Sa më shumë video skandaloze, aq më mirë

20/01/2012 00:00

Blendi Salaj – Vetëm dy ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që e shpalli Ilir Metën
të pafajshëm, z. Meta deklaroi se, “prokurori i përhershëm Spartak
Braho” – këtu më tingëlloi sikur po fliste për Inkuizitorin e madh – ka
një video që komprometon kryetarin e PS-së, Edi Rama, dhe Kryeprokuroren
Ina Rama.

Është folur qysh para zgjedhjeve të vitit 2009 se Ramës “i kanë” një video që do ta shkatërrojë politikisht. Supozohej se kjo video do të dilte disa ditë para zgjedhjeve, njësoj si fotografitë nudo të vitit 2006, por nuk ndodhi. Ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar, nuk bëhet fjalë më për një thashethem, por për një sfidë publike që njëri rival politik i bën tjetrit, haptas dhe qartë. Ilir Meta e la pas problemin me videon e regjistruar nga Dritan Prifti, dhe tani luan në sulm.

Kryeministri i ka quajtur videot “çimka” me një përbuzje të pafshehur. Në të vërtetë, njëra nga strategjitë e mbrojtjes kur videoskandali u shfaq në ‘Fiks Fare’, vitin e shkuar ishte portretizimi i videopërgjimeve si një akt i ulët, aspak burrëror, që thyente rregulla të pashkruar të shoqërisë. “Nuk përgjohet shoku në atë mënyrë”, – ishte një qëndrim i gjetur shpesh tek mbështetësit e Ilir Metës në LSI apo gjetkë në mazhorancë. Por, jo më. Që nga dita e djeshme, videot janë sërish një armë e fortë, demaskuese dhe demoralizuese për kundërshtarin. Tani po, mund të luajmë “Kush ka videon më skandaloze”, dhe për të qenë i sinqertë, personalisht, më pëlqen shumë kjo lojë.

Unë kam kohë dhe oreks të shoh video aferash korruptive për këdo politikan a funksionar të korruptuar. Sa më skandaloze, aq më mirë, në mendimin tim. Let’s press PLAY dhe t’i shohim sa hipokritë janë vërtetë. Le t’i shohim sesi vjedhin, sesi shtrëngojnë të bëjnë seks vajzat e reja, sesi përdorin institucionet për të kapur e mbajtur pushtetin, sesi shtinë për vdekje mbi qytetarët në bulevard. Po të jetë në dorën time, do t’i shfaqja të gjitha, le t’i nxjerrin kanë e ç’nuk kanë – uroj, inati t’u shtohet e ta bëjnë njëri-tjetrin zhele, më keq se janë bërë në sytë e publikut.

Një studim i fundit i Universitetit të Kalifornisë në Berkeley tregon sesi thashethemet mund të përdoren si një mjet i vlefshëm social dhe psikologjik, pasi na ndihmojnë për të thënë disa të vërteta të vështira, të cilat i kemi të vështirë t’i themi haptas. Në të njëjtën mënyrë, videopërgjimet mund të shihen si një mjet që i tregon publikut, përtej çdo dyshimi, natyrën e vërtetë dhe të korruptuar të shumë njerëzve të pushtetshëm në Shqipëri. Videot në këtë rast vlejnë për të provuar se thashethemet që qarkullojnë janë të vërteta. Prandaj, jam duke pritur me padurim që z. Meta të takojë z. Çakulli për t’i dhënë videon e Spartak Brahos, që tregon sesi Edi Rama kërkon favore nga znj. Rama.

Unë i inkurajoj dhe të tjerë të dalin me videot e tyre, le të kthehet Janari 2012 në një Film Fest Videopërgjimesh. Kjo do t’i vlente shumë publikut, qorrave dhe naivëve si puna ime, që vazhdojnë të shpresojnë kundër shpresës se Shqipëria nuk është përfundimisht e mbaruar. Është një situatë win-win. Videot do të na ndihmonin shumë ne optimistëve të shihnim realitetin nga njëra anë dhe nuk do t’i dëmtonin hiç politikanët nga ana tjetër, sepse në fund gjykatat do t’i mbulonin të gjitha punët e pista si një çarçaf i madh dhe i qelbët. Gjykatat tona bujare, si rreckat e reja të mbretit – vetëm se në Shqipëri ato nuk gënjejnë dot më askënd.

Situata është tepër kritike, njerëzve po u humbet krejt besimi në institucionet. Gjykatat, prokuroria, qeveria, politika janë kthyer në kërcënim serioz për demokracinë dhe vijueshmërinë e një jete normale në këtë vend. Dhe videoskandalet, e janë prova e pamohueshme e dreqosjes së këtyre punëve. Prandaj jam kaq tifoz i videove, sepse nuk na lejojnë të bëjmë sikur nuk kuptojmë për të ruajtur dinjitetin tonë të shkelur kaq rëndë.

“Fiks Fare” e ka pranuar sfidën, video që ka në dorë z. Meta është e mirëpritur në “Top Channel”, dhe unë jam gati me telekomandën në dorë për t’i ngritur zërin televizorit në apartamentin tim. Dy ditë më parë kisha shkruar diku se shpresoja që politika të mos e ngatërrojë heshtjen tonë për injorancë dhe qetësinë tonë për nënshtrim. Por duke e menduar ca më shumë, shpresoj që politika të bëjë pikërisht këtë, dhe një ditë, me gjasa më herët sesa vonë, të përballet me pasojat.

Gazeta “Shqip”

Top Channel