Filipine, vriten 15 peshkatarë

24/01/2012 09:16

Të paktën 15 persona kanë mbetur të vrarë në jug të Filipineve, kur persona të armatosur hapën zjarr ndaj tre varkave, ngjarje të cilën autoritetet e klasifikojnë si rivalitet për peshkimin.

Ngjarja ndodhi gjatë së hënës, në provincën Basilan, që konsiderohet dhe si një fortesë e rebelëve myslimanë. Policia ka identifikuar disa të dyshuar të përfshirë, por deri tani askush s’është arrestuar.

Zëdhënësi i komandës ushtarake lokale, togeri Randolph Cabangbang tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se mundësia që në sulm të jenë përfshirë militantë islamikë për momentin është përjashtuar. Ndërsa policia thotë se atentatorët ishin të paktën 10.

Peshkatarët ndodheshin në bordin e tre varkave prej druri në ishullin Sibago, në Basilan, kur personat e armatosur në disa varka të tjera hapën zjarr ndaj tyre.

Të shtënat u dëgjuan nga peshkatarë të tjerë që ndodheshin në zonë. Viktimat ishin banorë të qytetit të Pagadianit, 160 kilometra në veri-lindje të Basilanit.

Një peshkatar i mbijetuar deklaroi për policinë se disa herë më parë ata ishin paralajmëruar që të qendronin larg zonës ku ndodhi sulmi.

Sipas korrespondentëve të mediave ndërkombëtare, në
Filipine janë mbi 1 milion armë të palicensuara, një për cdo 40 civilë, dhe
shifra ka të ngjarë të jetë më e lartë në një vend si Basilani.

Rajoni i Basilanit përdoret si bazë nga militantët
islamikë dhe grupet rebele në kombin me shumicë të krishterë, por është edhe
një zonë e nxehtë për rrëmbimin e të huajve.

Top Channel