Marok, 5 të papunë i vënë flakën vetes

20/01/2012 21:15

Pesë të rinj marokenë në qytetin e Rabatit i vunë flakën vetes në shenjë proteste ndaj papunësisë.

Një video që u transmetua në internet tregoi pesë personat që spërkasnin veten me lëng të djegshëm në mes të një grupi të rinjsh të diplomuar por të papunë.

Ngjarja ka ndodhur ditën e mërkurë dhe sot dy nga pesë të rinjtë kanë dalë nga rreziku, ka bërë të ditur agjencia e lajmeve “AFP”, që citon burime spitalore.

Situata ekonomike dhe papunësia në vendin afrikan vazhdojnë të mbeten në nivele shqetësuese dhe banorët janë të bindur se edhe qeveria e re nuk do ta ndryshojë shumë atë.

Në fillim të muajit mbreti Mohammed VI dha bekimin e tij për formimin e qeverisë së re, qeveria e parë e dalë nga zgjedhjet popullore dhe e para e udhëhequr nga një lider islamik.

Mbreti dekretoi ministrat e qeverisë, si dhe kryeministrin Abdelilah Benkirane, kryetar i partisë islamike të moderuar, Drejtësi dhe Zhvillim.

Kjo parti ishte fituesja e zgjedhjeve të mbajtura pak muaj më parë në Marok, megjithatë ajo do të qeverisë në koalicion me të tjera parti, pasi nuk mundi të sigurojë e vetme numrin e nevojshëm të mandateve në Asamblenë Kombëtare.

Top Channel