Rusi, këngë “punk” kundër Putin

20/01/2012 21:55

Policia ruse ka arrestuar në Sheshin e Kuq të Moskës një grup “punk” femëror që kishte kënduar një këngë në formë proteste kundër kryeministrit Vladimir Putin.

Grupi muzikor Pussy Riot, i përbërë nga tetë gra të maskuara dhe me veshje të dallueshme, sfidoi temperaturën minus 10 gradë duke kënduar një këngë me titullin “Putin e bëri në …”.

Kënga bënte fjalë për një kryeministër që kishte frikë nga protestat e qytetarëve. Por pas performancës 8 gratë u shoqëruan në komisariat dhe katër prej tyre rrezikojnë deri në 15 ditë burg.

Pas zgjedhjeve parlamentare, të cilat nga populli rus konsiderohen të manipuluara, situata në Rusi sa vjen e tensionohet për shkak të zgjedhjeve presidenciale të muajit mars.

Dy ditë më parë Komisioni Elektoral Rus mbylli procesin e regjistrimit të dokumenteve për kandidatët. Për t’u pranuar në garën elektorale duheshin të paktën 2 milionë firma dhe jo mbi 2 milionë e 100 mijë.

Tre janë kandidatët që do të sfidojnë kryeministrin Vladimir Putin në zgjedhje: miliarderi Mikhail Prokhorov, liberali Grigori Iavlinski dhe guvernatori i rajonit të Irkutskut, Dmitry Mezentsev.

Ditën e djeshme, Putin sulmoi ashpër mediat pasi akuzoi një radio liberale në vend për mashtrim të vazhdueshëm në shërbim të interesave të shteteve të huaja.

Top Channel