SHBA, Romney nuk paguan taksat

25/01/2012 01:35

Përgjatë 2 viteve të fundit, të ardhurat e kandidatit presidencial republikan Mitt Romney kanë kapërcyer 42 milionë dollarët dhe taksat që ai duhet të paguajë për këtë periudhë, janë 6,2 milionë dollarë.

Kjo do të thotë se niveli i tatimit për milionerin Romney është 13,9% për 2010-ën dhe 15,4% për vitin 2011. Norma e tatimit mbi fitimin për pasaniket në Shtetet e Bashkuara është 35%.

Neët Gingrich me të dhënat e ofruara nga kampi i tij, duket se i është afruar pikërisht kësaj të fundit duke paguar 1 milionë taksa për vitin e kaluar, me një nivel prej 31% të fitimit. Arsyeja përse është kaq i ulët tatimi i ish-guvernatorit të Masacusetit, gjendet tek mënyrat sesi ai i nxjerr fitimet.

Të ardhurat e Romneyt vijnë thuajse tërësisht nga fitime kapitali dhe dividentesh prej investimeve të shumta, që sipas ligjeve vendase, tatohen nën 15 %.

Biznesmeni milioner, i cili zotëron tre shtëpi, ka qënë nën presion të madh për të publikuar taksat. Pasi gjithshka u bë publike, Romney i mbrojti veprimet e veta, duke thënë se paguan të gjitha taksat e ligjshme, por asnjë dollar më shumë.

“Nuk mendoj se ju vetë do të donit një kandidat për president që paguan më tepër taksa nga sa detyrohet”, u shpreh ai.

Ceshtja e pabarazisë ekonomike në vend përbën dhe boshtin e fjalimit të Presidentit Amerikan, Obama drejtuar kombit.

Top Channel