Përkujtohet Kongresi i Lushnjës

21/01/2012 00:00

Në kërkim të një simbolike të fortë për t’iu kundërvënë protestës së 21 janarit 2011, ku humbën jetën 4 protestues, kryeministri Berisha ishte në Lushnjë, për të përkujtuar 92-vjetorin e Kongresit të Lushnjës.

Ndonëse librat e historisë së Shqipërisë thonë se ky kongres u zhvilluan nga 28 deri më 31 janar 1920, sipas kryeministrit Berisha, Kongresi i filloi përgatitjet që më datë 21. Sipas tij, Kongresi i Lushnjës qëndron në krah të Lidhjes së Prizrenit dhe shpalljes së Pavarësisë.

“Në përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar shtetin e tyre, Lidhja e Prizrenit, shpallja e Pavarësisë në Vlorë dhe mbajtja e Kongresit të Lushnjës, janë 3 ngjarje të cilat ndoshta nuk do të mund të jetonin dot në memorien e një kombi, pa njëra-tjetrën”, deklaroi Berisha.

Në kuadër të ceremonive festive për 92-vjetorin e Kongresit të Lushnjës, kryeministri Berisha kreu një vizitë në shtëpinë-muze, ku zhvilloi punimet Kongresi Kombëtar.

Duke dalë nga shtëpia-muze, kryeministri tha se Kongresi i Lishnjës themeloi pluralizmin. Një sistem ku e drejta e protestës është e garantuar.

Një mënyrë kjo për të komentuar protestën përkujtimore të opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Protesta është një e drejtë e qytetarëve në çdo vend të lirë”, u shpreh Berisha.

Kongresi i Lushnjës, në vitin 1920, u mbajt në një moment shumë delikat për pavarësinë e Shqipërisë. Kongresi rikonfirmoi pavarësinë e Shqipërisë, zgjodhi përfaqësuesit e Shqipërisë në Konferencësn e Paqes së Versajës në periferi të Parisit, zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta, si edhe një qeveri të re me kryeministër Sulejman Delvinën dhe ministër të brendshëm Ahmet Zogun. Një nga vendimet e Kongresit ishte zhvendosja e kryeqytetit të Shqipërisë nga Durrësi në Tiranë.

Top Channel