Negociatat, BB: Në rrezik kreditë me probleme

25/01/2012 08:00

Prej rreth dy javësh, një ekip i Bankës Botërore pa nga afër situatën makroekonomike në vend, me synim akordimin e një shume financimi si ndihmë në kushtet e krizës.

Aktualisht, negociatat kanë mbetur pezull dhe palët janë përshëndetur pa arritur një marrëveshje, ndoshta në pritje të një tjetër tratative në ditët e ardhshme. Ajo çfarë dihet zyrtarisht, është se banka ka rënë dakord të lëshojë një kredi deri në 300 milionë dollarë, në rast se qeveria shqiptare pranon disa kushte, që vërtiten rreth reduktimit të borxhit.

Gazeta “Shqip” mëson të tjera zhvillime interesante gjatë takimeve që ekipi prej katër vetash i BB, pati me institucionet kryesore në vend, ndër to edhe me Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Diskutimet janë mbajtur të fshehta, larg medias fundjavën e kaluar, ku ekspertët e bankës kanë paraqitur disa alternativa për marrjen e masave ligjore, që Kuvendi ka kompetenca të ndërhyjë. Mësohet se shqetësimi i BB-së nuk është vetëm borxhi në tërësi i qeverisë, por sistemi bankar në vend, sidomos kreditë me probleme, niveli i të cilave ka kapërcyer pragun e 18 për qind, duke u kthyer tashmë në kërcënim për vendin.

“Është e nevojshme ngritja e një grupi pune të nivelit të lartë nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe grupet e interesit, me synim reduktimin e kredive me probleme”, iu drejtua Michael Edwards, koordinator i sektorit financiar për Shqipërinë, pranë BB-së. Kreditë me probleme kanë kapur majat, në nivele rekord 100 miliardë lekë dhe për këtë shkak, banka e shikon me mjaft shqetësim situatën e krijuar. Tjetër propozim i ekspertit lidhet me sigurinë e depozitave në banka, duke u kërkuar anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë ndryshimin e ligjit për funksionimin e Agjencisë së Depozitave përmes amendimeve të ligjit.

Gjithashtu, po në sistemin bankar, Edwards shikon me rëndësi finalizimin e projektit të bankës së Shqipërisë për kthimin e bankave nga degë në filiale. Të gjitha rekomandimet e mësipërme janë të nevojshme në kushtet e goditjes së një krize të madhe në eurozonë. Gjatë takimit me deputetët e Komisionit të Ekonomisë, nuk kanë munguar edhe diskutimet sa i takon nivelit të rritjes ekonomike dhe planit për shkurtimin e borxhit. Nëse BB vlerëson një rritje për 2012-n në 2 për qind, qeveria pret ta ketë 3 për qind (rishikimi i fundit në janar), dhe për këtë qëllim palët hasin shumë kontradikta në ecurinë e realizimit të marrëveshjes.

Të dhënat e fundit tregojnë se deri në muajin tetor niveli i kredive me probleme, pra që po shlyhen me vonesë nga individët dhe të humbura, arrin në rreth 100 miliardë lekë, nivel ky tepër i lartë. Sipas të dhënave (paaudituara) nga Shoqata Shqiptare e Bankave, kreditë e këqija arritën në 18.6 për qind, me rritje 4 pikë për qind në raport me vitin e kaluar, dhe me një rritje të lehtë në krahasim me muajin e mëparshëm, shtatorin. Të ndara sipas klasifikimit, në sistem janë të regjistruara të paktën 28.5 miliardë lekë të humbura, pra me pak shans nga bankat për t’u vjelë, si ndaj biznesit, ashtu dhe individit. Duke filluar nga kredia e konsideruar nënstandarde, të cilat përfshihen si hua me probleme, me vonesa të vazhdueshme, e deri te të dyshimtat dhe të humburat, në total janë 99 miliardë lekë, por jo të gjitha janë rrezik. Në momentin kur klientët vonohen të paktën një herë, banka nis kontaktin për shlyerjen e këstit.

Niveli i kësaj kategorie kredie paraqitet rreth 43 miliardë lekë, ndërsa kur vonesat janë të shpeshta për shkaqe financiare të firmës private apo të individit, banka nis negociatat për rishikimin e kontratës, ku zakonisht shtyhet afati dhe këstet bëhen më të vogla. Biznesi shikohet si shkaktari i situatës së krijuar dhe për këtë fakt kërkon nga bankat një mundësi për rinegocimin e kontratave. Pavarësisht nivelit të kredisë me problemet, bankat kanë ditur të menaxhojnë si duhet rrezikun. Kjo duket qartë nga fitimet e realizuara si 10-mujor, ku pavarësisht krizës, arritën në rreth 2.8 miliardë lekë, por në raport me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë regjistruan një fitim të pastër 4.4 miliardë lekësh. Problemi i kredive të këqija lidhet me situatën e ekonomisë në tërësi. Këtë vit, norma e fitimit mbi kapitalin aksioner ka rënë në 2.9 për qind. Portofoli i kredive u rrit me 15 për qind në terma vjetorë, duke arritur në 3.9 miliardë euro, por rritja i dedikohet pothuajse tërësisht kreditimit të korporatave jofinanciare, pasi kredia për familjet dhe individët njohu vetëm rritje të lehtë vjetore prej 5.4 përqindësh.

Top Channel