Siri, shtyhet misioni i Ligës Arabe

24/01/2012 20:50

Siria pranoi zgjatjen me një muaj të misionit të Ligës Arave, raportoi mbrëjen e së martës agjensia zyrtare e lajmeve, “SANA”.

Ministri i Jashtëm i Sirisë, Walid Muallem, informoi Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës për këtë vendim të Damaskut, përpara se lajmi të bëhej publik.

Më parë, në shenjë proteste ndaj ofensivës së dhunshme të autoriteteve siriane ndaj popullsisë civile, misioni monitorues ishte pezulluar. Tërheqja përfundimtare e tij nga Siria do të shoqërohej me sanksione të rënda ekonomike dhe politike në vendin e drejtuar nga Bashar al-Assad.

Liga kishte kërkuar në një marrëveshje të mëparshme largimin e presidentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend, por Damasku është rikthyer të mbajë një qëndrim pajtues, duke i bërë thirrje grupit të vëzhguesve që të mbeten në vend dhe për të paktën një muaj.

Misioni i vendeve arabe në Siri, tashmë ka një afat zyrtar deri në datën 23 shkurt. Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mbi 5 mijë persona kanë humbur jetën në dhjetë muajt e protestave të dhunshme që prej marsit të 2011-s.

Top Channel