Tregtia, lëndët e para rrisin eksportet

25/01/2012 08:20

Volumi i tregtisë së jashtme të Shqipërisë u rrit me 19 për qind dhe arriti në 740 miliardë lekë (5.32 miliardë euro) gjatë vitit 2011 në krahasim me vitin paraardhës, bëri të ditur një raport i Institutit të Statistikave.

Gazeta ‘Shqip’ publikon se eksportet e Shqipërisë u rritën me 23 për qind dhe arritën në 1.42 miliardë euro, ndërkohë që importet u rritën me 18 për qind dhe arritën në 3.9 miliardë euro. Deficiti i bilancit tregtar u rrit me 16 për qind dhe arriti në 2.48 miliardë euro.

Mineralet dhe nafta udhëhoqën rritjen e eksporteve këtë vit, pasuar nga eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metalet. Eksportet më të rëndësishme të Shqipërisë, veshjet dhe këpucët, ku punësohen një pjesë e madhe e shqiptarëve, u rritën me 15 për qind, rritje e konsiderueshme kjo për këtë sektor.

Eksportet shqiptare janë rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit bazuar më së shumti tek ekonomia bazë, pra te shfrytëzimi i burimeve natyrore të parinovueshme si nafta, kromi etj. Shumë ekspertë besojnë se një rritje e tillë e eksporteve nuk është shumë domethënëse për vendin dhe nuk është as e qëndrueshme në kohë. Eksportet e naftës apo kromit do të vijojnë për sa kohë çmimi i këtyre mallrave në tregun ndërkombëtar të jetë i lartë dhe për sa kohë minerali bazë nuk është mbaruar. Nga ana tjetër, shfrytëzimi intensiv i këtyre burimeve mund të shkurtojë jetën, ndërkohë që përfitimet ekonomike të vendit nga këto lloj eksportesh janë shumë të pakta në krahasim me xhiron e përgjithshëm të biznesit të shënuar. Tek eksportet, mineralet e produktet energjetike, veshjet dhe këpucët, si dhe materialet e ndërtimit, janë tri grupet më të rëndësishme dhe përbëjnë 84 për qind të eksporteve totale të vendit.

Veshjet dhe këpucët janë i vetmi grup i tregtisë së jashtme ku Shqipëria ka rezultat pozitiv. Gjatë vitit të kaluar u importuan 363 milionë euro veshje dhe u eksportuan 460 milionë euro.
Që nga viti 2000, eksportet e Shqipërisë janë rritur me mesatarisht me 15 për qind në vit, ndërsa importet janë rritur me 11 për qind në vit. Deficiti tregtar ka vijuar të zgjerohet gjatë kësaj periudhe, por norma e mbulimit të importeve me eksporte është përmirësuar ndjeshëm nga 23 për qind në vitin 2000 në 36 për qind në vitin e kaluar.

Top Channel