudhën korrik-shtator, por numri i të punësuarve u ul me 1.5 për qind ndërsa pagat u ulën me 0.9 për qind.
Numri i të punësuarve në industri ka shënuar rënie vetëm një herë më parë gjatë vitit 2009, kur rënia e ndjeshme e çmimeve të mineraleve e naftës, krijoi vështirësi financiare për kompanitë e këtij sektori.
Por niveli i pagave shënoi rënie për herë të parë në katër vjet. Jo të gjitha industritë janë prekur nga kriza. Industria nxjerrëse, (veçanërisht nafta), patën rritje të konsiderueshme ndërsa industria përpunuese duket se ngeci verën e kaluar duke ulur të punësuarit dhe pagat.
Industria përpunuese, ku përfshihet prodhimi i veshjeve e këpucëve, nuk ka njohur rritje të pagave që nga fillimi i vitit 2010. Industria përpunuese pati përfituar gjatë gjysmës së parë të vitit 2011 nga trazirat në Afrikën e veriut, gjë që detyroi industrinë evropiane të modës të kthejë sytë nga Shqipëria për të zëvendësuar kapacitetet e reduktuara në Egjipt e Tunizi.
Por gjatë tremujorit të tretë duket se ky efekt është ezauruar. Sektori më i goditur është ai i prodhimit të energjisë elektrike dhe ujit, ku numri i të punësuave ra me 6.7 për qind ndërsa pagat ranë me 16 për qind.
Ndërtimi
Kriza që ka kapur sektorin e ndërtimit duket se ka shkaktuar stanjacion në volumin e shifrës së afarizmës ndërkohë që kompanitë e ndërtimit e ulën numrin e të punësuarve me 8.9 për qind si dhe pagat me 9.2 për qind.
Numri i të punësuarve në ndërtim ka rënë që nga fillimi i vitit 2010 ndërsa në vitin 2011 ka filluar edhe ulja e pagave. Sektori i ndërtimit ka pësuar rënie veçanërisht në xhiron e kryer përmes shitjes së ndërtimeve rezidenciale, ndërkohë që punimet e ndërtimit në infrastrukturë kanë vijuar të kenë volum të konsiderueshëm.
Turizmi
Një situatë kontradiktore shfaqet e sektori i turizmit, ku hotelet raportojnë ulje të konsiderueshme të të punësuarve me 9 për qind dhe ulje të pagave me 6.9 për qind në terma vjetorë.
Nga ana tjetër, xhiroja e agjencive të udhëtimeve është rritur me 12 për qind ndërsa në sektorin e transportit, bie në sy largimi i shqiptarëve nga transporti detar dhe shtimi i ndjeshëm i fluturimeve ajrore. Kjo situatë është shoqëruar me rënie të pagave në transportin detar dhe rritjen në transportin ajror.
Telekomunikacioni
Shoqëritë e telekomunikacionit kanë pësuar rënie të xhiros së biznesit në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2010, por gjatë kësaj kohe punësimi në këtë sektor është shtuar dhe pagat kanë pësuar gjithashtu rritje të konsiderueshme deri në 20 për qind. Në telekomunikacion kjo kontradiktë lidhet me investimet e reja në këtë sektor.
Indekset e statistikave afatshkurtër mbulojnë aktivitetet Industri, Ndërtim, Tregti dhe Shërbime të tjera. Statistikat afatshkurtra të grumbulluara me vrojtim statistikor duke zbatuar regulloren mbi statistikat afatshkurtra janë vetëm indekse.
Treguesit e statistikave afatshkurtra nuk tregojnë nivelin e shifrës së afarizmit apo të çmimeve, por ndryshimin në përqindje.
Top Channel