Siria refuzon Ligën Arabe

24/01/2012 02:01

Siria ka refuzuar thirrjet e Ligës Arabe që i kërkon presidentit Bashar al Asad t’ia kalojë pushtetin zëvendësit të tij. Gjatë takimit në Kajro, anëtarët e organizates i lëshuan Damaskut një apel për krijimin e një qeverie uniteti me opozitën brenda dy muajve.

Por zyrtarë qeveritare sirianë e quajtën planin “ndërhyrje flagrante” në punët e brendeshme të vendit.

Siria jo vetëm e kundërshton vendimin e Këshillit Ministror të Ligës Arabe, tha një prej tyre për Reuters duke ruajtur anonimatin, por gjithashtu e konsideron shkelje të sovranitetit të vet kombëtar. Justifikimi i Damaskut është se propozimet e ligës nuk janë në interesin e popullit sirian dhe nuk e ndalojnë vendin që të përparojë me reformat politike e t’i sigurojë qetësi e stabilitet popullit të tij.

Arabia Saudite vendosi të tërhiqet nga misioni monitorues i organizatës për shkak se Damasku shkeli sipas saj, premtimet e dhëna për iniciativat e paqes.

E ndërsa ministrat e Ligës Arabe kanë ndërmend ta zgjasin edhe më një muaj tjetër misionin e shumëdebatuar të vëzhguesve, ekspertët mendojnë se tërheqja e sauditëve hedh hije serioze dyshimi mbi të ardhmen e tij afatgjatë.

Arabia Saudite është prej financuesve kryesorë të projekteve të ligës, por monitoruesit e saj janë kritikuar ashpër për faktin se dështuan të ndalonin dhunën ndaj protestuesve anti-qeveritarë në Siri.

Mënyrat që duheshin gjetur për zgjidhjen e krizës në këtë vend, kanë krijuar tani përcarje në vetë radhët e Ligës Arabe.

Top Channel