SHBA: Bashkëpunim edhe me Putin

25/01/2012 17:20

Shtetet e Bashkuara duan të vijojnë bashkëpunimin me Rusinë dhe janë të sigurtë se do të gjejnë gjuhën e përbashkët edhe me kryeministrin Vladimir Putin, nëse do të rizgjidhet president.

Deklarata është bërë nga ambasadori i ri amerikan në Moskë, Michael McFaul, i konsideruar si arkitekti i bashkëpunimit amerikano-rus, në një intervistë për të përditshmen “Kommersant”.

Gjatë presidencës së Dmitry Medvedev, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë pasur një përafrim të qëndrimeve të tyre për disa cështje, pasi presidenti në ikje ka qenë më fleksibël se parardhësi i tij.

Zgjedhjet presidenciale në Rusi parashikohet të mbahen më 4 mars dhe kryeministri Putin konsiderohet si superfavorit për postin e kreut të Kremlinit, që këtë herë ka një mandat 6-vjecar.

Javën e kaluar Komisioni Elektoral Rus mbylli procesin e regjistrimit të dokumenteve për kandidatët në zgjedhjet presidenciale. Për t’u pranuar në garën elektorale duheshin të paktën 2 milionë firma dhe jo mbi 2 milionë e 100 mijë.

Dy ditë më parë mediat ruse njoftuan se themeluesi i Partisë Reformiste ruse, Grigori Iavlinski mund të përjashtohet nga gara elektorale, pasi dyshohet se ka abuzuar me firmat.

Nëse Iavlinski përjashtohet, dy do të jënë kandidatët që do të sfidojnë kryeministrin Vladimir Putin në këtë garë: miliarderi Mikhail Prokhorov dhe guvernatori i rajonit të Irkutskut, Dmitry Mezentsev.

Top Channel