“Lufta” brenda llojit në METE

31/01/2012 08:25

Nuk është çështje strategjie për forcimin e institucionit, nuk janë ndryshime postesh për rezultate më të mira apo emërime në kuadër të marrëveshjeve politike, por thjesht emërime dhe shkarkime të shoqëruara kur vjen ministri i ri.

Nuk bëhet fjalë për një korporatë, kompani private apo biznes me disa aksionerë, ku i pari, me të drejtë vendos se kush do të jenë menaxherët, por për një institucion publik, për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), buxheti i vjetor i së cilës nuk shkon më shumë se 20 milionë dollarë, megjithatë vlera e sektorëve që ka në varësi e arrin në disa miliarda dollarë, shkruan gazeta “Shqip”.

Në shtator të vitit 2009, METE-n e mori në drejtim Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), forca politike kryesore aleate me Partinë Demokratike, e cila kishte menaxhuar për 4 vjet me radhë institucionin vetëm me një ministër, Genc Ruli.

Pas 8 vjet në opozitë, për LSI-në nuk ishte e lehtë të ambientohej me pushtetin, aq më tepër kur në varësi kishte marrë tre ministri tepër të rëndësishme dhe me peshë: Ekonominë (që mbulon energjetikën dhe tregtinë), Shëndetësinë dhe Ministrinë e Jashtme (mban edhe postin e numrit dy të qeverisë, zv/kryeministrin).

Për dy vjet drejtimi nga LSI-ja, METE ka pësuar më shumë ndryshime se kushdo institucion tjetër, pasi me radhë atë e kanë menaxhuar tre ministra.

Në fillim Dritan Prifti, i cili nuk qëndroi më shumë se një vit, pastaj Ilir Meta, kreu i LSI-së, por që nuk qëndroi më shumë se tre muaj pas përplasjeve me Priftin, dhe i treti, juristi dhe deputeti, Nasip Naço, i cili vijon ende.

Lëvizjet e krerëve janë shoqëruar gjithnjë me ndryshime të forta brenda ministrisë, pavarësisht se zyrtarët i përkisnin të njëjtës partie. Ministrinë e kanë drejtuar dhe dy zv/ministra, po nga LSI, në fillim Leonard Beqiri dhe më pas, Sokol Dervishaj, kurse dy zv/ministrat e tjerë, njëri i PD-së dhe tjetri i republikanëve vijojnë të mbajnë postin për një kohë të gjatë, të emëruar në kohën e Rulit.

Prifti dhe struktura e re

Natyrshëm që me ardhjen e Dritan Priftit në shtator të 2009-s në krye të Ekonomisë dhe Energjetikës, stafi i ngushtë i Genc Rulit nuk do të kishte mundësi të vijonte më tej, e për rrjedhojë emërimet e reja konsiderohen deri diku normale.

Në fillim ishte kabineti që pësoi ndryshime dhe më tej nisën emërimet me kontratë, ku që të gjithë ishin nga LSI-ja. Për Priftin ishte e vështirë emërimi në formë të plotë, derisa me diskutime të shumta arriti të miratonte strukturën e re, në qershor 2010, duke ligjëruar ‘kapot’ e rinj të dikasterit.

Gazeta “Shqip” ka kryer një vëzhgim dhe ka veçuar vetëm drejtuesit e nivelit të lartë, pasi në rang specialistësh numri është akoma e më i lartë.

Në epokën e Priftit, u emërua drejtoreshë e koncesioneve, Matilda Merxhani, kandidate për deputete e LSI-së, zona e Kavajës, e cila më parë mbuloi postin e marrëdhënies me median në ministri.

Merxhani kishte në varësi një tjetër të emëruar nga Prifti, Nertila Sadedini, drejtoreshë e Menaxhimit të Projekteve. Tjetër emërim ishte ai i Dritan Yllit, në postin e drejtorit të përgjithësim të politikave të zhvillimit të burimeve natyrore.

Këtë post e mbante Gjergj Thomai, i cili shkon në Agjencinë e Burimeve Natyrore, institucion që menaxhon kontratat disa miliardësh dollarë në fushën e minierave, energjetikës dhe karburanteve.

Egon Babameto, do të ishte drejtori i ri i përgjithshëm i shërbimeve mbështetëse, i cili më parë ishte këshilltar i ministrit Priftit. Më pas krijohet Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, me drejtor Odise Plakun.

