Franca kalon “genocidin armen”, zemërohet Turqia

24/01/2012 00:00

Turqia ka reaguar me zemërim pasi senati francez miratoi një projekt-ligj që e kthen në një krim mohimin e genocidit të kryer nga Turqit Otomanë kundër armenëve, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Menjëherë reagoi Ministria e Jashtme turke duke e quajtur vendimin “të papërgjegjshëm” e duke kërcënuar se do të marrë masa shumë shpejt.

Ndërsa kryeministri turk Recep Tayip Erdogan e cilësoi projekt/ligjin e miratuar si një vendim “racist” që vret lirinë e mendimit.

“Ky është racizëm dhe një qëndrim diskriminues dhe nëse ju nuk e shihni këtë, atëherë jeni të shurdhër ndaj avancimit të fashizmit në Evropë”, deklaroi Erdogan.

Duke folur përpara Parlamentit të Ankarasë, Erdogan theksoi se: “Ne do të presim dhe do të shohim zhvillimet e më pas do të vendosim se si t’u përgjigjemi atyre”.

Armenia thotë se deri në 1.5 milion njerëz vdiqën në vitet 1915-16, pas ndarjes së Perandorisë Osmane. Turqia refuzon termin genocid dhe thotë se numri ishte shumë më i vogël.

Projekt-ligji tani do t’i dërgohet presidentit, Nikolas Sarkozi dhe do të nënshkruhet si ligj, gjë që ai pritet ta bëjë përpara fundit të shkurtit.

Raportet  thonë se ky veprim rrezikon të shkaktojë një çarje të thellë mes Francës dhe Turqisë, të cilat janë aleate të NATO-s.

Top Channel