“Shell”, gërmime për naftë në Shqipëri

13/02/2012 21:10

Kompania e dytë më e madhe në botë në fushën e energjisë, kompania “Shell”, është përfshirë me 50% të aksioneve në kompanine kanadeze “Petronamas” për të nisur në mars shpimin për kërkimin e naftës në tre zona në Shqipëri.

Planin e veprimit përfaqësuesit e dy kompanive ia kanë prezantuar kryeministrit Sali Berisha, duke e njohur atë me eksplorimet që do të kryejnë me shpimin e puseve në Juban të Shkodres, në Shpirag të Beratit dhe në Paper të Elbasanit.

Në fazën e parë të eksplorimit, kompania “Shell” do të mobilizojë rreth gjysmën e investimit prej 51 milionë dollarësh, që parashikohet të ndërmerret gjatë këtij viti.

Vendimin për t’u përfshirë në këtë projekt, kompania “Shell” e mori pas një studimi nga i cili ka rezultuar se rezervat e naftës në Shqipëri janë të konsiderueshme dhe në thellësi jo shumë të mëdha.

Kompania “Shell” informoi kryeministrin Berisha se është përgatitur për një fazë të dytë kërkimesh deri në 8 mijë metra nën tokë, si dhe për nisjen e një studimi sizmik të zonës dhe dixhitalizimin e të dhënave, në kuadrin e një studimi rajonal që po zhvillon kjo kompani.

Top Channel