Meta, 3 muaj ministër

Në tetor të vitit 2010, në krye të METE-s vjen Ilir Meta, i cili më parë drejtoi për një vit Ministrinë e Jashtme. Duke qenë se ardhja e Metës u shoqërua me përplasje të forta me Dritan Priftin, natyrshëm që lëvizjet në ministri do të preknin pikërisht të emëruarit e ministrit të larguar, pavarësisht se të gjithë ishin në strukturat e larta të LSI-së.

Edhe pse ishte anëtar kryesie, i pari që u shkarkua ishte Dritan Ylli, për t’u zëvendësuar me Behar Zenelin, i cili vijon ende ta mbajë postin e Drejtorisë së Burimeve Natyrore.

Më pas vjen shkarkimi i Egon Babametos dhe në vend të tij emërohet Astrit Banushaj, si drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Brendshme, kurse drejtor brenda kësaj drejtorie emërohet Pjetër Dema, i cili njëkohësisht merr edhe postin e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës në KESH.

Kështu me radhë, shkarkohet Odise Plaku si drejtor i TIK dhe në vend të tij emërohet Emiljano Aleksi, ikën Igli Stambolla nga drejtor i Drejtorisë së Administrimit të Pronës Publike, duke u zëvendësuar Genti Minarolli, i cili vijon ta mbajë detyrën (në kontaktet zyrtare të ministrisë vijon ende adresa e-mail e Stambollas).

Tjetër lëvizje me bujë ishte ai i zv/ministrit, Leonard Beqiri, që mbulonte fushën e Energjetikës, për t’u zëvendësuar nga Sokol Dervishaj, po nga LSI, i cili mbante njëkohësisht postin e kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Për të minimizuar konfliktet brenda partisë, Beqiri kalon si drejtor i përgjithshëm i Metrologjisë dhe Kalibrimit, i cili nuk qëndron gjatë, për t’u zëvendësuar nga një funksionar i LSI-së. Në kohën e Metës emërohet drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Politikave Tregtare, Besjan Meta.

Nasipi vijon ‘lëvizjen’

Juristi dhe prokurori me profesion, Nasip Naço, merr në dorë ministrinë, në janar të 2011-s, kur Meta jep dorëheqjen në kuadër të hetimit për videon me Priftin.

Edhe pse ministri i ri krijon bindjen se çdo veprim ‘ndiqet’ nga ish-ministri Meta, sërish ndryshimet në METE nuk kanë të sosur, në një kohë kur Lëvizja Socialiste për Integrim nuk kishte bërë më shumë se 1 vit e gjysmë drejtimi të METE-s.

Kështu, krejt papritur njeriu i emëruar nga Meta, Astrit Banushaj, jep dorëheqjen nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Shërbimeve Mbështetëse dhe në vend të tij vjen Aurel Lamçe, i cili është aktualisht në këtë post.

Në mënyrë të habitshme largohet Pjetër Dema, për t’u zëvendësuar nga Eris Zaimi, aktualisht drejtoreshë e Shërbimeve të Brendshme. Më pas kemi shkarkimin e Nertila Sadedinit nga Drejtoreshë e Menaxhimit të Projekteve dhe në vend të saj emërohet Llambriola Misto, aktualisht drejtoreshë në METE, dhe së fundmi të Matilda Merxhanit.

Gjithashtu, me ikjen e Metës nga ministër lëviz edhe Emiljano Aleksi nga posti i TIK dhe vendin e tij e zë Helidon Begaj, i cili edhe ky nuk qëndron gjatë, pasi merr detyrën e re në Agjencinë Kombëtare të burimeve natyrore.

Kjo agjenci drejtohet aktualisht nga Besjan Pesha, i cili zuri vendin e Gjergj Thomait. Tjetër largim që shkaktoi bujë ishte edhe ai i sekretarit të përgjithshëm në ministri, Durim Kraja, me motivacionin e disa shkeljeve me tenderët e koncesioneve, por që më pas Komisioni i Shërbimit Civil i dha të drejtë për t’u rikthyer në punë, por çështja vijon në gjykatë.

Vendin e Krajës e zuri Ilirjan Muho, i cili merr edhe postin e kreut të këshillit mbikëqyrës në KESH, kurse Pjetër Dema, zbret në postin e shefit të auditit, po në korporatën elektroenergjetike.

Top Channel