SHBA, panik nga virusi i laboratorit

21/01/2012 20:30

Shkencëtarët që krijuan një shtam me potencial vdekshmërie më të lartë se ai i gripit të shpendëve, e kanë pezulluar përkohësisht punën nga frika se virusi mund të përdoret nga terroristet.

Në një leter të publikuar tek “Shkenca dhe Natyra”, ekipi apelon për një forum ndërkombëtar, i cili të diskutojë mbi vlerat dhe rreziqet e studimit.

Muajin e kaluar, autoritetet amerikane i kërkuan autorëve të kërkimit të redaktojnë disa detaje kyce në publikimet e ardhshme. Sipas sugjerimeve të një paneli këshillimor qeveritar, të dhënat mund të përdoreshin nga terroristët.

Ekspertët e biosigurisë druhen se një formë e ndryshuar, më infektuese e virusit do të bëhej shkaktare e një epidemie të frikshme edhe më vdekjeprurëse se gripi i tmerrshëm spanjoll i viteve 1918-1919, që vrau 40 milionë njerëz nëpër botë.

Publikimi i kërkimit shkaktoi zemëratë të menjëhershme ndërkombëtare. “Do të kisha preferuar të mos kishte kaq shumë polemika, por tani ndodhi dhe nuk zhbëhet më”, thotë Ron Fouchier i qendrës mjekësore Erasmus, në Roterdam.

Ndërsa shtami H5N1 i gripit të shpendëve është ekstremisht i rrezikshëm për njerëzit, impakti i tij ka qenë i limituar për faktin se nuk kalon aq lehtë nga njeriu tek njeriu.

Shkencëtarët në qendër të stuhisë së polemikave të fundit e kanë ndryshuar shtamin, duke e bërë më të lartë përcjellshmërinë e tij.

Në letrën e publikuar të premten ata argumentojnë se, të kesh njohuri të thelluara mbi shtamet infektuese përpara se ato të pësojnë mutacione në natyrë, është me vlerë për shëndetin publik. Por kritikët reagojnë ashpër duke vënë në pikëpyetje sigurinë e laboratorëve të përdorur kërkimorë.

Top Channel