Rusi-Siri, pakt për aviacionin luftarak

23/01/2012 16:35

Moska dhe Damasku kanë nënshkruar një marrëveshje për furnizimin me 36 avionë luftarakë të tipit “Yakolev-130”, me vlerë 550 milionë dollarë.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja ruse “Kommersant”, që iu referohet burimeve pranë kompanisë ruse që kontrollon monopolin e eksportit të armëve “Rosoboronexport”.

Siria është një nga klientët kryesorë të industrisë ushtarake ruse, ndërkohë që klientë të tjerë kanë qenë aviacioni ushtarak algjerian dhe ai libian.

Rusia është gjithashtu një nga mbrojtësit kryesorë të Sirisë, pasi ka kundërshtuar dhe parandaluar miratimin e cdo rezolute kundër saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Madje, katër ditë më parë ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov kritikoi politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Sirisë.

Për Sirinë, tha Lavrov, Rusia nuk do të tolerojë ndërhyrjen ushtarake dhe do të vendosë veton e saj në Kombet e Bashkuara.

“Nëse dikush kërkon të përdorë forcën me cdo cmim, le ta bëjë, le t’i marrin vetë përsipër pasojat e këtij veprimit, por nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të harrojnë se do të marrin autorizimin”, deklaroi Lavrov.

Top Channel