Libi, “ringjallen” mbështetësit e Gadafit

23/01/2012 17:00

“Ringjallen” mbështetësit e Gadafit në Libi. Në qytetin Bani Ualid, janë regjistruar përleshje të armatosura mes nostalgjikëve të ish-diktatorit dhe forcave qeveritare të Këshillit të Tranzicionit.

Forcat e qeverisë së Këshillit të Tranzicionit arrestuan një person të njohur si ish-luftëtar i besnikëve të Gadafit në Bani Ualid. Kaq ka mjaftuar që mbështetësit e ish-diktatorit të marrin sërish armët kundër autoriteteve tranzitore.

Mësohet se besnikët e Gadafit kanë marrë nën kontroll të plotë gjithë qytetin, duke përzënë prej aty forcat e Këshillit e duke ngritur “flamurin jeshil”, simbol i regjimit të Gadafit.

“Luftëtarët e Gadafit sulmuan dhe morën nën kontroll të gjithë qytetin”, tha për agjencinë e lajmeve AFP, Mbarek al-Fotmani, një ish-anëtar i Këshill të Tranzicionit. Bani Ualid, gjatë luftës civile ishte ndër fortesat e fundit të Gadafit që ra në duart e kryengritësve.

Saif al Islam do gjykohet në Libi

Ministri libik i Drejtësisë ka deklaruar se Gjykata Ndërkombëtare Penale ka pranuar që Saif al Islam Gaddafi të gjykohet në vendin e tij.

“Të premten Libia i kërkoi gjykatës që Saif të gjykohej nga një gjykatë vendase dhe Gjykata Ndërkombëtare ka pranuar”, ka deklaruar ministri Ali Khalifa Ashur.

Data e procesit ndaj Saif Gaddafi do të njoftohet kur të kenë përfunduar hetimet. I biri i kolonelit u arrestua më 19 nëntor nga rebelët në jug të vendit. 

Top Channel