Itali, nis mbledhja e naftës nga kryqëzori

23/01/2012 16:05

Autoritetet italiane lajmëruan për fillimin e thithjes së naftës nga kryqëzoi i fundosur në ujra të cekëta, pranë ishullit të Xhilios.

13 persona u mbytën dhe 24 të tjerë janë deklaruar të humbur, pasi “Costa Concordia” goditi disa shkëmbinj pranë bregdetit dhe u fundos në datën 13 janar.

Megjithatë, me 2 300 tonë naftë në serbatorët e kryqëzorit që mbante 4 200 në momentin e aksidentit, rreziku për një katastrofë ekologjike ka qenë evident dhe tejet shqetësues për autoritetet.

Operacioni i thithjes së naftës nëpërmjet pompave të fuqishme nga anije të specializuara në këtë procedurë ishte shtyrë deri tani si rrjedhojë e rrëshqitjes së vazhdueshme të anijes nga shtrati ku ka zënë vend në fund të detit.

Sidoqoftë, duket se “Costa Concordia” tashmë ka gjetur një ekuilibër dhe nuk po lëviz më. Është e rëndësishme që rikuperimi i naftës të kryhet në një kohë sa më të shkurtër, pasi rryma të fuqishme detare mund të shtyjnë anijen drejt një grope detare të thellë 70 metra, e cila do të mbulonte plotësisht mjetin.

Disa anije qëndrojnë në gatishmëri pranë kryqëzorit, nëse ndonjë rrjedhje e papritur do të vërtetohet.

Top Channel